Analize

Nga Fatmir Ali Guda/ QINDRA MILIONA EURO ‘PASURI’ I VLEJNË TAHIRIT MË SHUMË SESA HAKMARRJA NDAJ EDI RAMËS .

Opinioni publik ka ngrirë prej zhvillimeve të vrullshme të ditëve të fundit në lidhje me atë që përflitej prej kohësh për lidhjet e krimit të organizuar me pushtetin. Zbardhja e vetëm njërës prej dosjeve të përgjimit mes dy trafikantëve të drogës arrestuar nga policia italiane dhe fletë arresti i prerë për bashkpuntorin më të afërt të kryeministrit Edi Rama, ish-ministrin e brëndshëm Saimir Tahiri, paraprirë nga deklaratat shqip të ambasadorit amerikan në vëndin tonë, për klane mafjoze që komandojnë familje kriminale, padyshim që kanë mbjellë një atmosferë ankthi dhe shprese. Ankthi tek pjesa e pushtetit dhe afër tij për fatin e vijimit të mëtejshëm në rrugën e fitimeve, dhe shpresa e qytetarëve se falë këmbënguljes edhe aleatëve strategjikë të Shqipërisë, po çmontohet njëherë e mirë sundimi kriminal i politikës.
Midis këtyre ndjesive sigurisht që luhen shuma maramendëse financiare të botës së krimit, krijuar nga bandat kriminale prej trafiqeve të jashtëligjshme me shkeljesyrin e pushtetit. Është një lumë i tërë financiar që pastrohet e formalizohet ditë e përditë para syve të shqiptarëve në trajtë bizesi oligarkësh apo ndërtime pa fund pallatesh megjithë mbi ngopjen e tregut imobiliar. Por le të ngelemi tek dosja Habilaj, ku nga një hesap fare i thjeshtë referuar shumës 5 milion euro në muaj që përfitonte ish-ministri i brëndshëm sipas bisedës së zbardhur mes dy trafikantëve, në një vit kalendarik vetëm nga rrjeti i kushuririt të tij të 10-të ai grumbullonte 60 milion euro, ndërsa në 4 vjet shuma arrin 240 milion euro.
Një pasuri përrallore sheikësh, për të cilën Saimir Tahiri ka kuptuar se do ja vlente çdo lloj dënimi duke u shfaqur herë si gjynafqar ndërsa përmend shpesh fëmijën e vet dhe fjalën burg, herë si “hero” duke u vetëviktimizuar nëpërmjet prezantimit si armiku i pakomromis i antiligjshmërisë, paçka se deri në agjencitë partnere ligjzbatuese është etiketuar si ministri që mbuloi me hashash gjithë territorin dhe kthimin e Shqipërisë në vend kryesor të prodhimit dhe trafikimit të drogave të forta si kokaina dhe heroina. Një pasuri e bërë sigurisht, jo vetëm nën bekimin e kryeministrit, por edhe bashkpunimin e tij, i cili nga ana tjetër arrinte deri në shkarkim ministri nga qeveria kur vinte fjala për shembull për respektimin e etikës në komunikim. I tillë ishte rasti i Ylli Manjanit, ish ministri i drejtësisë, që sigurisht nuk ndenji gojë-kyçur sipas midesë së kryeministrit ndërsa denonconte pikërisht këto realitete kriminale të shpërthyera sot, të cilat ai evidentonte nga optika brenda ekzekutivit.
Natyrisht, që midis kryeministër Edi Ramës dhe një kryeministri tjetër çfarëdo që do pasonte shefin e vet politik, pas stuhisë së mundshme shkaktuar prej shitjes hipotetike që do t’i bënte atij me faktet e provat e disponuara prej bashkëpunimit mes tyre, sigurisht që do zgjidhte të parin, pozicionin e të cilit edhe do ta mirkuptonte pas rrethanave në të cilat degradoi situata. Me pak fjalë ish-ministrit të brendshëm shefi i vet Edi Rama i duhet doemos kryeministër, që me anë të levave të veta në sistemin e drejtësisë në rastin më të mirë për t’i krijonte lehtësirat drejt pafajsisë për ta nxjerrë jo vetëm të larë nga kjo mesele por edhe hero, të gatshëm për t’ju rrikthyer edhe më furrishëm karrierës politike.
Dhe përgatitjet për një gjë të tillë ja ka nisur qoftë me dërgatën e solidarëve socialistë tek dera e shtëpisë së Tahirit, qoftë me kamikazllëqet e antarëve socialistë në komisionin kuvendor të mandateve, të cilët qëllimish po e vonojnë dhe zvarrisin dhënien e vendimit për dorëzimin drejtësisë së Saimir Tahirit, me gjasë edhe dhënien kohë prishjes së provave, që e implikonin ish-ministrin në skandalin Habilaj.
Por Tahirit i duhet Edi Rama kryeministër edhe në rastin më të keq si garanci për të rruajtur shumat marramëndëse përfituar nga bashkpunimi mes tyre edhe mes aferave të tjera nga grupe kriminale përtej rrjetit Habilaj, pasi largimi i tij dhe krijimi i një qeveri antmafje siç po paralajmëron kryetari i opozitës Lulzim Basha, do të përbënte një rrezik serioz që do të çonte drejt konfiskimeve dhe sekuestrove të pasurive të tyre duke hetuar deri në qindarkat e fundit. Pra, le të mos na duket kaq budalla Sajmir Tahiri, sa të marrë këmbët e t’i bjerrë kokës duke shitur shefin e vet; apo Edi Rama gjithashtu ta ketë aq kollaj ta lejojë të shkojë drejt gijotinës bashkpuntorin e afërt si dhe një ndër arkitektët e garantimit të mandatit të dytë qeverisës me shit-blerjen e votës me paratë e krimit.
Por nqs presioni i shtuar i faktorit ndërkombëtar, opinionit publik dhe frontit opozitar mbi organin e akuzës shqiptare do të rrinte konstant dhe në frymën e pritshmërive prej aplikimit të reformës në drejtësi në zbërthimin e skemës së organizatës kriminale Habilaj apo më tej të çdo dosje kriminale tjetër paralajmëruar të zbardhet së shpejti do të arrihej të cënoheshin asetet financiare të përfituara në mënyrë të jashtligjshme prej aktiviteteve kriminale, atëherë do të shihnim vërtetë se sa lirë ata do t’ja shisnin kokat dhe lëkurën njëri-tjetrit!
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?