Dështim/ Aeroporti i Vlorës, tender nga fillimi

Aktualitet

 Aeroporti i Vlorës nuk do të ndërtohet nga turqit. Marrëveshja mes konsorciumit turk të tre kompanive ‘Cengiz’, ‘Kalyon’ dhe ‘Kolin Construction’ me qeverinë shqiptare nuk është arritur.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë afati për koncesionin e aeroportit të qytetit bregdetar ka përfunduar e për këtë e ka rihapur sërish garën për çdo kompani tjetër që ka interes.

“Lidhur me aeroportin e Vlorës. Ka përfunduar afati i ligjit për koncesionin e ‘Vlora International Aeroport’ që në shtator të vitit 2018. Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport’ pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës”- thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kontrata e parë e negociuar me kompanitë turke përjashtonte mundësinë e garës për kompani të tjera. Gjithashtu qeveria shqiptare kishte vendosur që të paguante 2.5 milion euro për 7 vite rresht, ndërsa kompania turke kërkonte 31.5 mln euro për të njëjtën periudhë kohore. Tenderi pritet të zhvillohet ndërkombëtarisht për shkak të interesit të madh të investitorëve. 

Kompania që do të ndërtojë aeroportin do të jetë një koncension për 35 vite.
Skema e ndërtimit të aeroportit parashikonte një nivel dysheme të ardhurash vjetore, sipas një formule koncesioni të ngjashme me atë të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës.

Nëse kjo e ardhur nuk do të arrihej nga shfrytëzimi i aeroportit, atëherë qeveria i paguante koncesionarit diferencën nga buxheti i shtetit. Ndërsa Komisioni Evropian ka lajmëruar se do të nisë hetimin mbi koncesionet e aeroportit të Vlorës dhe të linjës ajrore Air Albania.

Hetimet e KE-së, nisin pas kërkesës së deputetit austriak të Parlamentit Evropian (PE), Paul Rübig, përfaqësues i Partisë Popullore Evropiane. Sipas tij, në të dyja rastet e janë shkelur rregullat e prokurimit, të konkurrencës së lirë dhe është shkelur Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

(k.m./dosja.al)