Blerja e votave/ Bashkëshortja e Erion Ahmetit të Rrugores pushoi hetimet ndaj Prefektit të Kukësit

Aktualitet

Prokuroria dhe Gjykata kanë pushuar një hetim, në të cilin kishte elementë të shumtë që ngrinin dyshime se Liman Morina, Prefekt i ​Qarkut të Kukësit, është përfshirë personalisht në “shit-blerje” votash, në zgjedhjet e vitit 2017.

Në qershor të 2017-ës, një shtetas kallëzoi Prefektin e Kukësit se i kishte dhënë “30 mijë lekë, me qëllim që 6 votuesit e familjes së tij të votonin për Partinë Socialiste”, në zgjedhjet e përgjithshme të atij viti.

Kallëzuesi e shoqëroi denoncimin e tij edhe me një material audio, në të cilin kishte regjistruar bisedën ndërmjet tij dhe Liman Morinës për “pagesën” për votat. Por, pavarësisht fakteve të qytetarit, prokuroria e Kukësit nuk arriti të siguronte prova, ndërkohë që gjykata e mbështeti kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes.

Vendimi, i siguruar nga “Hashtag.al”, është marrë në 16 Tetor 2017 (kliko këtu). Gjyqtarja Alma Ahmeti, bashkëshortja e Shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, vendosi të pushojë çdo akuzë ndaj prefektit Morina, pavarësisht se provat e depozituara nga qytetari krijonin dyshime të forta.

Kallëzimi dhe hetimi

Më 24 Qershor 2017, një ditë para zgjedhjeve parlamentare, shtetasi me inicialet M.P. kallëzon në policinë e Kukësit se “prefekti Liman Morina, nëpërmjet një personi tjetër, ka kërkuar numrin e babait të tij, I.P.”

Kallëzuesi deklaron se i ka marrë numrin e telefonit Liman Morinës nga ky person i tretë, dhe e ka telefonuar vetë Prefektin, për ta pyetur se për çfarë arsye i kërkonte të atin.

Në bisedë, prefekti Morina i ka kërkuar kallëzuesit që të takohen në lokalin “Pashtriku”. Në takim, sipas kallëzuesit, prefekti Morina e ka pyetur se sa votues janë në familje. Në përgjigje, kallëzuesi i ka thënë se janë 6 persona me të drejtë vote. Pas këtij konfirmimi, prefekti i ka thënë kallëzuesit që “sipër frigoriferit i ke ato, merri dhe votoni për nr.2, Partinë Socialiste”.

Kallëzuesi ka shkuar tek frigoriferi dhe ka gjetur 6 prerje 5 mijë lekëshe, në total 30 mijë lekë, të cilat i ka marrë dhe me to është drejtuar më pas në Polici, për të bërë kallëzimin.

Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ai ka dorëzuar edhe një material audio, të regjistruar me telefonin e tij, ku deklaron se është biseda e kryer mes tij dhe prefektit Liman Morina për çështjen e blerjes së votave.

Rasti i referohet Prokurorisë, e cila, pasi kryen veprime proceduriale për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, vendos pushimin e çështjes.

Argumentat e Prokurorisë gjenden në vendimin e gjyqtares Alma Ahmeti, e cila ka mbështetur faktin se nuk ekzistojnë prova ndaj prefektit të Kukësit, Liman Morina.

Vendimi i pushimit

Prokuroria e Kukësit ka pyetur prefektin Liman Morina, lidhur me kallëzimin e shtetasit M.P. Prefekti e pranon takimin, por ai jep një version tjetër të bisedës. Sipas tij, ai ka kërkuar një takim me babain e kallëzuesit, për shkak të një konflikti që familja e tyre kishte me një familje tjetër.

Në vendim nuk jepet asnjë argument se përse Morina duhej të ndërhynte në një debat mes dy familjeve, kur ligji “Për qeverisjen vendore” nuk i jep asnjë të drejtë të tillë prefektit. Rastet e konflikteve mes familjeve janë kompetencë e efektivëve të Policisë së Rendit të zonës.

Gjithashtu, vendimi i gjyqtares Alma Ahmeti nuk jep asnjë sqarim se përse prefekti, në rolin e tij zyrtar, ka vendosur të zhvillojë një bisedë “paqtuese”, në një lokal në Krumë, aq më tepër një ditë para zgjedhjeve, kur fokusi i tij ishte mbarëvajtja e procesit elektoral.

Më tej, prokuroria, sipas vendimit të gjykatës, deklaron se ka kryer këqyrjen e kartëmonedhave të dorëzuara nga kallëzuesi dhe në to nuk ka arritur të shquajë elementë të gjurmëve të gishtave të ndonjë personi konkret.

Sa i përket audio-regjistrimit, prokuroria, sipas vendimin gjyqësor, deklaron se “është kryer kqyrja nga Policia Gjyqësore dhe nuk janë gjetur elementë të rëndësishëm për hetimin, pasi në audio ka shumë zëra”.

Pra, fillimisht Prokuroria e më tej gjykata kanë pranuar “këqyrjen” e Policisë, pa ia nënshtruar materialin zanor një ekspertize të specializuar.

Prokuroria, e më tej gjykata, kanë pranuar versionin e Liman Morinës se ai ka përmendur shprehjen “shko tek frigoriferi dhe merri ato”. Por, kjo shprehje nuk i është drejtuar kallëzuesit, por kamarierit të lokalit, të cilin e orientoi që të merrte çelësat e automjetit të tij.

Nën këto argumenta gjysmakë të Prokurorisë së Kukësit dhe në mungesë të një ekspertize të plotë mbi rastin, gjyqtarja Alma Ahmeti ka vendosur pushimin e hetimeve për Prefektin e Kukësit, Liman Morina./Hashtag.al

Për të lexuar vendimin e gjykatës, kliko këtu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *