Nga Mihal Xhomo/ Si e arrestoi sigurimsi Mark Dodani, Bedri Çokun.

Aktualitet Shkrime

Ishte ditë më shi, 9 Dhjetori i vitit 1968, kur ushtarit të popullit, djaloshit Bedri Çoku, i hodhën, mbi duart e papërlyera, hekurat famëkeq të modelit gjerman. E rrëmbyen si ujku delen nga moshatarët e vet, me të cilët kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një repart pune, ose siç i quanin komunistët, Ndërmarrje Bujqësore Ushtarake (N.B.U.). Në këto ndërmarrje punonin si skllevër fëmijët e kundërshtarëve të komunizmit … Një shpikje “allasoj”, e ligësisë komuniste. Një lloj burgu dy vjeçar, me punë të detyruar për 18-19 vjetarët e paradënuar.

Një e vërtetë absolute si drita e diellit. Sepse, vetëm uniformën e kishin në ngjyrën e rrobës ushtarake, të tjerat, të gjitha ishin struktura dhe metoda burgu. Stërvitje ushtarake s’bënin asnjëherë. Armë u jepnin vetëm natën, kur bënin roje përreth barakave, por pa fishekë. Punonin nga mëngjesi në darkë. I ushqenin si të burgosur; i rrihnin, i kërcënonin, i fusnin në biruca të errëta e të ftohta, kur nuk realizonin normat e larta… Po të përsëritej kjo gjë, konsiderohej faj dhe ushtarit të punës ia hiqnin liridaljen për një kohë të gjatë; ndërsa leja për në shtëpi anulohej përgjithmonë. Po të kundërshtonte, apo të shprehte lodhje e mërzi në punë, qoftë edhe për një pakënaqësi të vogël, ushtarin e N.B.U.- së e thërrisnin në komandë, e arrestonin në “Emër të Popullit”, me akuzën e agjitacionit e të propagandës. Me dhjetëra e qindra të rinj të kësaj shtrese e kanë nisur “burgun” këtu, në repartet e punës, ushtarë, dhe e kanë përfunduar me vite të tëra në burgjet politike, famëkeqe të Shqipërisë…
Ndërsa rasti i Bedri Çokut ishte disi i veçantë. Arrestimi i tij u bë i kamufluar, një lloj “përlarje” , si në filmat e Xhejs Bondit, me marifet e pa u marrë vesh nga asnjeri. Gjoja, e transferuan në Korpusin e Jugut. Por kishte ditë që qarkullonin fjalë se, Bedriun do ta çonin në Korpus, falë aftësive të veçanta, si fizarmonicist, si sportist i kategorisë së parë. Cilësi që në të vërtetë i kishte, por mjerisht, këto cilësi e dallonin edhe nga moshatarët e tjerë, ushtarët-skllevër. Nam, mori edhe nga një Premierë artistike, të cilën e përgatiti me ushtarët e repartit, që u shfaq me sukses, jo vetëm në repartin e tij, por edhe në fshatrat përreth, në Labovë, në Hormovë, në Lekël.

Komisari i Repartit, çuditërisht burrë i mirë e gazetar i talentuar, e donte Bedriun, madje e kurajonte për ta zgjeruar Premierën që ta shfaqnin edhe në Gërhot, ku ndodhej Korpusi i Jugut, mandej edhe në qytetin e Gjirokastrës… Shokët e përgëzonin, … por ama, jo të gjithë i besonin këto thashetheme… Disa të tjerë, më të ngushtë, shprehnin edhe shqetësimin për mënyrën si po dilnin e zmadhoheshin këto muhabete. Sepse fakti që deri më sot asnjë nga ushtarët e N.B.U.- së nuk kishte kaluar në një repart special, rasti i Bedriut linte shumë për të dyshuar. Dhe ku? Për në Korpus!… “Kujdes, mund të jetë lojë e Sigurimit të Shtetit!”, e kishte paralajmëruar Ali Merko nga Bilishti, një shok i ngushtë, ish- i burgosur politik. I gjatë, i kërrusur nga shtatëlartësia, Aliu, sapo kishte marrë maturën, tentoi të arratisej nga Shqipëria. E kapën në kufi, por meqë ishte i ri, e dënuan 5 vjet me heqje të lirisë.
Vuajti 3 vjet. Kishte përvojë nga të gjithë ushtarët, prandaj ishte i shqetësuar për Bedriun, sidomos nga lëvizjet e disa operativëve të Korpusit, që vinin e iknin tinëz në repartin e tyre. Ua vuri vulën dyshimeve të tij, kur së fundi, Besmirin e veçuan nga shokët e punës. E bashkuan me dy ushtarë, që i sollën kastile nga një repart special i Sarandës. Dhe e detyruan të punonte tani vetëm me ata, të lëvizte, të hante e të flinte në kapanon me ata. Njëri ishte goxha i gjatë, trupmadh e babaxhan.

