Kokëdhima/ Përmbysja e Ramës është legjitime
Kreu i Partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima ka reaguar lidhur me tarifën në Rrugën e Kombit vendosur nga qeveria Rama është ndër më të lartat në Europë, sepse reflekton nivelin e lartë të korrupsionit shtetëror. Protestat për Rrugën e Kombit, në Kukës e në Tiranë, në thelb janë reagim i zemërimit të një populli të shtypur, të varfër, të braktisur e të harruar, shprehet Kokëdhima. Duke cituar filozofin John Locke, kreu i “Zgjidhjes” thotë se: “Për sa kohë vazhdon kjo situatë ‘përmbysja e qeverisë nga populli, me anë të kryengritjes n.q.s. është e nevojshme, mbetet një rrugëzgjidhje e legjitimuar’”.
“Protestat në Rrugën e Kombit, në Kukës e në Tiranë, në thelb janë reagim i zemërimit të një populli të shtypur, të varfër, të braktisur e të harruar. Qeveria është e tmerruar nga rebelimi i mundshëm i popullit të shtypur e të përbuzur. Rama e kupton se shpërthimi i kuksianëve mund të zgjojë dhe të çlirojë nga frika gjithë popullin. Revolta e tyre është revoltë kundër tiranisë. Protestuesit mund të quhen si të tillë vandalë dhe barbarë aq sa mund të quhen kështu Volteri e Rusoi. Protesta e kuksianëve është një shërbim i madh ndaj popullit tonë për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e tij kundër sundimit të elitës së korruptuar që është sjellur me këtë popull më keq se shumica e pushtuesve të huaj në histori”, shkruan mes të tjerave kreu i Zgjidhja në një koment të gjatë për këtë çështje.