Rama ju drejtohet doktoreve/ Ju se ka idenë ç’a thuhet, nuk mund te jepni mend.
Kryeministri Rama ka folur mbrëmjen e djeshme për situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të Covid-19. Ai ka komentuar dhe deklaratat e dy mjekëve Genc Sulçebe dhe Arjan Mezini.
Të dy mjekët ishin të ftuar në emisionin Open një ditë para kryeministrit dhe ngritën secili nga një problem. Mjeku Sulçebe tha se laboratori i QSUT ku bëhen analizat do t’i jepet privatit dhe numri i anazilave që bëhen aty do të reduktohet.
“Nuk është kjo çështje e imja, as e profesorit. Profesori është epidemiolog dhe si epidemiolog ka një kontribut të vyer në këtë periudhë. Eshtë një ndër njerëzit më të nderuar, më të respektuar por nuk është temë e profesorit se a transformohet apo jo struktura. Këto janë çështje të administrimit, të menaxhimit, të organizimit, nuk janë të epidemiologjisë. Këto janë diskutime për ndeshjet e futbollit, nga ata që e komentojnë por jo nga ata që e luajnë. Profesori është një lojtar shumë i mirë në formacionin e përgjithshëm të sistemit tonë shëndetësor, është i shkëlqyer. Por nuk është trajneri që duhet të japi mend sesi duhet bërë laboratori”, tha Rama për mjekun Genc Sulçebe.
Ndërkohë, Rama komentoi dhe deklaratën e mjekut të “Shefqet Ndroqit” Arjan Mezini, i cili më parë ishte shprehur se përse nuk hapen spitalet Covid 3 dhe 4 në mënyrë që pacientët të qëndrojnë nga 1 në dhomë.
“Ky më kujtoi një gazetar sportiv që fliste sikur ishte një trajner i pavlerësuar i Real Madridit. Zotëria është një mjek dhe se ka idenë fare të atyre që thuhen. Mjeku mund të jetë shumë i mirë në specialitetin e vetë, por aty ka folur kot. Ajo që tha është marrëzi më vete se ne kemi parë spitalet në Francë… ato që thotë ai nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër. Nuk është fare aty për të dhënë mend si bëhen punët këtu. Si mjek ai mund të flasi për specialitetin e vetë. Këtu japin mend të gjithë për punët e të tjerëve. Ata që merren me këto punë e dinë si bëhet. Ato që thotë ai janë komplet palidhje”, përmbylli Rama.