Rama për AFP: Nuk do qajmë pas derës së Europës
Kryeministri Edi Rama ka folur për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, për agjencinë AFP, ku është shprehur se Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të merituar hapjen e negociatave.
Rama tha se Europa po vuan në këto momente, dhe zgjerimi i saj do t’i bëntë mirë të gjithëve.
Kryeministri u shpreh se do të vazhdojnë me ‘detyrat e shtëpisë’ dhe nuk do të rrijë pas derës së Europës duke pritur, por do të vijojnë reformat për plotësimin e kushteve të Bundestagut.
Rama u shpreh optimist për Konferencën e Donatorëve në 17 shkurt, ku shpreson se do të lëshohet një fond i konsiderueshëm për rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pavarësisht reformave Rama u shpreh se ‘shqiptarët nuk mund të bëhen si suedezët’.
” “Ne nuk do të qëndrojmë te dera e Evropës dhe të qajmë. Ne nuk jemi në këtë rrugë sepse francezët ose gjermanët po na kërkojnë, por sepse është rruga e vetme e arsyeshme për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Europa po vuan, nuk funksionon ashtu siç duhet, është e qartë. Shqipëria bëri më shumë se çdo vend tjetër për hapjen e negociatave. Por vendi do të vazhdojë t’i bëjë detyrat e veta shtëpiake (sepse) ne nuk po i bëjmë ato për ta, ne po i bëjmë vetë.
Kjo është një mundësi e madhe për vendin që të demonstrojë se po i bën gjërat ndryshe. Por për të thënë që shqiptarët do të bëhen suedezë, nuk mendoj se do të ndodhë”, tha ndër të tjera Rama.