SPRINT NEWS ALBANIA

Poezi

“Desha të di”/ Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj

DESHA TË DI
Desha të di,
a mos vallë koha është
ajo lejlaja e ëmbël që bie diellit,
si petale të vesuara jasemini…
Apo ato retë e holla,
që i preu përmes një helikopter i kuq
dhe dy dallëndyshe të fundit
harkuar qiellit si dy vijëza…
Për pak,
më mori frymën një manjolë
tek shkundi petalet nën erë.
Me thuaj të lutem:
Mos vallë
kjo është koha?
Një burrë
me një buqetë trendafilash
shtrënguar me kaq përkujdesje.
Një grua flakëbardhë,
tek përkëdhel qenin si bir;
thua,
kjo të jetë koha?
Jeta,
që rrjedh në gishtat e mi
Malli që pikon zemrën time
Rrahjet ritmike dhe fryma
Dashuria që më flet
fshehtë…
Desha të di,
kjo është koha??
ËSHTË RIVIERA
Është ëndërr që shkon
Është Riviera!…
Duke kaluar adhuroj
I përulem secilës shtëpi të rrënuar
të braktisur,
çdo peme të tharë…
Harroj detin, qiellin
Harroj veten kredhur
Në ujin që fundin tregon…
Pastaj qesh me vete
Më kujtohet
se si dëshiroja të vallëzoja
buzë detit
me një burrë të panjohur,
por nuk ndodhi…
Siç u rrënuan këto shtëpi,
si u dogjën këto pemë,
nga ndezja e pyjeve
pa e ditur si
pa u turpëruar, pse?!
Është riviera,
që më josh duke e parë
Të ikë prej syve të mi
këtë të dielë vjeshte,
si ëndërr…
VJESHTËS I FLAS
Po kthehem…
Zogjtë e vjeshtës
më lanë ca pendë të lehta
Të vishem me fluturimet e tyre
Harenë t’ia rikthej shpirtit
Buzëqeshje syve…
Po kthehem…
Pemët e vjeshtës
rrëzuan ca gjethe të verdha
Supeve nuk ndjeva më peshën e fajit,
sepse faji nuk ekziston,
E keni sajuar ju njerëzit;
Më thanë…!
Po kthehem…
Puth dallgën e kripur
E lejoj të më lëmojë faqen
Të më përkëdhelë lëkurën,
si një “më fal”, e burrit që dëshiron
me zjarrin që djeg pyje….
Po kthehem…
Rruga shkurtohet pa u ndjerë
Mendimet lëmohen si shkëmbi
Buzë detit,
në lojën mijëvjeçare
me valëzat ledhatare
plot gënjeshtra të bardha…
Po kthehem…
Po kthehem dashuri…

VETËM

 

I kishin marrë
Të gjitha lulet, rrezet
Edhe zogjtë i kishin ndaluar
Të lodronin në hapësirat
E ëndrrave të fëmijës
Që ende beson
Brenda trupit
Të rritur…

Me mbeti jeta
Pa poezinë që më thurte
Çdo ditë secili moment
Me ndjesi te fshehta
Nga gjithë bota….

Mbeta bosh
Pa vend në të mirët
Të pagabueshmit
Përjashtuar isha:

U ula mbi gabimet e mia
Dhe u ndjeva
E vërtetë
E bukur
Si natyra!

MASKA E DLIRËSISË

(Një burri)

I thashë se e njoh gjer në palcë
Atë dlirësi burrërore të pjesshme
Atë mirëkuptim të sajuar prej dëshirës
Për t’u besuar se s’bën prej femrave…

Për të shitur shtrenjtë
Të vërtetën
Deri aty ku nuk preket
Sedra dinake e dikujt që di mirë,
Të rrotullojë fjalët
Si një qyp prej balte
Që përkulet e merr formë
Prej syve të atyre që e shohin
Prej zemrës së atyre
Që dashurojnë të bukurën.

Çfarë është e vërteta e pyeta,
Mos vallë pamundësia
Për të qenë i vërtetë?

Ta shihnit,
Se si e hoqi maskën prej “të vërteti”
U skërmit
Duke shpjeguar
Vetveten siç e dëshironte;
Dhe shkoi…

LUTJE

Për t’u dashuruar
Duhet të digjet perëndimi
Dielli me detin të shkrijnë dallgë
Sytë të shohin zjarret e nxehta
Duart të shuajnë
Mallet e fshehta…

Dil mbi veten
Të lutem harroje
Atë që duhet të jesh
Behu ajo që je vërtetë:
Forma ujore
E lakimeve të trupit tënd
Vala e shkrumbuar
E detit të dëshirave të tua!

Bëhu sytë e mi
Mollëzat e gishtave të mi
Bëhu
Lëngu i nxehtë
I syve të mi!

Dashuromë
Përmes lutjeve të mia
Hyr në vende të errëta të shpirtit
Dhe ndriçomi.

Më shih
Me shih
Lermë të jem
Gota e qeltë me ujë
Të ftohtë
Për etjen tënde
Të fshehur pas buzëqeshjes.

Thjeshtë
Më thuaj të vërtetën sonte!

Lejoje
Dashurinë tënde
Të bëhet dashuria ime
Lëre trupin tënd
Në duart e mia….!!

Kështu
Më lutej
E më lutej,
Dashuria.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?