Nga Sokrat Turtulli/ Mos shkoni nesër tek Azemi. As ti Rudinë
Mos i shkoni, mos. Mos i shkoni pasi do ta mërzisni shumë. Dhe ju e dini se ç’bën Azemi kur mërzitet. Ju nuk e meritoni emrin e tij, kauzën dhe trimërinë e tij. Ju nuk duhet ta rivrisni për së dyti atë që vrau frikën dhe drejtoi popullin drejt shembjes së kuçedrës komuniste.
Po si do keni sy e faqe ta shikoni në sy? Si do mundeni ti vendosni kurorë dhe si do mundeni ti përgjigjeni kur t’ju pyesi se ç’bëhet nga Parlamenti? Kush është Kryetari i tij? Po Kryeministër? Po Ministër i Brëndshëm? Po Ministër i Transporteve? Po Ministër i jashtëm?
-A do keni fuqi t’i përgjigjeni, vallë? Kush do marri guximin dhe ti thote se Gramozi i tmerrshëm i dy prillit, sot ështe Kryetar Parlamenti?
-Kush do marri guximin dhe t’i thotë se Kryetar Parlamenti u zgjodh dje, ai që vrau në 90-ën, dhjetra të rinj nëpër fshatrat e Kolonjës e duke i tërhequr zvarrë kufomat me traktorë vetëm e vetëm për të ngjallur terror tek të tjerët që mos kalonin kufirin?
-Kush do ti thote se kryeministër është djali i atij që firmosi për varjen e poetit Havzi Nelaj?
-Kush do marri guximin t’i thotë se ministër i brëndshëm është ish hetuesi dhe prokurori i enverit?
-Kush do marri guximin t’i thotë se vajza e ish anëtarit të byrosë politike Llambi Gegprifti ështe ministre?
– Kush do guxojë ti thotë se djali Sulejman Bushatit, është ministër i jashtëm? Kush do guxojë ti thotë se djali i Prokop Murrës është drejtor i madh?
– Kush do ti thote se djali i ish sekretarit të parë të Librazhdit sot është shtylla e Parlamentit?
-Kush do ti thotë se sot akoma festohet festa e Pezës mbushur plot me komunistë që shkojnë të pëgëren me raki dhe shiringa drogë?
-Kush do ti thotë se ne, PD-ja, qëndruam në sallë dhe votuam kur Ruci u zgjodh kreu i Parlamentit?
-Kush do ketë atë burrëri ti thotë edhe se tre prej deputetëvë të PD-së votuan pro Rucit?
Kush do ti thotë se pas votimit të Rucit ne i dhamë dhe dorën duke e uruar për detyrën?
-Kush do ti thotë se pasi i dhamë dorën Rucit shkuam e u përqafuam me të përndjekurit që protestonin jashtë kundra zgjedhjes së tij, duke u talluar akoma me ta?
-Kush…
-Askush. Askush nuk e ka atë burrëri t’a bëj. Ndaj iu lutem mos shkoni nesër tek, Azemi. Mos shkoni pasi mali i mëkateve ka për t’u shembur para këmbëvë tuaj. Mos e turpëroni Azemin. Ai nuk i duron komunistët dhe aq më tepër ata që i riciklojnë sërish duke shkelur mbi gjakun e tij dhe të Arben Brocit me shokë.
-Mos shkoni nesër, mos!
As ti, Rudina. As ti mos guxo ti dalësh para babait tënd me atë që bëre. Nuk do të ta fali jam i sigurt. E them këtë se e njoh gjakun, zemrën dhe shikimin e tij. Mos u mundo kot të justifikohesh para tij duke i thënë se qëndrova, por nuk e votova. Jo dhe jo. Atë çast që votohej ai për të cilin babai jot u vra, ti duhet t’e dilje me vrap nga ai parlament dhe të shkoje pranë Babait tënd. Të shkoje dhe të rrije aty duke e mbuluar në lot dhe duke i pëshpëritur në vesh: Babi më fal. Unë nuk mundem të qendroj në një sallë me kriminelë dhe aq më tepër të votoj. Parlamenti është mbushur më bij të etërve të kuq. Ai parlament nuk është ai që ti dhe shokët e tu dhanë jetën. Të tradhëtuan të gjithë, Babi, të gjithë.
Dhe ai do të ta falte lotin nëse do veproje kështu, por ti nuk e bërë. Ndaj sot po të lutem unë. Mos shko nesër para memorialit të tij. Mos shko nëse nuk do qe ta mërzisësh. Mos lejo askënd nesër të shkojnë tek Azemi. Asnjë. E bën dot, Rudinë?
SPRINT.AL