Nga Agim Xhafka/ Gaztori Xhafaj

Aktualitet Te tjera

Nëse të bie rruga nga Blloku do shohësh me siguri Benin. Është një person rreth 40 vjeç. I dobët,ecën ngadalë e pakëz anuar,me siguri nga ndonjë problem shëndetësor,mban në dorë një kuti kartoni me cigare e qesh me këdo. Kur i flasin u kthen përgjigje të shkurtra se kuptohet që ka ndonjë defekt fizik,nga që fjalitë i lëshon me rrokje.

Benin e duan të gjithë. Bile ca, që ta ndihmojnë,i blenë 3-4 paketa cigare.

-Bli një, -u thotë Beni, -se do vij prapë nesër.

M’u kujtua mbrëmë, kur po shihja Saimir Tahirin si po tallte koqet me shtetin shqiptar, kur më ra zilja e celularit.

-Kanë arrestuar Benin, -dëgjova. -Benin që shet cigare. Për kontrabandë dhe grup të strukturuar kriminal.

Edhe u mërzita, edhe u nxeha, edhe qesha. Shtet komik me një ministër gaztor e një kryeministër ekranaxhi. I miri Beni po të jetonte në Evropë do kishte ndihmë në para, në shëndetësi, në përkujdesje. Se është i pamundur. Nuk fiton zanat e fuqi, ndaj shoqëria e mban në gji me pekule. Tek ne, tek vendi i shqiponjave i sulet policia shqiponjë, e rrëmben, e fut në qeli pa pyetur cili është e çfarë shëndeti ka. Nuk do jetë çudi kur të akuzojnë këto ditë ndonjë memec se shau ministrin apo ndonjë sakat se i iku policisë me vrap.

Ndërkohë në ekran shoh Tahirin që qesh e tallet. Që kishte një makinë, gjasme e shiti, ua dha kushërinjve, lekët e makinës nuk ia derdhën me bankë se ia merrte Zeni nga që ka fituar gjyqin për shpifje. Tetë shkelje ligji nga një karagjoz me syze. E qesh e qesh banditi deputet. Beni futur në qeli si zogu i pyllit i porsa kapur. Futur në kafaz. Rri plot frikë, zëri i ka ngelur jashtë. Në tru ka frazën që i shqiptoi polici: “Je grup i strukturuar kriminal!”

Ai nuk e kupton. Do veç të ikë nga burgu e të mbajë kartonin në dorë. Se shteti ynë e çoi atje, nga që ushqen derrat, zogjtë i merr nishan dhe i vret…

E ja qershia mbi tortë. Nuk u besoj veshëve: “Po japim lajmet. Policia sot kreu aksionin Cigarja. U arrestuan 13 persona me akuzën…”

Tamam 13 bataliona në 8 kamiona. O qeveri të hëngërt dheri! Dhe e ke pak.

Jam ende me frikë për Benin. Ka tre ditë që “GULF” u ka marrë njerëzve miliona euro, u ka lënë ca tallona në dorë dhe ka çarë ferrën. Po sikur, qoftë larg, ministri të urdhërojë:

-E keni që e keni atë Benin brenda në qeli. Futini edhe mashtrimet e vjedhjet e naftës dhe mos harroni çojuani televizioneve si lajm. Që të gëzohet populli, ta kalojë fundjavën me gaz e hare!