Letër tim biri Davidit për ditëlindjen e tij të 6!
Nga Arian Galdini
I dashur David,
Ndërsa ju shihja sot ty dhe Martinin që mateshit se kush ishte më i madhi ndër ju, kuptova se ju nuk duhet vetëm ta doni njëri-tjetrin.
Është gjë e mirë edhe të rrokeni e krahasoheni ndër ju.
Shpesh ne prindërit merakosemi më tepër se duhet për tju mësuar vetëm si të duheni si vëllezër, e këtu humbasim fillin e harrojmë tju lemë të lirë edhe të mateni.
Kur Martini u ngjit mbi shkallë plot guxim dhe pushtoi më të lartën, ti nuk u mërzite.
Ti ngjite aq shkallë sa të duheshin për ti treguar vëllait tënd të vogël, se nuk ke nevojë të ngjitesh në majë për tia kaluar e as ta ulësh atë poshtë për ta rrëzuar.
Shkallët ku ti vure këmbët e tua u bënë pikërisht ajo përmasë njerëzore me të cilën më sfidove mua, i shprehe dashurinë Martinit por edhe u mate me të.
Besomë që jam zhytur thellë në mendime prej asaj loje a gare që ti dhe Martini bënit plot rrezik duke u ngjitur mbi shkallë.
Ju rriteni e mua sot për herë të parë mu papunësua vetvetja si një mësonjës për ju.
Madje mësova dhe e ndjej kaq të qashtër se edhe ne të rriturit jemi në matje e rrokje me ju bijtë tanë.
Dashuria nuk mjafton.
Dashuria mund të jetë qëllim, akt, ushtrim, instrument, rrugë.
E megjithatë nuk mjafton.
A nuk jemi ne qenie që e duam aq fort veten derisa harrojmë ta njohim atë?
Kjo ndodh sepse nuk matemi me veten.
E pamundur ta njohim brendinë tonë po nuk u kërleshëm me të.
David, aq shkallë sa ngjite ti sot për tu matur me Martinin, ishin si ekuilibri i përsosur mes dashurisë, matjes, sigurisë, tolerancës, kujdesit dhe dinjitetit.
Sytë e mendjes sime po shihnin një harmoni të vendosur kaq natyrshëm e kaq bukur, saqë vetëm fëmijë nuk mu ngjasuat.
Martini po luftonte të të tejkalonte ty me dëshirën për tu rritur shpejt sepse ai të admiron ty.
E ti, ia le shkallën më të lartë e as nuk u ngjite në shkallën ku gjatësia jote ta kalonte vëllaçkon e vogël.
Qëndrove në lartësinë e duhur për tu ndjerë të dy ju mirë.
Sa vuajmë ne të rriturit nga paaftësia për ta vendosur këtë ekuilibrin e ngjitjes lart pa tejkaluar apo pa rrëzuar të tjerët…
Prandaj, bota ka humbur busullën e saj sepse ne kemi harruar a zhbërë edhe dashurinë edhe përmasën njerëzore.
Ne ose duam ose urrejmë.
Kur duam, verbohemi e nuk e lejojme mendimin kritik, pra krahasueshmërinë.
Kur urrejmë, çnjerëzohemi dhe e asgjesojmë çdo mendim a qëndrim kritik.
Jemi bërë grykësa të tillë saqë kemi përmbysur faktin se jemi të ardhur në këtë botë me pandehmën se bota është e jona.
Pushtojmë e yshtemi të zotërojmë njerëz, prona, fate, para, mundësi dhe nuk kemi ndalje.
Ajo shkalla ku ti vendose të qëndroje pa e tejkaluar Martinin e pa dorëzuar veten, nuk ekziston tek ne të rriturit.
Ne ose dashurinë e kemi bërë pis duke u përunjur deri në skllavëri, ose matjen e kemi shndërruar në lakmi e pacipësi deri në marrëzi.
Këtë momentin e matjes mbi shkallë si fëmijë, e paskërkemi harruar apo ndoshta edhe deformuar.
Këtë lartësinë e ekuilibruar duke lartësuar veten pa ulur të tjerët, e kemi ceposur diku si një mish të huaj që veç shkakton telashe.
Dëshirën për ngjitje personale duke ia dashur të mirën edhe tjetrit e duke mbrojtur dinjitetin tënd dhe të tjetrit njëlloj, e dimë si përallë a mit të krijuar nga filmat e Hollywoodit mbi antikitetin.
Kështu që, mbroje këtë lartësi të ekuilibrit mes dashurisë dhe matjes.
Bëje shkallën ku u ngjite sot si përmasën tënde gjatë gjithë, sepse jo vetëm unë por shumë si unë do mësojnë prej saj.
Kemi të gjithë nevojë ta njohim e kërkojmë si përmasën tonë njerëzore atë lartësi shkalle.
E sheh bir, që me këtë letër më tepër kam reflektuar mbi ç’përpiva prej teje aq thjeshtësisht nga një lojë marroke me tët vëlla Martinin?
Po rritesh e ne të dy si shokët më të ngushtë në botë qê jemi, ia kemi nisur edhe ti japim formë njëri-tjetrit.
Të dua sa bota e do matem me ty sa të kem frymë.
Gëzuar ditëlindjen David Galdini.
Yti,
Babi