Nga Dritan Laçi/ Skënderbeu apo “Hamzai” pa kalë i futbollit shqiptar

Analize Te tjera

Ditët e fundit në opinionin sportiv është rikthyer edhe njëherë në vëmendje çështja e titullit kampion të mbetur pezull për sezonin 2015-2016 të fituar nga Skënderbeu i Korçës e më pas i evokuar gati 6 muaj më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Titull, që bazuar në vendimin e Komisionit të Disiplinës në FSHF, sipas meritave sportive duhet t’i kalonte Partizanit, si ekipi i renditur i dyti në përfundim të garës sportive.

Atë që me ngulm kanë kërkuar dhe e po e kërkojnë në vazhdimësi drejtuesit e Partizanit, të cilët kanë të gjithë legjitimitetin ta kërkojnë një trofe të tillë përsa kohë organi më i lartë i futbollit në Shqipëri ka dalë në një vendim ku citoj: “Komisioni i Etikës në bazë të nenit 17 e 18 vijues të Kodit të Etikës dhe neneve 16, 68/2, 134 e vijues të Kodit të Disiplinës Sportive vendosi deklarimin fajtor të Klubit Sportiv ‘Skënderbeu’ për komplotim në influencimin e rezultateve të ndeshjeve në kundërshtim me etikën sportive për sezonin 2015-2016 – Heqjen e titullit kampion për sezonin 2015-2016 – Dënimin e KF ‘Skënderbeut’ me gjobë në masën 2 000 000 (2 milionë lekë); dënimin e KF ‘Skënderbeut’ me zbritjen e 12 pikëve nga klasifikimi për sezonin 2016-2017. Kundër këtij vendimi lejohet ankimim sipas nenit 18 të Kodit të Etikës. U shpall sot më Tiranë 23.06.2017”. Deri këtu çdo gjë duket e qartë si kristal, por ajo çka pason nuk ka lidhje me fair play-n e garës. Dhe e gjithë kjo mjegullnajë krijohet nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit, që e ka futur veten me dashje apo për shkak të paaftësisë dhe kulisave të ngushta të interesave ku është përfshirë, në një sherrnajë nga ku tashmë ose nuk di si të dalë, ose e mban qëllimisht të trazuar për qëllimet e saj, që diku u fle lepuri. Faktet janë aty dhe gjithkush mund t’i analizojë.

Edhe pse në opinionin tim personal në momentin kur gara sportive dhe për rrjedhojë edhe fituesi i garës nuk ka dalë i tillë si meritë e garës sportive, automatikisht kampionati duhet të ishte nul, në rastin konkret federata duhet t’i përmbahet një vendimi dhe rregulloreje të Komisionit të Disiplinës, që mban datën 23 qershor 2017. Përse nuk e bën? Mund të aludonim për shumë shkaqe, por do të ishte në nderin e saj që të jepte një përgjigje. Dhe këtë përgjigje kjo federatë ia ka detyrim çdo anëtari të saj. Për më shumë, një ekipi si Partizani, që është pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar. Mendoni pak, ku ndodh, në cilin vend, që federata të injorojë anëtarët e saj. Ku ndodh që federata t’i shikojë anëtarët e saj vetëm si kartonë për vota, ca si të njerkës sa si të nënës. Rasti i mësipërm mund të mos i japë të drejtë Partizanit në çështjen e fitimit të titullit kampion në tavolinë, por të kesh një sjellje të tillë ndaj një ekipi si Partizani, këtë mund ta bëjë vetëm kjo federatë. Mendoni çfarë mund të kishte ndodhur në Spanjë, Itali, apo gjetkë sikur Liga Profesioniste në vendet përkatëse të kishte një sjellje të tillë ndaj Barcelonës, Realit, Milanit, Juventusit e me radhë.

