Kryemadhi thirrje nga Berati/ LSI hap dyert për socialistët e braktisur nga krim
Monika Kryemadhi i bëri thirrje socialistëve që të bashkohen me forcën që ajo drejton, pas ngjarjeve të fundit.
Duke folur nga Berati, Kryemadhi deklaroi: “Socialistët të shkëputen nga lidhjet monstruoze të PS me krimin. Socialistët nuk i lidh asgjë me krimin”.
“Socialistët të shkëputen nga monstra kriminale që e kanë lënë Shqipërinë peng të krimit. Ata janë po aq të rrezikuar sa çdo qytetar shqiptar”.
Drejtuesja e LSI u kërkoi zyrtarëve të kësaj partie që të hapin dyert për socialistët e zhgënjyer.
“LSI të hapë dyert për socialistët që ndihen të braktisur nga Rilindja e Krimit”.
Një ditë më parë në Top Story, Monika Kryemadhi deklaroi se përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri kanë patur dijeni për kultivimin e kanabisit.
“Sigurisht që kishin. Në momentin që u prekën vendet e tyre, nisën të flasin. Ndërkombëtarët e kanë ditur që ne prodhojmë kanabis. I kanë përgjimet që në 2013. Në momentin që u rrezikojmë sigurinë kombëtare të sigurisë së tyre, ata nuk falin”, deklaroi ajo.
Sa i takon tryeza e organizuar ditën e mërkurë nga partitë opozitare, Kryemadhi thotë se është takimi i parë dhe se ka nevojë për takime të tjera për të rakorduar qëndrimet.
Megjithatë, duke folur në Top Story, Kryemadhi përjashtoi, të paktën për momentin protestat e opozitës si një mjet për të kërkuar largimin e Edi Ramës.