Aktualitet

Veliaj betonon Tiranën/ Dy kulla 20-katëshe afër Bulevardit të ri, një bllok i madh banesash tek Ali Demi

Ndërtimi është kthyer sektori kryesor që po tërheq fondet e lira në ekonomi. Punimet janë rizgjuar vrullshëm në kryeqytet pas miratimit të planit të ri rregullues dhe zgjerimit të Tiranës në pjesën veriore.

Portali i Ndërtuesve prezantoi ndërtimin e dy kullave 20-katëshe “Projekti Vaqari” në mes rrugës Jordan Misja dhe Bulevardit të ri. Kullat do të ndërtohen nga kompania Kontakt shpk, e cila gjithashtu e ka paraqitur zyrtarisht projektin.

Projekti i Bulevardit të Ri, i cili ka përfunduar në 500 metrat e para dhe shumë shpejt do të përfundojë tërësisht deri në Lumin e Tiranës e ka sjellë zonën përreth tërësisht në parametra të tjerë.

Pjesa veriore e Tiranës poshtë unazës, nga rruga 5 maji, Siri Kodra, Jordan Misja, Don Bosko dhe deri në Laprakë është përfshirë nga një valë e re ndërtimesh. Deri më tani kjo zonë është dominuar nga ndërtesa të ulta, ish magazina, por projektet e Bashkisë së Tiranës sidomos me ndërtimin e  Bulevardit të ri pritet ta sjellin atë në dimensione të tjera.

Tirana e është duke zgjeruar me blloqe të mëdha banimi të organizuara brenda dy unazave.

Kompania Kontakt SHPK dhe OMA një kompani gjermane e arkitektiurës e kanë shpallur zyrtarisht projektin e tyre për zhvillimin e një blloku banimi të madh në qytetin e Tiranës. Projekti është prezantuar nga Reinier De Graf, partner i OMA dhe përgjegjës për projekte ndërtimi dhe masterplane në Europë, Rusi dhe Lindjen e Mesme.

Projekti do të jetë një bllok i madh banesash me ngjyra dhe do të jetë vendosur ndërmjet lagjes Ali Demi dhe qytetit Studenti, një zonë aktualisht e dominuar nga ndërtimet informale.

Masterplani i Tiranës në këtë zonë propozon zhvillimin në një zonë pa rrugë makinash, me 70% hapësirë të lirë. Përgjatë zonës kalon një aks qendror që e lidh me qytetin, që shërben si hapësirë publike për të lidhur oborret.

Por teksa Tirana është duke u zgjeruar me shpejtësi si në ndërtimin e kullave të larta dhe komplekseve të ulta më shumë ndërtesa, projeksionet demografike nuk janë shumë optimiste. Popullsia e vendit do të vijojë tkurrjen duke shkuar në rreth 1.7 mln banorë në vitet 2100, teksa ecuria aktuale e popullsisë po ecën me keq se parashikimet. Në fillim të vitit 2017 ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031. Numri i lindjeve ishte 8% me i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grup moshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi. /Monitor

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?