Vritet ai që vrau babanë
Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e mbrëmshme në ‘zemër’ të Tiranës, pranë sheshit “Wilson”.
Jurgen Kurti, i njohur ndryshe edhe si menaxheri i VIP-ave mbeti i vrarë rreth orës 22.00 pranë banesës së tij, në një ekzekutim mafioz.
Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar nën cilësinë e provës materiale 23 gëzhoja pistolete, çka tregon se Kurtit i është bërë një atentat i mirëmenduar, ndërsa po kthehej në këmbë për në shtëpinë e tij.
Dyshohet se autorët janë dy persona, të cilët e kanë qëlluar nga një makinë tip Benz ngjyrë gri në lëvizje dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira.
Policia ka mundur të sekuestroje edhe kamerat e sigurisë, të cilat janë të shumta për shkak të numrit të lartë edhe të bizneseve në këtë zonë, ndërsa janë shoqëruar deri tani 10 persona, përfshirë edhe familjarë të Agim Arapajt në Durrës.
Ky i fundit u vra në 2017-ën, ngjarje për të cilën u akuzua si i përfshirë 26-vjeçari Kurti, por arriti t’i shpëtonte burgut dhe u cilësua si i pafajshëm nga drejtësia.
Deri tani, policia po heton si pistë kryesore hakmarrjen, lidhur me ngjarjen e dy viteve më parë, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.
Jurgen Kurti, 26-vjeçari që prillin e vitit 2016 u bë i njohur për vrasjen e babait të tij është vënë sërish në pranga për vrasje.
Si i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Jurgeni përfundoi në qeli, por Gjykata e liroi disa ditë më vonë duke e lënë në arrest shtëpie.
Ai u arrestua pas vrasjes së të atit Artur Kurti, të ndodhur më 4 prill 2016, ndërsa u dha arrest me burg për dajën e tij, Leonard Ristanin, që mori përsipër autorësinë e vrasjes.
Një vit pas kesaj ngjarjeje ai u akuzua për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapit.
Mirëpo, 1 vit pas ngjarjes tragjike që i mori jetën babait të tij, ai arrestohet sërish për vrasje. Ai është arrestuar së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen për motive pronësie në Durrës.
Dikur menaxher i vip-ave, Jurgen Kurti do ta shikonte qelinë për herë të dytë, per tu liruar serish, deri mbremjen e sotme.