Axhenda e takimeve në Berlin, Rama “kokë më kokë” me Merkel

Aktualitet

Kancelaria e Gjermanisë ka publikuar axhendën e takimeve të kancelares Angela Merkel me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Sipas asaj që është publikuar, Merkel do të ketë takim kokë më kokë me Edi Ramën dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, ndërsa më pas do të nisë takimi me Emmanuel Macron dhe liderët e Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë, si edhe përfaqësuesve europianë.

“Të hënën pasdite, një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Kancelarinë Federale me ftesë të Kancelares dhe Presidentit francez Emmnauel Macron. Fillimisht Kancelarja do të presë kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Me pas Kancelarja do te kete një bisedë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama. Në vijim, Kancelarja do të mbajë një diskutim të shkurtër dypalësh me Presidentin francez Macron, pasuar nga deklaratat për shtyp nga të dy liderët.

Pas ardhjes së Shefave të Shtetit dhe Qeverive të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, do te fillojë takimi i Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e kancelarisë gjermane./Opinion.al