Nga Sokol Gjoni/ OPOZITA NË SFIDËN E PËRBALLJES SË SAJ ME PUSHTETIN E KRIMIT

Analize Te tjera

Përjashtimi i njëpasnjëshëm i deputetëve demokratë si dhe precedenti i mbylljes së mikrofonëve ndaj përfaqësuesve të opozitës së djathtë në foltoren e kuvendit, janë panorama më e qartë e nivelit akut në të cilën ka mbërritur demokracia shqiptare. Ky startim i kësaj legjislature me debate të ashpra dhe imponim “muskujsh” mes palëve, që rrezikon të kthehet në ngërç institucional, dëshmon regresin e bërë në drejtim të ecjes dhe të maturimit të demokracisë shqiptare, e cila tashmë ndodhet e tharmuar nga pushteti i interesave okulte që janë ngjizur në laboratoret e krimit dhe të klaneve mafioze në vend.

Opozita në qëndresën e saj stoike përballë krimit të organizuar dhe mafias shtetërore, e cila ka shtrirë tentakulat e saj në çdo dimension të jetës politike, ekonomike dhe sociale, duhet të thërrasë popullin në mbështetjen e kauzës së saj, pasi janë qytetarët shqiptarë, ata, të cilët ndiejnë mbi kurrizin e tyre trysninë e madhe që ushtron veprimtaria kriminale e grupeve me suport dhe influencë politiko-klienteliste.

Kjo fushë-betejë e opozitës, padyshim është nga më të vështirat, sepse përballja me krimin e strukturuar shtetërisht dhe qeveritarisht shënon fillimin e një beteje që s’ njeh kthim prapa, ku dhe vetë politika, falë inkriminimit të një pjesë të saj ka shumë pak instrumente për të luajtur një rol kyç në evoluimin pozitiv të dinamikës së zhvillimeve të pritshme. Maxhoranca politike, tashmë e damkosur botërisht për lidhjet e saj me klanet e të “fortëve” dhe për suportin elektoral që ajo merr nga këta të fundit, pasi u përpoq të inskenonte shfaqje burleske si një trupë cirkuistike ambulatore, përmes “dëgjesave…” dhe të “shpikjes së formulës bashkëqeverisëse me popullin”, përsëri nuk ia doli që të fshehë denatyrimin e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Kryeministri Rama në galopin e tij drejt rendjes së instalimit të një sistemi politik me bazë neobllokmenësh dhe me piramidë kriminale, po luan në funksion të egos së tij kartat e fundit, duke synuar asgjësimin e parlamentarizmit. Me ish-ministrin gjakatar të brendshëm, porositësin e vrasjes së katër të rinjve dhe të plagosjes së dhjetëra e qindra të tjerëve në protestën e 2 prillit të vitit 1991, sot i emëruar nga Rama si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, debati parlamentar është në një spirale të rrezikshme, me pasoja të parikuperueshme për stadin e maturimit politik të vendit që këkohet me aq ngulm nga organizmat ndërkombëtare dhe vendet asistuese.

Nuk është e rastit, që një ish-ministër i periudhës së totalitarizmit, i cili opozitën aktuale e ka goditur që në embrionin e saj, sot drejton “atë” që duhej të ishte tempulli i demokracisë. Me Ruçin kryetar kuvendi, Rama, përveçse ka synuar likujdimin e opozitës, ka përmbushur dhe skemën strukturore të krimit, duke e bërë piramidën shtetërore më kriminalen dhe më të njollosurën në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Përballë kësaj situate, qëndron opozita, e cila peshën e simbiozës së grupeve kriminale të lidhura me qeverinë e ka ndjerë dramatikisht, teksa është “shkërmoqur” në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku përmes veprimtarisë së këtyre grupeve, të hedhura në betejë si formacione paramilitariste, është bërë i mundur tjetërsimi katastrofal i vullnetit të lirë të zgjedhësve shqiptarë.

Në aksionin e saj, të paraprirë dhe nga nevoja imediate e rivendosjes së dinjitetit demokratik dhe funksional të institucioneve në Shqipëri, Partia Demokratike është në natyralitetin e potencës dhe akcentit të saj politik, për të përshkallëzuar mëtejshmërisht veprimet dhe metodat parandaluese në funksion të moslejimit të instalimit të klikës neobllokmene dhe të lidhjeve të tyre me klanet e mafias. Demokracia shqiptare, kurrë në këto 27 vite rrugëtim, nuk ka qenë më në zgrip, se sa gjatë kësaj periudhe, kur në pushtet erdhi tabori klientelist i Ramës, që frikshëm ka shtrirë kthetrat e tij mbi çdo arterie ekonomike dhe strategjke të vendit, duke copëzuar dhe shkalafosur ëndrrën tonë dhe të fëmijëve tanë për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë.

Partia Demokratike, si forca politike që ka mbajtur gjithnjë qëndrime të qarta dhe të prera ndaj çdo elementi, apo strukture me lidhje dhe veprimtari të dyshimta kriminale, është padyshim, yshtja për të dalë nga ky rreth vicioz në të cilin jemi zhytur nga lidhjet e qeverisë me krimin.

 

0 0 votes
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments