AnalizePolitike

Nga Erl Kodra/ Loja e Kosovës si Game of Thrones

Seriali i famshëm Game of Thrones i ka të gjitha; luftë dhe pabesi pa hesap, intriga, krime dhe përçuda të paimagjinueshme. Në fakt, ky mund të jetë filmi më realist në historinë botërore të filmit. Por koinçidenca është gati fatale, sepse edhe atje, e keqja vjen prej përtej Murit, ku Toka e Veriut dhe krejt Mbretëria rrezikon nga Ushtria e të Vdekurve. Autorët David Benioff dhe D. B. Weiss kanë krijuar kështu nënën e të gjitha sagave njerëzore. Loja e Pushtetit nuk njeh moral. Ajo gllabron jetë, popuj dhe territore.

E nisa këtë kundërshti me tekstin e Rexhep Qoses, sepse ky njeri nuk është dosido, por bash burri me mjekër që shumë shqiptar i besojnë, por më shumë të tjerë tashma e kanë kuptue se pas portretit tejet filozofik, fshihet diçka tjetër; një bashkëjetesë të çuditshme e cinizmit, hakmarrjes dhe meskinitetit njerëzor, paçka se mjekra e kuruar dhe flokët e bardha janë tipare të një eruditi të pashoq. Po, Rexhep Qosja është njeri i ditur.

Ngjarjet janë në zhvillim e sipër, e bash për këtë arsye është disi e vështirë, përveç protagonistëve, të shohësh qartë se çfarë po luhet nën rrogoz. Por për këtë na vjen në ndihmë historia njerëzore, e vjetër dhe e re. Për më tepër, që sot u shpreh edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, njëri ndër heronjtë e gjallë të Luftës së Kosovës, i burgosur dy herë nga Gjykata e Hagës, dhe dy herë i shpallur i pafajshëm, i cili tha pak a shumë kështu:

“Kufijtë caktohen me luftë. Lufta e Fundit përcaktoi kufijtë e sotëm të Kosovës”.

Kosova është vërtetë shtet i ri, por ama është shtet i pavarur, ku Kushtetuta përcakton se Kosova është Republikë Parlamentare. Me këtë nuk mund të thuhet se Presidenti nuk ka rolin e vet, por me siguri që nuk e ka fuqinë kushtetuese, ligjore, por edhe legjitimitetin dhe forcën që t’i imponohet vullnetit të shumicës, për më tepër të shumicës së popullit shqiptar.

Megjithatë, duke lënë mënjanë për një moment të gjitha dyshimet dhe dilemat, është e udhës të sillen shembuj nga historia.

Joshua Keating, shkrimtar për çështje ndërkombëtare dhe autor i librit “Vendet e padukshme” shkruan (30 Dhjetor 2015):
“Dy vende shkëmbejnë territorin pa u vrarë me njëra-tjetrën. Shikoni, e gjitha nuk ishte edhe aq e vështirë!
Hollanda dhe Belgjika më në fund mund të zgjidhin një mosmarrëveshje gjeografike absurde 172 vjeçare, raporton AP, dhe e gjithë kjo, pa vrarë njëri tjetrin. Presqu’ile de l’Islal është një gadishull i vogël me pyje që futet në lumin Meuse në jug të qytetit holandez të Mastrihtit dhe ka qenë zyrtarisht territor belg që në kohën kur kufiri midis dy vendeve u vendos në 1843, pavarësisht faktit se ajo qëndron në anën holandeze të lumit”.

Por këtu bëhet fjalë për dy shtete europiane, që janë në zemër të Bashkimit Europian. Shembulli i mësipërm mund të jetë ndër të rrallët në historinë e njerëzimit. Përjashto raste krejt sporadike, që janë realizuar në kushte dhe rrethana specifike, por në çdo rast në kuadër të raporteve të forcës dhe interesave të veçanta të palëve në marrveshje.

