Spiropali: Presidenti pjesë e lojës kundër çeljes së negociatave.

0

“Qëndrimi i Francës është bërë publik, është një raport që ata kanë me BE nuk ka të bëjë as me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë e Veriut dhe as me detyrat që këto shtete kanë bërë por me kërkesat që ka Franca ndaj komisionit e shteteve të tjera”.

Kështu deklaroi në studion e News24, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali duke folur për çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe situatën në vend.

Ajo tha se për ne është shumë e  rëndësishme që ajo kemi arritur që KE s’ka asnjë dyzim. Sipas saj, vendimi i shteteve anëtare si Franca dhe Holanda nuk ka të bëjë me ne, në asnjë pikë por me gjendjen e BE në këtë pikë. Ndërkohë nuk munguan akuzat për Presidentin e Republikës Ilir Meta, për të cilin tha se u bë pjesë e lojës së opozitës kundër negociatave, duke kujtuar intervistën e tij për median estoneze.

“Nuk kemi të bëjmë as me shtyrje, as me refuzime, kemi të bëjmë me një vendim që do të merret për të ardhmen e Europës të cilin nuk mund ta përcaktojmë ne. Nuk jemi përcaktuesit e zhvillimit. Janë negociata që do bëhen në KE. Ne na takon pjesa jonë. Pra, i kemi bërë ne detyrat deri tani, KE e ka dhënë certifikimin, sigurisht. Kemi mbështetjen e parlamenteve të shteteve të mëdha, e kemi dhe këtë. Diskutimet janë një çështje tjetër. Ne jemi shumë të bindur që diskutimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do jetë një refuzim. Dera është e hapur tashmë dhe nga raportet që kanë dalë deri tani theksohet që të bëhet çelja e negociatave”, deklaroi Spiropali.

Ministrja ka folur edhe për letrën që 7 ministre i dërguan parlamentit holandez.

“Ishte një vendim që ne e morëm së bashku për të dërguar një shkresë. Jemi krenare që qeveria shqiptare është një nga qeveritë me balancën gjinore ndër më të lartat në botë. Ishte iniciativa jonë për ta çuar komunikimin me senatin dhe parlamentin holandez në një tjetër nivel. Ne renditëm aty arritjet e Shqipërisë dhe nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi besoj se Shqipëria është e paragjykuar. Nuk ka të bëjë aspak me përdorimin e grave siç thuhet rëndomë por me faktin që qeveria duhet dhe do t’i thotë aspektet pozitive të zhvillimit të saj. Ne nuk presim përgjigje. Është një letër që iu drejtohet të gjithëve dhe besoj krijon një kanal të ri komunikimi me parlamentin”, deklaroi ajo.

Sa i përket 18 tetorit, Spiropali theksoi se janë diskutime dy ditore 17-18 me radhë por në vazhdimësi do ketë diskutime të tjera. “Shqipëria tani që ka hyrë në këtë faze do ketë kushte, negociata për kapituj në momentin që çelen negociatat. Janë mijëra të tilla që Shqipëria duhet t’i plotësojë dhe pavarësisht përpjekjeve dhe unë këtë e them me bindjen më të plotë, më skandaloze që janë bërë në nivelet më të larta të politikës shqiptare për ta penguar këtë proces, qoftë me partitë simotra të djathta, qoftë në takime zyrtare dy palëshe apo të larta Shqipëria ia ka dalë që të krijojë besueshmëri në këto vende. Besoni që nuk është e thjeshtë të luftosh me elementë brenda vendit tënd. Nuk e bën asnjë vend i botës. Nuk e bën opozita maqedonase, opozita serbe këtë gjë, jo vende të tjera si Mali i Zi apo Greqia që është anëtare e BE sepse kanë së pari interesin kombëtar, pastaj kanë kalkulimet politike të ditës. Ne jemi përballur me një opozitë që nuk lë vend, nuk lë derë BE-je, nuk lë parlament, parti apo mik shtëpie të tyre që nuk u shkon për të thënë që Shqipëria nuk është gati dhe këtë e thonë publikisht. Duke thënë që Shqipëria është një narkoshtet, duke thënë që Shqipëria nuk e meriton”, u shpreh ministrja.

Ajo tha se edhe Presidenti i Republikës u bë pjesë e kësaj loje duke përmendur intervistën e tij për televizionin shtetëror estonez.

“Për fat të keq pjesë e kësaj loje u bë dhe Presidenti i Republikës, ku në median estoneze deklaroi që kryeministri i Shqipërisë nuk e ka qejf demokracinë dhe do të uzurpojë institucionet. Përfytyroni dot ndonjë president shteti që shkon edhe flet me këto terma kundër vendit të tij? Nuk ekziston sepse nuk ka dhe nuk e keni dëgjuar sepse nuk ekziston. Të gjithë këto elementë e kanë bërë rrugëtimin e Shqipërisë shumë të vështirë dhe kjo është një sëmundje shumë e vjetër e politikës shqiptare. Qameti u bëftë vetëm unë të jem në pushtet. U djegtë gjithçka po unë të fitoj kapital politik. Ne nuk e shohim si fitim kapitali politik për qeverinë çeljen e negociatave por si një të mirë të madhe për Shqipërinë dhe një përkthim të vullnetit popullor.

E quajmë një përkthim të vokacionit tonë kombëtar historik për të qenë europian. Ky është qëllimi ynë, gjithçka tjetër ne e zërojmë dhe jemi munduar ta sheshojmë duke mos e bërë pjesë të debatit publik, por këto gjëra duhen thënë siç janë për të ndryshuar politikën për të ardhmen”, deklaroi Spiropali.

(m.k/BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author