Linja ‘Air Albania’/ Lidhjet dhe misteret e një projekti të errët, Rama-Erdogan

Aktualitet

Ditën e sotme është njoftuar, se në kompaninë ‘Air Albania’ e pompuar aq shumë nga Edi Rama për publikun shqiptarë, ka pasur lëvizje të forta shit-blerje të aksioneve.

Sipas asaj që raporton revista e profilizuar në çështje ekonomike, ‘Monitor’, një nga 3 ortakët e të ashtuquajturës kompanie parë shqiptare ajrore, MDN Investment, me pronar Sinan Idrizi ka shitur, 77% të aksioneve të veta.

Pas disa udhëtimeve dhe takimeve të kryeministrit, Edi Rama, në Turqi me presidentin Erdogan dhe drejtuesin e ‘Turkish Airlines’, shoqëruar edhe me një fushate të fortë promovuese, më 16 maj 2018, nëpërmjet një akti të vetëm ligjor dhe formal, qeveria shqiptare me Vendimin 309, urdhëroi krijimin e kompanisë ‘Air Albania’ me pronësi kompanitë ‘Albcontrol sha’, ‘Turkish Airlines’ dhe ‘MDN Investment shpk’.

Por përpara këtij vendimi, vetë kryeministri kishte shpallur në mënyrë absurde, rekrutimin e personelit të kompanisë në faqen e tij në FB.

Projekti i dyshimtë, Rama-Erdogan

Urdhri i qeverisë përcaktonte, se ortakët shqiptarë, ‘Albcontrol’ dhe ‘MND Investment’, duhet të kenë shumicën e aksioneve, pra të paktën 51 për qind, kurse aksionet duhet të përcaktoheshin në negociata mes palëve dhe ashtu u bë. Realisht kompania “Air Albania”, ende nuk është regjistruar apo licencuar për veprimtarinë që pritet të kryejë, duke mbetur në kuadrin e një projekti personal të kryeministrit Rama me mikun e tij Rexhep Erdogan.

Por pavarësisht se ekzistenca e “Air Albania” lidhet vetëm me një copë letër-vendim të qeverisë, edhe pse ajo ende nuk ka as zyra e jo më të jetë gati për të nisur fluturimet e premtuara brenda kësaj vere, pra ende pa nisur punë, aksionet e pjesëtarit privat, papritur rishpërndahen.

Sipas njoftimeve të fundit, ortaku i vetëm i kompanisë “MDN Investment”, Sinan Idrizi, i emëruar pa asnjë garë në këtë sipërmarrje shtetërore të tipit PPP, papritur ka vendosur që të kalojë në favor të tre personave të tjerë, pjesën më të madhe të aksioneve të kompanisë së tij. Rreth 23% e tyre kanë kaluar në emër të Ron Yeffet, kurse nga 27% të tjera të paketës janë kaluar në emrat e Najada dhe Reajana Idrizi.

Faktikisht nuk ka një kohë të saktë, se kur Edi Ramës i lindi ideja e projektit, por ai foli për herë të parë për të në publik gjatë një interviste më 30 mars të vitit 2017.

“Ne kemi një plan të themelojmë një kompani ajrore që si bazë do të ketë Shqipërinë, një kompani ajrore shqiptare në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe kompaninë ajrore AtlasGlobal”, shpalli ai për herë të parë planin e tij që më pas doli se e kishte detajuar së bashku, me mikun e tij të ngushtë Erdogan.

Një javë më vonë, më 8 maj 2017, Edi Rama, priti Drejtorin Ekzekutiv të “Turkish Airlines”, Ilker Ayci, në zyrën e tij dhe të dy dhanë një prononcim para mediave, ku shpallën publikisht projektin për krijimin e linjës ajrore shqiptare në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe nën kujdesin personal të presidentit turk.

“Me Zotin Ayci diskutuam për projektin që kam bërë me dije më parë, për ngritjen e një linje të re ajrore shqiptare, e cila ka nisur të projektohet falë mbështetjes së posaçme të Presidentit Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të Turkish Airlines”, deklaroi plot krenari atëherë Rama.

Po në të njëjtën dalje për këtë çështje, Rama tha gjithashtu, se krijimi i kompanisë ajrore është pjesë e një nisme më të gjerë, e cila përfshin edhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës, sërish “me mbështetjen e Presidentit Erdogan”.

Historia e aeroportit të Vlorës njësoj si ajo e “Air Albania”, duket se shkon në të njëjtën gjurmë dhe janë të ndërlidhura sipas dyshimeve, me një projekt gjigant të pastrimit të parave.

Ortakët e emëruar të “Air Albania” dhe misteri që e rrethon

“Air Albania” do të jetë një projekt publik-privat-publik, me partnerë një kompani në pronësi qeveritare turke, një kompani në pronësi qeveritare shqiptare dhe një kompani private.

“Albcontrol sha” është kompani në pronësi të qeverisë shqiptare e cila menaxhon hapësirën ajrore të Shqipërisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të fluturimit. “Turkish Airlines” është një nga kompanitë ajrore më të mëdha në botë, e cila ka si aksionier kryesor qeverinë turke, me 49,12%, ndërsa 50,88 për qind të aksioneve janë në pronësi si aksione të tregtuara në bursë. Kompania tjetër, “MND Investment shpk” është kompani private shqiptare, e krijuar vetëm 2 muaj pasi Edi Rama hodhi idenë, më 7 maj 2018, dhe vetëm nëntë ditë përpara vendimit të qeverisë, që e bëri atë ortake në “Air Albania”.

