Edi Rama merr nën kontroll të plotë dhe Gjykatën e Lartë

Aktualitet

Nga Boldnews.al

Gjykata e Lartë, e cila pritet të rinovohet së shpejti, do të jetë thuajse nën kontrollin absolut të Partisë Socialiste, të paktën edhe për shumë muaj të tjerë, derisa struktura më e lartë e drejtësisë të plotësojë të gjithë vakancat e saj.

Procedurat e ndërlikuara ligjore pritet të lënë Gjykatën e Lartë në dorë të Ardian Dvoranit për një kohë të gjatë, i cili do të koordinojë punën me 3 anëtarët e rinj që vijnë nga radhët e jo-gjyqtarëve, të gjithë me lidhje të dukshme me Partinë Socialiste në pushtet ose me fije që i lidhin me maxhorancën.

Në mesin e kësaj jave, Këshilli i Lartë Gjyqësor i dërgoi Presidentit të Republikës listën me 3 kandidatë, të përzgjedhur nga aplikantët që vijnë nga radhët jashtë gjyqësorit.

Kandidaturat e Këshillit të Lartë Gjyqësor janë:
– Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një ndër juristët që është shprehur në çdo kohë pro nismave, edhe ato kontraverse, të ndërmarra nga qeveria e Edi Ramës;
– Ilir Panda, ish-Ministër i Drejtësisë në vitet 1999-2000, kur drejtonte qeveria socialiste e Fatos Nanos, e më pas zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
 Ervin Pupe, i cili vjen nga radhët e avokatëve, i njohur edhe si baxhanak i Ben Blushit, drejtorit të përgjithshëm të Top Channel, një televizion në vijën e parë të frontit propagandistik pro-qeverisë së Edi Ramës.

Presidenti Ilir Meta duhet të shprehet për dekretimin ose jo të këtyre emrave, brenda 10 ditëve. Në rast se kreu i Shtetit vendos që të mos dekretojë ndonjë prej kandidaturave, emri i rikthehet Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili mund ta miratojë atë përfundimisht, me shumicë të thjeshtë votash.

Pas përfundimit të procedurave për 3 nga 4 kandidatët nga radhët jashtë gjyqësorit, tashmë Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hapur garën edhe për 6 vende vakante, të cilat do të plotësohen nga kandidatë gjyqtarë.

Por, procedura për përzgjedhjen e tyre do të kalojë nëpër një kalvar ligjor, duke e lënë Gjykatën e Lartë për një periudhë të gjatë vetëm me Ardian Dvoranin, si kryetar në detyrë, bashkë me 3 anëtarët e kualifikuar nga KLGJ, të cilët pritet të marrin mandatin brenda muajit Mars 2020.

Kandidatët që do të plotësojnë vakancat në Gjykatën e Lartë nga radha e gjyqësorit, duhet që, krahas përmbushjes së kritereve formale ligjore, të kalojnë edhe procesin e Vetingut me vendim të formës së prerë.

Pikërisht, procesi i ngadaltë i rivlerësimit për gjyqtarët, pritet të bllokojë edhe për shumë muaj plotësimin e të gjithë vakancave në Gjykatën e Lartë, duke shtuar akoma më shumë stokun e dosjeve, të cilat aktualisht kanë shkuar në rreth 35 mijë të tilla, që pritet të shqyrtohen nga trupat e gjyqtarëve të lartë.

Gjykata e Lartë, aktualisht, ka vetëm një anëtar, Ardian Dvoranin, të cilit i ka përfunduar mandati rreth 5 vjet më parë. Dvorani, një personazh i lidhur fuqishëm me socialistët në pushtet, e sidomos me Ekzekutivin e Edi Ramës, pritet të vijojë të mbajë detyrën e “kryetarit në detyrë”, derisa ai të zëvendësohet nga prurjet e reja që do të vijnë nga gjyqësori.

Por, deri në atë kohë, Ardian Dvorani do të ndajë punët me anëtarët e rinj jo-gjyqtarë, të cilët gjithashtu kanë lidhje të forta me Partinë Socialiste, duke e shndërruar Gjykatën e Lartë, me shumë mundësi, në një përmbushëse të vullnetit të formacionit politik që ka maxhorancën aktualisht.

0 0 votes
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments