Ja kush është drejtori i policisë që refuzoi të përgjojë dhëndrin e Qazim Sejdinit

Aktualitet

Në emisionin Opinion është publikuar një shkresë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit për ndalimin e një personi, ku i kërkohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që të vihet në përgjim ambiental.

E habitshme ishte përgjigja e policisë, e cila theksonte se policët janë me leje vjetore dhe e kanë të pamundur kryerjen e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore. Refuzimi ka ardhur nga drejtori i policisë për Trafiqet dhe Narkotikët, Idajet Faskaj.

Prokuroria e Elbasanit i ka kërkuar policisë se Shtetit përgjimin fotografik, filmik dhe me audio të Sokol Astrit Sanxhaktarit, Kelmend Ymer Xhaferri dhe Enea Njazi Bekteshi.
Sipas prokurorisë përgjimet duhet të bëheshin ‘’nga data 11 gusht 2017 deri me datë 26 gusht 2017, nga specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit’’. Prokuroria autorizoi përgjime ‘’në vende publike të personave të lartpërmendur edhe me persona të tjerë’’.

Por vetëm 13 ditë më pas urdhërit të prokurorisë policia përgjigjet se ‘’nga ana e sektorit të forcës së posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës së specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore’’.

GSH.al