Kryemadhi/ Edi Rama si vampir, ua ka marrë frymën të gjithëve me taksat

Politike

Qeverisja e Edi Ramës dhe modeli i Rilindjes është kthyer në rrezikun më të madh për qytetarët shqiptarë. Ky është mesazhi që kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dha dje në takimin me të rinjtë dhe të rejat e kësaj force politike në qytetin e Shkodrës. Në fjalimin e mbajtur para të rinjve, Kryemadhi u shpreh se tashmë janë vet socialistët ata që po denoncojnë rilindjen dhe po distancohen nga ajo duke e cilësuar kryeministri i vampir të shqiptarëve.
“Kam takuar socialistë edhe këtu në Shkodër. Ata më thonë se Edi Rama na ka braktisur. Tash që ky mori gjithë tepsinë me timon nuk po ndaloka, është bërë si vampir që po na pi gjakun. E këtë kur e thotë një socialist. E pra, kur një socialist prej 30 vitesh ka sakrifikuar, ka dhënë votën për PS ndihet i zhgënjyer dhe si ndihet një qytetar tjetër? Me regjimin e Edi Ramës çdo qytetar që paguan taksa është kthyer në një skllav modern të rilindjes”,- deklaroi kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi u shpreh se regjimi i Edi Ramës është kthye në një pushtet shtypës me taksat dhe gjobat, ndërsa keqmenaxhimi i pandemisë dhe situatës kanë bërë që shqiptarët ta shohin këtë qeveri si një fatkeqësi kombëtare. “Edi Rama e shkatërroi PS-në dhe e ktheu partinë në një sekt. Edi Rama ua ka marrë frymën të gjithëve me taksat Rama, me pandeminë, me tërmetin, me gjobat. Por ka një zgjidhje, një shpëtim. Unë jam socialiste në thelb, dhe kur e dëgjon dikush këtë në Shkodër, shikon me ilaritet. Socialist do të thotë njeri që të jep dorën, që bashkëpunon në komunitet e jo totalitarizëm. Që të kurohet sot një pacient nga COVID-i i duhen mbi 1 milion lekë, për 1 rrogë minimale i duhen 5 muaj për të paguar shërimin e një të sëmuri”,- u shpreh kryetarja e LSI.
Për të ndryshuar situatën për vendin dhe të ardhmen e tyre, Kryemadhi ftoi të rinjtë që më 25 prill të vendosin për ndërtimin e një Shqipërie europiane. Kryetarja e LSI tha se të rinjtë janë ata që do të dinë ti japin me votë ndëshkimin e merituar një qeverisje që nuk punon për vendin. Kryemadhi tha se vota e 25 prillit do të jetë një ndarje përfundimtare dhe me njerëzit që janë peng të interesave antikombëtare “Ne jemi shqiptarë dhe në gjakun tonë rrjedh gjaku i Kastritotit, dhe këtë nuk e tjetërson dot asnjë shqiptar që e shet veten si shqiptarë, por që është peng i antishqiptarëve. Nuk e tjetërson dot asnjë kryeministër që mendon se mund të ketë peng Shqipërinë e Shqiptarët”,- tha Kryemadhi.
Duke ju referuar qëndrimeve të Edi Ramës, pro ndarjes së Kosovës, Kryetarja e LSI u shpreh se asnjë kryeministër nuk mund të mbajë peng shqiptarët me projekte antishqiptare. Gjithashtu, Kryemadhi u shpreh se Edi Rama nuk mund të luajë dhe me kufijtë e detit të Shqipërisë. Kryemadhi paralajmëroi kreun e qeverisë se nëse luan me interesat e vendit dhe të ardhmen e shqiptarëve, të rinjtë do t’i turren si Skënderbeu turqve. “Gjaku i Kastriotit në trupat tanë do të jetë gjithmonë dhe do ti japë dërrmën kujdo njeriu-pushtuesi, tokësor e shpirtëror. E them këtë se kufijtë e Shqipërisë e Kosovës nuk i lëviz dot as Edi Rama, apo ata që ai ka nga pas, kufijtë e detit të Shqipërisë nuk i lëviz dot as sikur të mbledhë gjithë botën bashkë, se djem e vajzat e Shqipërisë edhe pse i ka lodhur Rama me varfërinë që ju ka pllakosur mbi shpatulla, do ti ndizen dhe do ti turren, ashtu siç i është turrur Skënderbeu turqve 500 vjet më parë, sepse nuk ka më burrë nëne në këtë tokë që të tallet me djem e vajzat tona”,- deklaroi kryetarja e LSI.
Mili Xhani

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments