PDIU zyrtarisht në koalicion me PD. VIDEO

Aktualitet Politike

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet të dielën ka braktisur zyrtarisht koalicionin e majtë.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim 1 orësh me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Në këtë takim, i pranishëm ka qenë edhe ish-Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori.

Pas takimit, dy kryetarët janë shprehur se kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi mes dy partive.

Basha tha se fronti opozitar është zgjeruar me një objektiv të përbashkët për çlirimin e qeverisë nga krimi.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha:

Dua t’i uroj mirëseardhjen partisë PDIU-së dhe liderit të saj Shpëtim Idrizi në frontin e opozitës së bashkuar. Dua t’a ndaj këtë lajm me të gjithë shqiptarët. Opozita është në frontin më të gjërë, më e angazhuar dhe më e fortë. PD dhe opozita e bashkuar kanë sot një mision jetik për çdo familje shqiptare. T’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin. Të largojmë një orë e më parë aleancën e pushtit me krimin. I cili ka zaptuar qeverinë, Parlamentin, institucionet e drejtësisë dhe policinë. Të çlirojmë vendin nga sundimi i bandave. Të ofrojmë vizionin tonë për një Shqipëri me një ekonomi të fortë e të zhvilluar.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë Idrizi njoftoi shkëputjen e koalicionit me PS-në. Pas këtij hapi, kreu i PD-së nga Durrësi, i bëri thirrje PDIU-së që t’i bashkohet nismës së opozitës. Sipas kreut të opozitës, çdo bashkim kundër së keqes, do t’i shkurtonte rrugën qeverisjes së Edi Ramës.

Një ditë më parë, Idrizi tha se nuk e ka problem se në koalicionin e opozitës është edhe PBDNJ.

Nga ky zyrtarizim, ajo çka ngelet për t’u parë është fakti nëse PBDNJ do ta braktisë apo jo këtë aleancë.

Kjo për faktin se marrëdhëniet mes PDIU dhe PBDNJ kanë qenë gjithmonë të ndera. Gjithçka për shkak të asaj çka përfaqësojnë, njëra mbron interesat e çështjes çame dhe tjetra minoritetin grek./Opinion.al