Andi Lila shpreson për fitore: Do ta mundim Italinë
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila thotë se të luash kundër më të mirëve është ëndërr e çdo futbollisti.
Ai po ashtu thotë se edhe pse do të kenë përballje shumë të vështira, beson se në Shkodër mund të marrin tre pikë kundër Italisë dhe të hyjnë në histori të futbollit.
““Është fat i madh për brezin tonë që na qëlloi të luanim ndaj dy skuadrave kampione të botës. Çdo lojtar i ka ëndërr ndeshje të tilla, sepse nuk luan dot përditë me lojtarë nga më të mirët në botë”, tha fillimisht Lila gjatë konferencës për media.
“Një pikë me Italinë? Mendoj që në Shkodër mund të marrim tre pikë. Por, ne do të hyjmë në fushë të japim maksimumin. Siç e dinë të gjithë do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, por nuk do të jemi inferiorë ndaj askujt. Nuk kemi çfarë të humbasim. Personalisht jam optimist se do të marrim rezultat, madje tre pikët e plota ndaj Italisë, për të shkruar historinë se kemi fituar përballë një kampioni të botës”, tha ai në fund.
Shqipëria me 6 tetor luan në udhëtim ndaj Spanjës, ndërsa tre ditë më vonë e pret Italinë në Shkodër.