Shkarkohet nga detyra kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Aktualitet

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të shkarkojë Zaganjorin, pasi pretendon se ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë.

“Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, subjekti Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme. Ai nuk arrin të justifikojë pasuritë. Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë”, tha relatorja e seancës Albana Shtylla.

Zaganjori nuk mundi të justifikojë shtëpinë, një dyqan, një garazh, një bibliotekë dhe shpenzimet për arsimimin e fëmijëve dhe kjo e ka fundosur.

Ndërkohë vetë kreu i Gjykatës së Lartë, nuk ishte i pranishëm në sallë. Kujtojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë, por Komisioneri Publik e ankimoi këtë vendim për shkak të këtyre pasurive.

Nga ana tjetër, Zaganjori tha se nuk ka probleme me pasurinë dhe se kishte dërguar prova që banesa ishte pronë e bashkëshortes.

‘Unë respektoj ligjin, sepse kështu është formimi im, të gjithë jemi në pritje. Unë thashë në kuptimin e provueshmërisë, unë jap fakte që është ashtu si them unë. Këto lloj situatash vërtetohen, jo më në situata. Shtëpia është pronë e bashkëshortes ndërtuar në 1997, Jetoj në atë shtëpi që prej vitit 1997.Nuk është e lehtë që të gjendet dokumentacioni, për një banesë para 30 vitesh. Gjeta kontratën e sipërmarrjes. Dorëzova fotografi, ku për fat kanë dhe datë. Tregon kohën e saktë të kohës së ndërtimit. Unë mendoj që janë prova, tani do e vërtetojnë ato’, ka deklaruar më parë Zaganjori.