“Lobimi rus” për Bashën? Ambasada Ruse: Materiali një trillim krejtësisht absurd

Aktualitet

Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar pas lajmit të publikuar në media ku një investigim nga “Mother Jones” fliste për lidhjet e  Lulzim Bashës me Rusinë dhe financimin e kryedemokratit në Uashington.

Ambasada ruse thotë se ky material është një trillium I radhës dhe i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme.

Sipas ambasadës ruse qëllimi është “të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë”.

Në mediat shqiptare ditën e djeshme qarkulloi lajmi se një kompani me lidhje ruse kontraktoi një ish-ndihmës të presidentit Donald Trump për të forcuar Partinë Demokratike të Shqipërisë në Uashington duke paguar shifra të larta parash.

Reagimi i plotë i Ambasadës Ruse

Kemi vënë re një artikull të publikuar më 6 mars në uebsajtin e revistës amerikane “Mother Jones” dhe të ribotuar nga disa gazeta shqiptare, për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet parlamentare të 2017-s në Shqipëri.

Materiali në fjalë përbën një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë.

Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë.

Theksojmë se ndryshe nga disa vende perëndimore, Rusia i përmbahet fort parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Konfirmojmë edhe një herë gatishmërinë për komunikim dhe bashkëpunim të hapur me të gjitha forcat politike të Shqipërisë në interes të përparimit të dialogut dypalësh.

Shpresojmë gjithashtu që mendimi i autorëve amerikanë nuk përkon me qëndrimin e redaksive të mediave shqiptare, të cilat e kanë ribotuar artikullin e lartpërmendur. (B.H/Faxweb)

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?