Aktualitet

Gjykata Kushtetuese rrëzon rezolutën e sotme të parlamentit: Marsida Xhaferllari fillon detyrën, jo Arta Vorpsi

Gjykata Kushtetuese konfirmon se Marsida Xhaferllari ka të drejtën të ushtrojë funksionin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë mënyrë, Arta Vorpsi, e kualifikuar automatikisht nga parlamenti, nuk mund të nisë detyrën për shkak se nuk është betuar në presidencë.

Në deklaratën zyrtare, Gjykata Kushtetuese shton se ”është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.”

Pra, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari do të ushtrojnë detyrën me të drejta të plota si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, pasi janë betuar para presidentit Ilir Meta.

Kujtojmë që parlamenti miratoi sot me 97 vota pro rezolutën ”Mbi ndalimin e krizës kushtuese” për vendin e pestë të Gjyaktës Kushtetuese duke njohur Arta Vorpsin si anëtare e GJK-së. Ndërkohë, Arta Vorpsi i drejtoi një kërkesë 4 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të njihej mandati i saj.

Vorpsi shmangu betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese duke u betuar para kryetares së Dhomës së Noterëve Miranda Xhemalçe ditën e djeshme.

Deklarata e Gjykatës Kushtetuese:
Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.”

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?