Vjehrra bën për spital nusen e djalit.

Aktualitet

 Mësohet se konfliktet vjehrrë-nuse kanë marrë shkak nga punët e shtëpisë. Burime nga policia bënë me dije se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në banesën e tyre. Pas kësaj, 21-vjeçarja është paraqitur në Komisariatin Nr. 4 dhe ka bërë kallëzim, duke pretenduar se është dhunuar edhe herë të tjera nga mamaja e burrit të saj sa herë që ai nuk ndodhej në shtëpi. Por kjo gjë është mohuar nga 56-vjeçarja, e cila ka pohuar se në asnjë moment nuk ka vënë dorë mbi të, por se në disa raste i ka ngritur zërin për sa i përket mosbërjes së punëve të shtëpisë. Pas kallëzimit të marrë, policia ia referoi materialet prokurorisë, duke e akuzuar 56-vjeçaren për dhunë në familje. Ndërsa, për 21-vjeçaren u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

E reja me inicialet A.A. ka pohuar në polici se vjehrra e ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe në mënyrë sistematike. 21-vjeçarja ka pretenduar para oficerëve të policisë se nuk ka mundur ta denoncojë më parë pasi nuk ka dashur që kjo gjë të bëhej shkak për ndonjë konflikt të mundshëm që mund t’i shkaktohej me të shoqin. Sipas së resë, ngjarjet kanë qenë të përsëritura dhe se shpeshherë qëllohej edhe me sende të forta në trup. “Sherrin e niste për punët e shtëpisë.

Nuk më trajton mirë, dhe këtë gjë kam pasur frikë t’ia tregoja të fejuarit pasi mund të zihesha edhe me të”, – mësohet të ketë deklaruar ajo në polici. Por, pas kallëzimit që A.A. ka bërë, uniformat blu kanë marrë në pyetje edhe 56-vjeçaren me inicialet Z.A. Kjo e fundit e ka mohuar që ta ketë dhunuar nusen e djalit, duke u shprehur se e ka si bijën e saj. “Ne jemi grindur shpeshherë. E qortoj shpesh për punët e shtëpisë, por asnjëherë nuk e kam dhunuar. Nusen e kam si vajzën time, e dua dhe e respektoj. Por ajo nuk më dëgjon edhe pse unë e mësoj për të mirën e shtëpisë. E ka mendjen vetëm për të dalë”, – ka pohuar 56-vjeçarja, ndaj së cilës ka nisur hetim në gjendje të lirë.