Aktualitet

Tmerret komuniste/ Dënojnë me 30 vjet burg në moshën 13 vjeçare, Feti Sadik Turtulli. Dokumenti.

Nga Kastriot Dervishi

Gjatë evidentimit të personave të dënuar me burgim dhe me vdekje gjatë diktaturës komuniste, hasa këto ditë edhe një rast të jashtëzakonshëm, arrestimin e një 13-vjeçari. Më parë kisha hasur raste të dënimeve për arsye politike të moshave 15-16 vjeç. 13 vjeçari Feti Sadik Tutulli, lindur në vitin 1933 në Trebinjë të Mokrës, u arrestua më 15.6.1946. Së bashku me të u arrestua më 27.6.1946 edhe kushëriri i parë 26 vjeçari Irfan Xhelo Çela nga Selcka. Prokuroria e Gjykatës Ushtarake Korçë i akuzonte se ishin bërë anëtarë të Ballit Kombëtar qysh në krijim të tij dhe kishin marrë pjesë në luftime kundër partizanëve. D.th.th, 13 vjeçari që në vitin 1942 ka qenë 9 vjeç ishte anëtarësuar në forumet e Ballit Kombëtar dhe qysh këtë kohë kishte marrë armën kundër partizanëve. Babai i Fetiut ishte njëri prej të vrarëve nga komunistët në masakrën e Dunicës në mars 1944.

Në deklarimin përpara gjykatës ushtarake, 13 vjeçari mohoi të kishte qenë anëtar organizate apo të kishte djegur shtëpi. Në përfundim Gjykata Ushtarake e Korçës e përbërë nga kapiten II Llazi Polena (zëvendëskryetar), kapiten I Agush Gjergjevica dhe kapter Shaban Pogradeci (anëtarë) duke pasur pranë prokurorin kapiten I Misto Bllaci, i deklaroi fajtorë në bazë të ligjit nr.41 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake” dhe me vendimin nr.240, datë 16.8.1946, Irfanin e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa Fetiun me 30 vjet burgim me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtave civile. Gjithë këta ushtarakë të lartë duke u marrë me një fëmijë.

Mbajtja në burg e një 13 vjeçari, apo dërgimi i tij në kampin e Maliqit për të punuar, ishte një turp i madh që shihej e komentohej shumë. U lirua pas 3 vjetësh dekretin nr.819, datë 27.4.1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.33 i listës në Burgun e Korçës). Megjithatë, menjëherë u internua e sigurisht nuk kaloi një jetë të qetë./ 55 NWES.AL/

1946/13 vjeçari që u dënua me 30 vjet burgim, akuzohej se 9 vjeç ishte bërë ballist

Në foto: Feti Turtulli, e shoqja Marie dhe dy djemtë, Pëllumbi dhe Agroni. Fetiu ndërroi jetë në vitin 2006.

Fetiu me të shoqen, Marije. Që të dy nuk jetojnë më. Djali i madh, Pëllumbi, jeton me familjen në Londër. Kurse Agroni është sipërmarrës ndërtimesh në Greqi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?