Tepelenë/ Skandal seksual në shkollë

Aktualitet

Një mësues i kaluar në moshë në prag pensioni, ka abuzuar seksualisht me nxënësen e tij minorene, banore e fshatit Luftinjë, pjesë e Bashkisë së Memaliajt. Mësuesi 63-vjeçar pas denoncimit që i është bërë nga familja e vajzës së mitur është arrestuar.

Ndërkohë që Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, këtë ngjarje e ka mbajtur tërësisht të fshehtë çka ka bërë që Report TV, të hulumtojë dhe të nxjerrë në dritë gjithë ngjarjen e ndodhur të rrëfyer nga prindërit e vajzës 11 vjeçare të abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj.

Në deklarimin përpara kameras së Report TV, dy prindërit e vajzës 11-vjeçare të dhunuar seksualisht rrëfejnë momentet kur mësuan abuzimin që kishte kryer ndaj vajzës së tyre, mësuesi 63-vjeçar, me të cilin janë bashkëfshatar. I ati i vajzës 11-vjeçare ka ngelur i shokuar kur ka mësuar përmes gruas së tij ngacmimet seksuale që i kishte bërë të bijës, mësuesi.

Ai dhe bashkëshortja e tij kanë mësuar gjithçka pas një telefonate anonime të kryer në telefonin e shtëpisë të shtunën e kaluar. Kjo thirrje në telefon ka qenë informuese për abuzimet që ka kryer mësuesi ndaj të miturës, nxënëse e klasës së pestë. Pas kësaj, i ati i vajzës ka gjykuar që këtë çështje ta ndjekë në rrugë ligjore.

Ndërkaq e ëma e vajzës së ngacmuar seksualisht, e thellon akoma skandalin, duke pranuar se mësuesi i fshatit, ka lënë gjurmë në abuzimet seksuale në dëm të së bijës.

Mësohet se mësuesi ngacmimet seksuale i ka kryer në ambientet e shkollës nën presion psikologjik dhe dhunë. Prindërit e vajzës së dhunuar kanë kërkuar ndëshkimin e abuzuesit të vajzës së tyre ndryshe këtë çështje do ta zgjidhin me vetëgjyqësi.

Vajza 11-vjeçare prej një jave qëndron e mbyllur në një dhomë në banesë dhe nuk preferon të komunikojë me askënd përveçse me të ëmën. Ajo ka pësuar një goditje psikologjike dhe nuk dëshiron më as të ndjekë shkollën. Kujtojmë se një rast i tillë i ngjashëm ka ndodhur edhe një muaj më parë në fshatin Kalasë të Sarandës, ku mësuesi abuzonte seksualisht me nxënëset e tij.