Një koleg gazetar, në një koment në “Gazetën Shqiptare” e quante kërkesën e drejtuesve të Partizanit drejtuar Federatës si një sjellje të frustuar për shkak të mungesës së trofeve në 25 vitet e fundit. I dashur koleg edhe ti vetë je i ndërgjegjshëm që është më e vështirë të zbresësh nga maja e Partizanit se sa të rrekesh të krijosh një ngjitje imagjinare në një majë që nuk ekziston si ajo me emrin Skënderbeu në futboll. Kjo kuptohet, sepse historia është Partizani dhe jo Skënderbeu, si për mua, si për ty që futbollin nuk filluam ta shikojmë në vitin 2010. Vetëm ti mund të thuash frustim për Partizanin. Unë nuk po merrem aspak se si Skënderbeu i fitoi kampionatet e para, sepse mesa duket, vetëm ti mund të besosh që një ekip që ishte drejt rënies nga kategoria, flas këtu për sezonin 2009-2010 papritur iu ngjall kali dhe çau malet drejt zonës së shpëtimit, duke fituar edhe aty ku as nuk e ëndërronte të fitonte në dy fazat e para. Po kështu, vetëm t’i mund ta besosh Skënderbeun pa kalë të futbollit të sezonit 2011-2012, kur në ndeshjen e fundit në Vlorë sa nuk u bë nami me atë që ndodhi. Po kështu, edhe me rivalitetin me Teutën e Durrësit një sezon më pas dhe shumë e shumë mëkate. Ti je merakosur shumë sepse në drejtimin e Partizanit ka ardhur Olsi Rama. I dashur koleg po ta merrja në revistë nderi tribunën e ekipit pa kalë të Skënderbeut, të siguroj që nuk do ishte kaq emocionuese përmendja e tyre një për një. Të paktën Olsi Rama nuk është akoma president i Federatës së Futbollit aq sa të mos i përmbajë emocionet kur luan Skënderbeu.

Olsi Rama, i dashur koleg është i përkohshëm te Partizani. Si çdo qenie njerëzore kalimtare në këtë botë, edhe ai do kryejë ciklin e tij, por emri i Partizanit do rrojë edhe pas ikjes sonë nga kjo jetë. Santiago Bernabeu, që ti e njeh shumë mirë është një mit te madrilenët për atë që ka bërë për Realin e Madridit në vitet ‘50-‘70, por lidhja e tij si bashkëpunëtor me Frankon nuk i heq asnjë meritë sportive emrit të tij. Unë do të dëshiroja shumë që mendimet e shprehura rreth Partizanit të mos ishin pjellë e zilisë së zakonshme që shoqëron rrethin sportdashës të periferisë që gjithmonë ka vuajtur nga ideja e përndjekjes, që mendon se i është kthyer në një padrejtësi, që tashmë duhet ta ketë si kalë revanshi. Nuk e bën dot me Partizanin këtë i dashur. Partizani është pasuri kombëtare jo ekip me njerëz të frustuar. Partizani është kampion i Ballkanit. Ka nxjerrë sa e sa futbollistë të shquar. Ka në palmaresin e tij mbi 30 trofe.

Ka tifozët më të zjarrtë në mbarë Shqipërinë dhe jashtë saj. Është ndeshur në kulmin e tyre me ekipe si Torino, Celtik Glasgou, Fyenoord, Austria e Vienës, Benfika etj., etj. dhe ti e di fare mirë se sa të vështirë e kanë pasur këto ekipe për ta eliminuar. Po kaq krenar na ka bërë edhe Tirana, Flamurtari, Dinamo, Kukësi etj. Kështu që i dashur koleg para se të krijosh mitin e kalit të ri të Skënderbeut, përpiqu të ndalësh revanin dhe të kuptosh që ‘Hamzain’ e trukuar të futbollit modern shqiptar nuk e shpikën tifozët e Partizanit, as drejtuesit e Partizanit. ‘Hamzain’ që shiti nderin e futbollit shqiptar e ke në vendimin e UEFA-s që e dënoi me përjashtim nga Champions League, për trukim ndeshjesh. Ata e gjetën aty mes nesh. E ke në vendimin e Federatës së Futbollit shqiptar. Nëse ne ndihemi të frustruar sepse ti ndihesh krenar për këto arritje, po kjo ka të bëjë me cipën e humbur të nderit që ne kërkojmë t’i vendosim futbollit të çnderuar shqiptar.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?