Asnjë njoftim publik, asnjë ftesë për biznesmenë të tjerë të huaj apo vendas nga qeveria shqiptare për të marrë pjesë dhe konkurruar për të qene pjesë dhe investitor të “Air Albania”, nuk u bë gjatë këtij operacioni në pamje të parë, PPP.

Por edhe sot nga qeveria shqiptare dhe Autoriteti ‘Alb-control’ si ortake dhe përgjegjëse e procedurave, ende nuk ka asnjë të dhënë ekonomike, financiare apo teknike në lidhje me projektin “Air Albania”.

Nuk ekziston për publikun asnjë dokument qeveritar, qoftë studim, analizë apo çfarëdo dokumenti tjetër rreth projektit dhe investimit të pritshëm, përveç vendimit të qeverisë që emëron tre ortakët.

Në 8 maj 2017, drejtori i “Turkish Airlines”, Ayci u shpreh se kompania po kryente një studim fizibiliteti, por ky studim nuk u bë kurrë publik. Nuk ka asnjë informacion, se sa është kostoja totale e investimit fillestar për fillimin e punës, cili do të jetë kontributi respektiv i aksionierëve, kush do të mbulojë financimin e operacioneve të fluturimit deri në momentin që kompania mund të mbulojë kostot, etj, etj.

Kush është njeriu “enigmatik”, Sinan Idrizi?

Kompania e Sinan Idrizit, e cila u vendos personalisht nga Rama dhe Erdogan si pjesë e rëndësishme e “Air Albania” deklaroi një kapital qesharak themeltar, prej rreth 100 mijë euro dhe ishte në pronësi të plotë të tij. Por kush është ky i fundit, çfarë biznesesh ka dhe përse Edi Rama zgjodhi pikërisht atë, për ti falur një copë të madhe nga projekti që pritet të gjenerojë dhjetëra miliona euro në vit?

Idrizi është një emër, krejtësisht i panjohur për biznesin publik shqiptarë. Ai rezulton, pa asnjë aktivitet në Shqipëri. Gjithashtu vetë Idrizi nuk ka deklaruar dhe as pas kërkimeve nëpër burime të hapura, nuk figuron të ketë ndonjë biznes në ndonjë shtet tjetër të botës. Pak kohë më parë në disa dalje publike, ai ka thënë në tym (asnjë të dhënë konkrete, apo referencë), se ka lidhje biznesi në Turqi, ku ka jetuar për shumë vite përpara se të kthehej në Shqipëri në vitin 2014, menjëherë pasi PS fitoi zgjedhjet.

I vetmi aktivitet “biznesi” që publiku shqiptar e lidh me emrin e tij është fakti, se që nga viti 2014 Idrizi është një nga pronarët dhe administrator i Klubit të Futbollit Flamurtari. Sidoqoftë, askush nuk e di se nga vinë paratë me të cilat ai financon me humbje ekipin e Flamurtarit, i cili në merkaton aktuale, po bën shpenzime maramendëse duke parakaluar edhe ekipet me financa të mëdha të mbështetur nga biznesmenë të mëdhenj, të Superligës shqiptare.

Gjithashtu ai është bërë “i famshëm”, sepse si president i Flamurtarit, u dënua në muajin maj 2018 nga Federata Shqiptare e Futbollit për të mos marrë pjesë për 16 muaj në asnjë aktivitet sportiv, për ushtrim dhune ndaj një gjyqtari.

Nëse bën një kërkim të shkurtër në Google, ajo që bie në sy është se Sinan Idrizi ka qenë i pranishëm në disa takime e presidentit turk Erdogani me drejtorin Ekzekutiv të “Turkish Airlines”, Ilker Ayci, të zhvilluara shumë më herët se Edi Rama, të hidhte idenë e krijimit të “Air Albania”.

Ngelet mister, por njëkohësisht është edhe një gjurmë për tu hetuar nga organet ligj-zbatuese, pasuria e Idrizit dhe veçanërisht arsyeja se përse kryeministri Rama dhe presidenti Erdogan, zgjodhën pikërisht Idrizin që të jetë ortak me dy kompanitë respektive shtetërore, “Albcontrol sha” dhe “Turkish Airline”.

Cila ishte arsyeja që Edi Rama përfshiu në këtë projekt historik, siç thotë edhe vetë, “MND Investment” të Idrizit, kur kjo ishte një kompani e posa krijuar, pa kapital dhe pa asnjë përvojë në çdo fushë biznesi, e aq më pak në fushën e transportit ajror?!

Gjithë ky “mister” shtohet edhe më shumë nga tërheqja e papritur nominale e Sinan Idrizit, nga “Air Albania” si aksionier i vetëm i një prej 3 kompanive që kanë marrë koncesionin PPP, ende pa nisur puna.

Kjo tërheqje formale (aksionet kalojnë në Turqi dhe në rrethin familjar) duke u rikthyer në hije, prapa perdes, a ka lidhje me misterin e pasurisë së tij dhe lidhjet okulte në Turqi?



© SYRI.net