Nga Sokol Gjoni/ ‘Bashkëqeverisja’, si kozmetikë e simbiozës me krimin.

Analize

E artikuluar së fundi si një koncept që tejkalon dogmat populiste të kryeministrit, “bashkëqeverisja” është artifici pas së cilit Rama po përpëlitet në zallishten e mundësive të tij për të shpëtuar nga derexheja e fundosjes që ka ngërthyer anijen qeverisëse. Qytetari shqiptar, nga skaji më i largët e deri në zemër të qyteteve të mëdha, ka arritur të kuptojë dhe të ndiejë rolin dhe trysninë e klientelës qeverisëse, e afirmuar metodologjikisht si pushtet me interesa okulte në dëm të interesave qytetare. “Dora e ngrohtë” e pushtetit është shtrirë në zaptimin e pronave publike, në grabitjen e vijës bregdetare, në ndërtimet dhe në betonizimin pa asnjë kriter të shesheve dhe të hapësirave të gjelbërta në çdo cep të vendit, në prerjet masive të pyjeve, në diferencimin dhe arbitraritetin ndaj qytetarëve, në paligjshmërinë dhe prepotencën e zyrtarëve të krimbur në allishverishe, e deri tek dhunimi i vullnetit të lirë të qytetarëve, që prodhoi si derivat një qeveri të komanduar dhe të pengmarrë nga klanet me veprimtari kriminale.

Përballë kësaj zullumnaje që e fundos në moçalishten e lidhjeve të tij me grupet kriminale që e sollën dhe e mbajtën në pushtet, Rama, domosdoshmërisht pritet të lançojë një retorikë kërcëllitëse që do të pasohet me veprime teatralizuese, duke u sforcuar të sfumojë sadopak damkosjen e tij si të lidhur me krimin. Nuk është e rastit, se ai menjëherë pas “fitores” së thellë që arriti në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, u leqendis si teveqel shesheve me të ashtuquajturat “dëgjesa”, duke u përpjekur t’jua mbushë mendjen ndërkombëtarëve se rezultati ishte produkt i mbështetjes ndaj politikave qeverisëse. Por, induksioni i tij ishte i gabuar, pasi vendet partnere dhe miqtë tanë, të cilët asistojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj përafrues, e kishin pikasur prej kohësh busullën e tij orientuese.

Vazhdimisht, janë lëshuar nga organizmat monitoruese ndërkombëtare sinjale të forta në drejtim të keqdrejtimit të vendit, si dhe janë dhënë mesazhe të qarta për pasojat e mendësisë qeverisëse që reflektone Rama dhe të qasjeve të tij ndaj vlerave dhe standardeve të demokracisë. Kokëçarjet e kryeministrit tashmë janë evidente, pasi përveç halleve të shumta që i vringëllojnë mbi kokë nga blerja masive e votës, është shpërfaqur në horizontin e shkëlqimtë të “fitores” së tij plebishitare gjëmimi dhe buçitja e ambasadorit Lu, duke e anatemuar si të lidhur, dhe pse jo, në ortakëri me krimin e organizuar. Nuk mund të ishte ndryshe,veçse kështu, fillimi i fundit të një kryeministri që karrierën dhe fatet e tij politike i ndërtoi të lidhura ngushtësisht me individë dhe struktura të botës kriminale, të cilët do të përvijonin mbështetjen e tyre pa rezerva në investiturën e Edi Ramës, e cila medoemos do të përkthehej në “shpërblesa” dhe “haraçe”.

Përtej zymtësisë së situatës në të cilën ndodhet aktualisht realiteti politik i vendit, imperative mbetet vokacioni opozitar si shpresë dhe mundësi e daljes nga kthetrat e oligarkisë oktapodiane që ka mbërthyer Shqipërinë, duke rrezikuar ta gremisë të adhmen e vendit në honet e errëta të botës së krimit dhe të tentakulavetë tij. Tollumbacet stilizuese të Ramës, që vijnë dhe shpërfaqen mediatikisht si flluska sapuni përmes butaforizmit dhe groteskut të “sebepeve” dhe idiomave me “bashkëqeverisje”, përsëri nuk e atrofizojnë tek opinioni publik peshën dhe përgjegjësinë që ka Rama për këtë situatë, sa të paprecedentë, aq dhe të rrezikshme për ecurinë e reformave shtetformuese, të kërkuara me shumë ngulm nga bota demokratike. Çdo ditë e më shumë pushteti okult i klaneve kriminale po e zhyt turjelën e tij në palcën e Shqipërisë, duke rrezikuar të bëjë të tijin dhe të përvetësojë vlerat dhe asetet burimore më të çmueshme të vendit.

Në kushtet e deformimit masiv të vullnetit të zgjedhësve, ku shitblerja e votës përmes falangave të krimit që u rreshtuan si tabor luftarak mori përmasat e degradimit total të procesit zgjedhor, si dhe në kapitullimin e shtetit të së drejtës në duart e klaneve mafioze dhe të grupeve me veprimtari kriminale, zgjidhja mbetet, pamëdyshje, largimi i Ramës si “bateria” dhe ushqyesi i këtyre grupacioneve me ndikim të fuqishëm në dëm të interesave kombëtare. Përtej kozmetikës me të cilën përpiqet të kurojë qeverisjen e tij me “dëgjesa…” dhe sajesa të çorollepsura në funksion të davaritjes së opinionit publik mbi simbiozën e tij me krimin, prapëseprapë Rama nuk do të mundet të shpëtojë nga ky rreth vicioz në të cilin është ngujuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *