Gentian Çala/ Reportazh nga Gjiri Jalit. FOTO

Aktualitet

Sapo mbaron kthesat marramendëse të Qafës së Llogarasë dhe merr rrugën përtej Dhërmiut, duhet të marrësh në të majtë për të shkuar në Gjirin e Jalit. Pas pak të shfaqet një gji me formën e patkoit ku në shëtitore janë vendosur disa palma shtatlarta, të cilat duken si thumbat e patkoit. Kontaktin e parë e ke me një gurore buzërrugës, e cila duket sikur fle dhe dëshmon se ai vend ka pasur nevojë për inerte në të shkuarën e afërt. Vendi duket krejtësisht i papërshtatshëm për një aktivitet të tillë, po ku pyesin ne për të fituar një grusht parash. Duke arritur për në Gji shkëmbehemi me një eskortë makinash zyrtare, ku disa më thonin se ishte Kryeministri Rama. Dukej sikur po largohej sepse i mbaruan pushimet, por atë ditë fillonte Kampi Social i të rinjve të LRI-së.

Zbresim në vendin që të gjithë e njohin si Jalë, ai ishte i mbushur nga muzika e bareve të vëna në rresht buzë detit, të cilët mu dukën më të shumtë se një vit më parë. Ishte mëngjes dhe deti ta bënte me sy. Të lahesh aty është si në një pishinë me ujë të kristaltë e bërë nga dora e zotit. Gjiri ka dy skaje me ndërtime, në të djathtë qëndron Folia, hotel luksoz, kurse në të majtë disa shkallë gjarpërojnë nëpër shkëmbinj drejt një qendre të pushimit të ushtrisë. Nga pas qëndrojnë malet jo shumë të larta dhe kryesisht të zhveshura, të cilat këmbët i shtrijnë butësisht aty ku fillon gjiri.

Kur pyes për zhvillimin e gjirit kuptoj se ai ka lidhje me dy gjëra: bukurinë e tij dhe turizmin, por jo me pak ndikim në zhvillimin e tij kanë qenë kampet e forumeve rinire politike, ku ai i LRI-së mbante edicionin e dhjetë të tij. Të rinjtë vijnë grupe-grupe nga qytete të ndryshme, duke tërhequr nga pas çantat e tyre. Ata janë të zhurmshëm dhe te dera ka një recepsion pritje që i regjistron. Disa qindra të rinj, gjysma e tyre nga Tirana dhe gjysma nga bashkitë e tjera do të qëndrojnë për pesë ditë, gjatë të cilave u duhet të ndjekin bashkëbisedimet për tema të ndryshme me trajnerët, figura rë rëndësishme të LSI-së dhe medias, do të bëhen pjesë e lojrave të ndryshme dhe të marrin përgjegjësi për bashkëjetesën, duke ndihmuar në shpërndarjen e ushqimit apo në pastrim.

Fotografia e Gentian Çala

Kampi i LRI-së është një ambient modest, krysisht me çadra dhe disa kabina prej druri. Vendi i trajnimeve dhe i ngrënies i ngjan një klase të stërmadhe, ku si strehë i qëndron hija e pemëve. Të rinjtë u duhet që të ndahen në katër parti me emra ngjyrash, ku përzgjedhin drejtuesit, bëjnë programin e tyre politik dhe aktivitete përkitazi me të. Mbrëmja është momenti kulmor ku ata paraqesin aktivitet e tyre, shkëmbejnë mendimet, debatojnë, në një skenë të ndriçuar dhe në një atmosferë të ndezuar nga duartrokitjet. Mes këtij programi ka edhe ndonjë fjalim nga figurat e rëndësishme politike, ku kryefjala është se “të rinjtë janë të rëndësishëm për politikën” dhe se “e ardhmja ju përket atyre”.

Një miku im ishte kritik ndaj kampeve të tilla, duke i quajtur ato si “shkolla partie”, ndërsa unë kam një këndvështrim tjetër. Së pari, shkolla verore bëhen në shumë fusha të edukimit. Së dyti, shkolla verore qoftë edhe politike, është një kohë e kaluar më mirë se sa të qëndruarit në kafene, lloto, apo në çdo aktivitet tjetër kohëvrasës. Fundja, të rinjtë që kanë pasion politikën, që janë të angazhuar duhet të kenë më shumë njohuri. Në këto aktivitete ke mundësi të miqësohesh dhe të zgjerosh rrjetin e shokëve.

E çuditshme, Gjiri i Jalit nuk kishte një qendër shëndetësore, qoftë edhe sezonale. Më kujtoheshin fjalët e Ministres së Shëndetësisë për ngritjen e qendrave shëndetsore në pikat turistike, por aty nuk e pashë një të tillë. Disa pushues vinin dhe kërkonin ndihmë në infermierinë e kampit, pasi kishin dëgjuar se vetëm aty kishte mjek dhe infermier.

Fotografia e Gentian Çala

Një shëtitje nga Gjiri i Jalit drejt një gjiri të vogël të quajtur Akuariumi, ishte përmes një rruge me dhe të kuq, ku përballeshe menjëherë me një gropë të madhe dhe shumë mbetje rreth saj. Një pirg të madh me mbetje gjeje edhe te Akuariumi, ku një banor i zonës fillon më tregon se kishte kohë që mbetjet nuk i merrte kërkush. Me një grup të rinjsh të kampit mblodhëm dhe futëm nëpër qese të gjitha mbetjet, të cilat në kthim i larguam prej aty. Akuariumi është një vend joshës për të rinjtë, por edhe një vend ku mund të lëndohesh me lehtësi në shkëmbinj të thepisur dhe nga gjembat e iriqëve të detit.

Dita ikën shpejt dhe mbrëmja duket po aq e bukur sa mbrëmja me dritat që treten në ujë, kurse shezllonët kredhen në errësirë. Në zhurmën e kampit, mbrëmja ka vend për muzikë apo edhe shëtitje grupe-grupe në breg të detit. Dikush ka marrë edhe kitarën dhe një grup të rinjsh, kryesisht ata korçarë, fillojnë këndojnë serenata.

Fotografia e Gentian Çala

Vjen mbrëmja finale, partitë politike të lojës kanë ethet e garimit dhe të debatit ndërmjet kryetarëve. Spektakli fillon me një fjalim të Znj. Monika Kryemadhi, e cila dukej më e vendosur se kurrë për tu thënë të rinjve disa të vërteta dhe paralelja e hequr me lëvizjen studentore të vitit 90 të bënte të mendoje se ata do të jenë sërisht pararojë e ndryshimit. Ovacione, flamuj shqiptarë dhe të LSI-së. Më pas spektaklit i shtohet Bes Kallaku me humorin dhe këngët e tij. Pas debatit të rinjtë e një partie propozuan këndimin e himnit kombëtar, kurse të rinjtë e një partie tjetër kishin shkruar një tekst, në stilin ushtarak, ku fshikullohej Edi Rama. Në fund entuziazëm dhe muzikë. Të rinjtë e thanë fjalën e tyre, ata dukeshin të vendosur se gjërat duhet të ndryshojnë dhe mesazhin e dhanë mjaft qartë. Më qartë nuk kishte, ata thanë se janë të gatshëm për betejat politike të ardhshme duke na dhënë një mesazh edhe ne më të rriturve.

Fotografia e Gentian Çala

Gjithçka kaloi mirë në pesë ditët në Gjirin e Jalit. Ne do të niseshim herët për shkak të rrugës së gjatë. Drejtuesit e LRI-së ishin ende zgjuar për të na përcjellë, ashtu si dhe disa djem dhe vajza nga Tirana me të cilët të rinjtë u ndanë me lot në sy. Ishin krijuar miqësi të reja! Gjiri Jalit ende flinte, bashkë me të ëndrrat e shumë të rinjve që i kishte bërë bashkë një forum rinor politik.

Të gjithë ishim dakord se kishim kaluar shumë mirë në kampin modest në Gjirit të Jalit.

Fotografia e Gentian Çala
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?