AktualitetShkrime

Nga Ilir Hoxha/ Koreanët e Shqipërisë dhe Kim Jongu i tyre

Koreja e Veriut dhe koreanët vazhdojnë të jenë një mister për pjesën tjetër të botës por ne shqiptarët “jemi me fat”. Tashmë nuk e kemi të nevojshme të rrimë sy e veshë para televizioneve për tu njohur sadopak me Kim Jong Un-in dhe popullin e tij që po i “bën ballë i vetëm” Amerikës. Këtu në mesin tonë po zgjerohet ditë pas dite, po rritet në formë arradhesh, komuniteti i “koreanëve shqiptarë”.

Ata nuk mund të quhen të tillë përsa kohë nuk përulen në mënyrën më neveritëse para Kim Jongut të tyre dhe pikërisht këtë gjë po bëjnë. Para 3 ditësh opinioni publik u njoh me veprën më të fundit të koreanëve tanë, vizatimin e Kryeministrit Rama me uniformë dhe top basketbolli në dorë, në muret e palestrës së qytetit të Tepelenës. Edi Rama nuk ka qënë ndonjëherë basketbollisti më i mirë shqiptar. Ai nuk bën pjesë as në listën e 100 basketbollistëve më të mirë të vendit.

Ngaqë ka qënë i gjatë dhe ishte i biri i dikujt me influencë ju dha mundësia për të luajtur në një nga ekipet e forta të Shqipërisë së asaj kohe. E shumta basketbolli ishte një ndër pasionet e tij. Dhe pikërisht ky është momenti kur dalin në skenë koreanët. Për Tërmetin, vullkanin, uraganin apo ortekun, pasionet e liderit suprem duhet të bëhen pjesë e pasioneve të të gjithë popullit majmun, detyra e të cilit është të kundrojë me adhurim dhe e shumta të kopjojë stilin.

Kryeministri dhe “koreanët e tij” frymëzojnë njëri-tjetrin në veprime të tilla delirante dhe idiote. Nuk është e rastit që me paratë e shtetit paguhen qindra milionë lekë për të garantuar ekspozimin e halucionacioneve në formë pikturash të Kryeministrit nëpër bienalet e botës. Dhe këtu duhet të theksojmë se Edi Rama nuk është piktori më i madh shqiptar, biles nuk hyn as në 100 më të mirët e këtij arti. E njëjta histori është edhe me “Kurbanin” e famshëm, librin e mbushur me urrejtje dhe mllef ndaj….shqiptarëve, i cili u përkthye në disa gjuhë të huaja.

Sado problematik të kenë qënë drejtuesit tanë të pas viteve 90, marrëzira të tilla na janë kursyer. Nuk kemi parë piktura të Sali Berishës nëpër spitale, të Ilir Metës nëpër salla peshëngritjesh, e pastaj me rradhë të Nanos, Majkos apo Meksit, nëpër institucione publike të cilat mund të përfaqësonin deri diku pasionet e tyre të hapura apo të fshehura. Prandaj them që për të njohur koreanët dhe Kim Jongun nuk është e nevojshme ti mbani sytë nga Lindja e Largët. Ata janë këtu…

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?