Në të gjitha rastet e tjera, historia e njerëzimit njeh vetëm Luftën si instrument, ku përballë gjenden dy palë; Pushtesit dhe Çlirimtarët. Ashtu siç e tha sot edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Lufta e Fundit përfundoi me çlirimin e Kosovës në kufinjtë e sotëm. Këta janë kufinjtë e Pavarësisë së Kosovës, kufinjë të cilët i njohin mbi 100 vende të botës, duke përfshirë Anglinë, Francën, Gjermaninë, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trajtimin nga pozitat e të drejtës ndërkombëtare e ka bërë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Për shumkënd do të ishte lajthitje të përpiqej edhe të “diskutonte” për sport një vendim të tillë, që e njeh përfundimisht legjitimitetin e Aktit të Pavarësisë si një e drejtë e patjetërsueshme e popullit të Kosovës. Kosova është e njohur nga kjo Gjykatë në Kufinjtë Ekzistues. Ky vendim është Juridikisht i Mbrojtur nga e Drejta Ndërkombëtare. “Korrigjimi i kufinjëve”, duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, me një shtet armik i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe punon natë e ditë kundër saj, do të sillte komplikime të rënda juridike, të cilat mund të rezultojnë fatale për të ardhmen e Kosovës.

Në planin tjetër, atë që rëndomë thirret si “Kutia e Pandorës”, ky korrigjim kufinjsh do të ishte precedenti më i rrezikshëm për krejt stabilitetin, jo vetëm të rajonit, por të Europës, dhe sigurisht, edhe në një rrafsh tejet të gjerë, siç është stabiliteti global. Akoma nuk ekziston një shtet i vetëm në botë që është i pastër etnikisht, që nuk ka patur ose nuk ka “pretendime” për rajone, qytete dhe krahina të ndryshme, që nuk janë bërë luftra dhe derdhur gjak për pushtimin ose mbrojtjen e tyre. Fund e majë historia e njerëzimit është e mbushur me luftra, fundja, të gjitha luftrat janë bërë dhe bëhen për territore. Në këtë kuptim, hapja e këtij diskutimi, do të sillte padyshim një luftë të re, por tashmë me një shtrirje të atillë, që mund të pëfshinte dy ndër superfuqitë e planetit tokë, ShBA-të dhe Rusinë.

Zakonisht, “mbrojtja e të pambrojtshmes” është një punë e vështirë dhe fort e ulët. Prej këtej rrjedh edhe postulati zakonor “të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt”. Ngado që ta marrësh, Presidenti Hashim Thaçi e ka gabim. Madje, mund të thuhet se me këmbënguljen e tij, ai po kalon në faj të rëndë kundër Kosovës, duke e kthyer diskutimin për legjitimitetin e tërësisë territoriale të saj, duke e kthyer diskutimin për Pavarësinë e saj, duke e zhbërë edhe Pakon e Presidentit Martti Ahtisaari, mbi të cilën është ngritur themeli i Pavarësisë së Kosovës. Në atë paketë Kosova i ka bërë kompromiset e veta plot dhimbje. Ndaj Kosova nuk duhet dhe nuk mund të sakrifikojë më. Boll është boll.

Ndërsa fillova të shkruaj këto rradhë, po përpiqesha të gjeja një përkufizim të arsyeshëm për Rexhep Qosen. Përkufizim në kuptimin për ta justifikuar tekstin e tij, për t’i nxjerr atyre fjalëve një kuptim sadopak të arsyeshëm dhe kombëtar, se kushedi ne, të gjithë shqiptarët që nuk jemi në një mendje me Presidentin Hashim Thaçi, mund ta kemi gabim, dhe ai mund të ketë të drejtë. Por fatkeqësisht, të gjitha “kuptimet” shpërbëheshin pa u krijuar, si rëra. Fjalë që nuk u gjenë një vegjë për t’i kapur.

Më poshtë keni “esencën” e tekstit të akademikut Rexhep Qosja, publikuar ne dritare.net

“Ata që po merren me çka u tha më sipër do të duhej që më në fund të dinë se faktorët e mëdhenj ndërkombëtarë zakonisht nuk i kundërshtojnë pajtimet mes dy shteteve e dy popujve qoftë edhe kur me to preken disa parime të përgjithshme që ato politikisht i mbrojnë.

Ata qe po merren më çka u tha më sipër, në mënyrë te vecantë ata që po predikojnë retorikën e korrigjimit të kufirit, domethënë të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, do të duhej të dinë se faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës.

Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njërën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale (si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”.

Fotografia e Erl Kodra
Fotografia e Erl Kodra
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?