Politike

Basha me të rinjtë që kanë studiuar jashtë: Pa konkurrencë s’mund të ketë rritje ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një bashkëbisedim në ambientet e librarisë “Tirana Times”, me një grup të rinjsh që studiojnë dhe kanë mbaruar studimet në universitetet jashtë vendit.

Në një kohë kur të rinjtë po ikin përditë nga Shqipëria, kreu i opozitës e cilësoi kthimin e këtyre studentëve ekselentë në atdhe si një mesazh shprese për ndryshimin që kërkon vendi. “Shumëkush që na ndjek do ta ndjejë atë vibër frymëzimi dhe shprese dhe besimi, që ofron vetë prania juaj, kthimi juaj në atdhe, në Shqipëri, kur mundësitë i keni pasur për të qëndruar jashtë që me siguri është shpresë jo thjesht dhe vetëm për familjet tuaja, por për të gjithë shoqërinë dhe është synimi, objektivi kryesor i imi personal dhe i Partisë Demokratike.”, -tha Basha.

Ndërkohë, të rinjtë shprehën shqetësimet e tyre para Bashës, ku parësorja sipas tyre është vështirësia për të krijuar sipërmarrje të reja.

“Një instrument që përdoret dhe nga vendet e Perëndimit është stimulimi i Startup-eve të reja, pikërisht duke i mundësuar rinisë, të rinjve që duan të krijojnë një sipërmarrje të tyren kredi me interesa të favorshme dhe me një lehtësim, sa i përket kolateralit dhe aspekteve të tjera, sa i përket ndërtimit të modelit të biznesit. Me të vërtet Shqipëria mund të mos ketë në afat shkurtër mundësi financiare për të ndërtuar një skemë masive në këtë drejtim, por që ta orientojë një mekanizëm me mbështetje shtetërore, një fond garanci shtetërore drejt sektorëve prioritar të zhvillimit, që mund të jenë turizmi apo teknologjia e informacionit apo të tjera aktivitete prodhuese dhe ekspozuese, këtë Shqipëria mund ta bëjë. Për mua nuk ka prioritet më real sesa të mbështesim sipërmarrjen rinore standarde dhe të mbështesim punësimin e të rinjve, duke sjellë edhe stimulim fiskal edhe stimulim financiar për sipërmarrjet e tjera që punësojnë të rinjtë, duke përfshirë këtu të rinjtë që kthehen nga jashtë”, – u shpreh kreu i opozitës.

Por që të ketë punësim dhe mundësi biznesi për të rinjtë, Basha tha se duhet të ketë një ekomomi të lirë dhe të shëndetshme.

“Problemi kryesor i ekonomisë sot është monopolizimi, fakti që gjithë ekonomia vërtitet rreth 3-4 klientëve të qeverisë. Aty shkojnë lejet e ndërtimit, aty shkojnë lejet dhe licencat ekskluzive, aty shkojnë tenderat, aty shkojnë koncesionet, aty shkojnë PPP. Si mund të presësh që aktorët e tjerë në treg që kanë ide, që kanë plane që kanë inovacion, kanë dëshirën, kapitalin apo aftësinë për të marrë kredi dhe për të investuarm ta bëjnë këtë kur ata që duhet ta mundësojnë fushën e barabartë të lojës në treg, që është qeveria, është sundimi i ligjit, janë praktikisht ata që e kanë shkatërruar fushën dhe në këtë mënyrë krijohet një kulturë e frenimit të iniciativës, të favorizimit të një grushti njerëzish me lidhje dhe ndëshkimit të gjithë pjesës tjetër të shoqërisë”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?