Rama/ Jam i gatshëm për dialog me opozitën.

Aktualitet Politike

Kryeministri, Rama është tërhequr befasisht nga kokëfortësia e treguar deri tani dhe është shprehur sot i gatshëm për dialog me opozitën, me qëllim zgjidhjen e krizës politike.

Rama shkroi sot në mesditë në Twitter: “Plotësisht dakord me delegacionin e BE: Koha që palët të dialogojnë! Reforma Zgjedhore,vota e emigrantëve,votimi, numërimi elektronik, penalitetet e reja për shitblerjen e votës, duhet të na bëjnë bashkë. Kush iku nga Kuvendi, ka ende vend në tryezën e reformës me status të barabartë!”.

Kjo deklaratë erdhi një ditë pas takimit që zhvilloi me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në KE dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Genoveva Ruiz Calavera.

Calavera u takua edhe me përfaqësues të opozitës. Në Twitter, zyra e Bashkimit Europian në Tiranë theksoi: “Është koha që të dyja palët politike të bëhen bashkë për të mirën e vendit. Calavera u takua me përfaqësues të partive politike të opozitës për të shkëmbyer pikëpamjet mbi situatën politike në Shqipëri përpara Raportit Vjetor të Komisionit për 2019-n”.