Gazetarja Alida Tota fiton gjyqin/ Ja sa dëmshpërblim ka vendosur gjykata

Aktualitet Te tjera

U shkarkua nga pronari, gazetarja Alida Tota fiton gjyqin, ja sa dëmshpërblim ka vendosur gjykata

Gazetarja Alida Tota, drejtoresha e informacionit në A1 News, një televizion i mbyllur për shkak të financimeve, ka fituar pjesërisht gjyqin me administratorin e këtij televizioni, Neritan Gjojdeshi.

Ky i fundit është renditur edhe tek 100 emrat në listën “e zezë” të korrupsionit që u publikua në faqen zyrtare të kryeministrit Edi Rama. Gazetarja Tota, u shkarkua nga puna, në muajin gusht të vitit 2016, pasi po investigonte ngjarjen tragjike të humbjes së jetës, së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës.

Gazetarja Tota pretendoi se vendimi për ndëprerjen e marrëdhënieve të saj të punës është marrë pas presioneve të ushtruara nga ana e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në gjyq Alida Tota fitoi pjesërisht integritetin përballë pronarëve të mediave, pasi Gjykata e Shkallës së Parë, pranoi detyrimin financiar ndaj gazetares Tota, por nuk pranoi faktin që ajo ishte shkarkuar pa ndonjë shkak të arsyeshëm.

Avokati i gazetares, Ledio Braho shprehet se gjyqi kishte presion jo të vogël, kjo dhe për shkak të manipulimeve, fshehjeve dhe falsifikimet që bëjnë pronarët e mediave. Nga dokumentat e paraqitura në gjykatën, administratori A1 News ( i regjistruar si TV Ballkan), përveç censurës ndaj lirisë së fjalës, ka kryer falsifikime edhe me pagat e gazetarëve.

Në rastin konkret gazetarja Alida Tota paraqiti në seancë gjyqësore një vërtetim për pagën e saj reale prej 100 mijë lekësh të reja, ndërsa në Sigurimet Shoqërore ishin derdhur për pagën prej 22 mijë lekësh të reja.

Evazion i tillë fiskal, është një marifet i përdorur shpesh në media. Gazetarët të cilët denoncojnë me mijëra shkelje, shpesh mbyllin njërin sy për të drejtat e tyre, për mënyrën sesi paguhen por edhe për censurën në lirinë e shprehjes.

Gjykata e Shkallës së Parë, çmoi se gazetarja Alida Tota, nuk është paguar plotësisht si Drejtore e A1 Neës, përgjatë kohës së punës. Për këtë vendosi që A1 Neës, të shlyej detyrimin prej 613,828 lekësh (të reja) ndaj gazetares Alida Tota.

Por Gjykata, e drejtuar nga Anila Karanxha, cedoi në dhënien e së drejtës së “shkarkimit pa motivacion” të gazetares Alida Tota. Raportit i Departamentit Amerikan të Shtetit, dënonte fuqimisht shkarkimin nga puna, pa motivacion, të gazetares Alida Tota. Sipas raportit, shkak është bërë investigimi ndaj Bashkisë së Tiranës dhe presioni i ushtruar nga administratori i A1 News, Neritan Gjojdeshi.

Megjithatë gjyqtarja Karanxha, është shprehur çuditërisht, se këto qëndrime të këtyre institucioneve ndërkombëtare, kanë ardhur si pasojë e denoncimit të gazetares Alida Tota. Pra, me pak fjalë, gazetarja Tota ka “ndikuar” në hartimin e raporteve ndërkombëtare për Shqipërinë.

Të drejtat e gazetarëve, duket se janë ende një sfidë qoftë për drejtësinë, qoftë edhe për median e lirën. Censura e pashembulltë ndaj gazetares Alida Tota, por edhe ndaj emisionit Publicus, shfaqin gjithnjë e më shumë forcën e pushtetit për të kontrolluar çdo gjë.

Megjithatë, edhe pse pjesërisht i fituar, gjyqi i Alida Totës, theu një tjetër tabu, atë të lirisë së shprehjes së gazetarëve, përballë presionit të pronarëve dhe pushtetarëve që qëndrojnë në hije.

I pyetur nga Tpz.al, avokati Ledio Braho, shprehet se gjyqi i Alida Totës do të vijojë edhe në Shkallët e tjera të gjyqësorit, për të fituar çdo të drejtë për gazetarinë dhe lirinë e medias.

/Newsbomb/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *