Manastirliu: Sistemi shëndetësor ende në alert nga COVID19

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë inspektuar ditën e sotme qendrën e re shëndetësore të Krujës, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.

Teksa i tregonte ambientet e reja kryeministrit, Manastirliu tha se kjo është qendra e 180 e rehabilituar me programin kombëtar të 300 qendrave shëndetësore, të financuar nga qeveria.
Po ashtu numri një i Shëndetësisë duke marrë shkas nga pandemia e COVID-19, tha se mjekët e familjes në të gjithë vendin po bëjnë një punë shumë të mirë për ndjekjen e rasteve me Covid 19 dhe monitorimin e tyre.

Gjatë inspektimit në Krujë, Rama dhe Manastirliu u ndalën edhe në spitalin bashkiak të këtij qyteti, ku panë nga afër projektin e përfunduar për ndërtimin e spitalit të ri në Krujë, i cili po ashtu mbeti i dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit.

“Dihet që Kruja ka qenë një nga vatrat e infeksionit. Mjekët e familjes janë duke bërë një punë shumë të mirë për ndjekjen e rasteve me Covid19 të cilat janë me simptoma të lehta, të moderuara apo asimptomatikë, duke operuar me të gjithë strukturat e shërbimit shëndetësor, me Urgjencën Kombëtare dhe me spitalet. Mjeku i familjes, nëpërmjet protokollit që kemi vendosur dhe sistemit elektronik, është në gjendje të shohë në kohë reale se ku janë të sëmurët dhe si ndiqen ato”, tha Manastirliu.

“Vijmë me lajmin e shumëpritur për të prezantuar projektin e spitalit të ri të Krujës. Do të ketë një rehabilitim tërësor me të gjithë komponentët e duhur. Pas tërmetit të 26 Nëntorit, ky spital ka patur shumë problematika. Ne tashmë kemi përfunduar projektin e ri dhe spitali bashkiak i Krujës do të ketë një rehabilitim tërësor. Risia në projektin e ri është që do të përfshihet edhe materniteti në godinën e spitalit. Spitali do të ketë rreth 90 shtretër, do të ketë të gjitha shërbimet të cilat i nevojiten një spitali bashkiak. Do të ketë pediatrinë, patologjinë, infektivin, sallën e lindjes, kirurgjinë dhe shërbimet që kanë munguar më parë”, pohoi ministrja.

Ndër të tjera Manastirliu deklaroi se sistemi shëndetësor është në gatishmëri për t’i bërë ballë COVID-19. “Spitali i Krujës dhe i gjithë sistemi shëndetësor është përfshirë në një nivel të alertit numër 4. Në fakt nuk kemi hequr asnjeherë gatishmëria sa i përket situatës që është krijuar. Me shtimin e numrit të rasteve që është e pritshme nga rihapja që ka ndodhur, ne do të vijojmë të jemi në gatishmëri për të mos neglizhuar ansjë rast, por mbi të gjitha për të mos neglizhuar ato masa të thjeshta për ruajtjen e personelit dhe të qytetarëve. Por duhet të vijojë të jetë në vëmendje ruajtja e distancimit fizik dhe masat e higjienës personale”, tha Manastirliu.
(BalkanWeb)