Ndoshta s’ ishte emri i tij i vërtetë, por eprorët e repartit e thërrisnin, Ilir. Me origjinë, puro tironas. Tjetri vinte në trup i pakët, mesatar, i shkathët, brisk nga goja. Ishte i dyshimtë në biseda e veprime. Sytë i kishte të vegjël e të lëvizshëm, si një shqarth. Emrin e tij Bedriu s’ e mësoi kurrë, as nuk u miqësua më të… Për hir të së vërtetës, vetëm me Ilirin shoqërohej. I dukej njeri i mirë. Pse ishte i tillë, ndaj një ditë ai e ftoi për shëtitje prapa kapanoneve, gjasme për të kërkuar një lloj bime medicionale, siç deklaronte se e kishte hobby mjekësinë popullore. Bedriu pranoi me kënaqësi. Por u çudit, kur e pa atë shumë të shqetësuar. Të tensionuar.
Deshi ta pyeste… Por ai i vinte gishtin para buzëve, duke shikuar anash i frikësuar. Vetëm kur u sigurua që s’kishte njeri aty rrotull, i tha shpejt e shpejt: – Dëgjo, o Bedri…hap sytë !…Kam një parandjenjë të keqe për ty…. Dhe iku i tronditur, gati duke qarë. Bedriu s’mundi të ftillohej në çast, madje s’pati as kohë të mendonte e të arsyetonte. Sepse për çudi, mu afër fytyrës, gati sa ta prekte me flatra, iu shfaq si me magji, një zog shumë i bukur që s’ e kishte parë kurrë një sojesh në jetën e tij; që cicërinte dhe krahët i përplaste me rrapëllimë; që i dilte herë para, herë prapa, sikur donte ta pengonte që të mos kthehej më në repart… Ai zog i bukur u zhduk papritur, siç edhe u shfaq, sapo Bedriu u gjend në oborrin e repartit, në dritën verbuese të llambave, midis dy kapanoneve. Ishte ëndërr apo realitet? Megjithatë, shfaqja e papritur e tij, s’do t’i shqitej nga kujtesa tërë jetën… Natën s’fjeti si herët e tjera.

E zuri gjumi vonë. I ndërgjegjshëm që kishte marrë tre sinjale paralajmëruese dhe nuk ishte në gjendje t’i kuptonte e t’i vlerësonte, ia angështonte shpirtin. Mirë, Aliu dhe Iliri ndoshta kanë pasur të drejtë ta shqetësonin, por ky, zogu i bukur pse iu shfaq i egërsuar e ulëritës për ta penguar që të kthehej tek shokët e tij? Ç’ kishte dashur të thoshte? … Mos ishte ai engjëlli mbrojtës që e paralajmëronte? Dhe qante e ulërinte, ngaqë s’kishte mënyrë tjetër për ta ndihmuar.?!…O zot! U realizoftë dëshira dhe vullneti Yt mbi krijesat e Tua!
Dita e ogurit të zi, më në fund, mbërriti! Ndodhi tamam siç ishin hapur fjalët. Më 9 dhjetor, Bedri Çokun e thirrën në Komandë dhe i njoftuan transferimin për në Korpusin e Gërhotit… Me shokët u nda i përmallur e i përlotur. U çudit edhe vetë që, duke u ndarë, u tha të gjithëve “Lamtumirë !” në vend të “Mirupafshim!”…. Me këtë mëdyshje kapërceu edhe pasarelën mbi lumin Drinos, që lidhte repartin me xhadenë kombëtare. I mallëngjyer, ktheu kokën edhe një herë nga bashkëvuajtësit ushtarë dhe vuri re, hipur mbi një gur, në qoshe të kapanonit, Ilirin, i cili e vështronte i pikëlluar e i trishtuar…
… Por, çuditërisht në Korpus e pritën ftohtë. I thanë se ishte njoftuar gabimisht për aty, sepse transferimi i tij bënte fjalë për në një repart tjetër ushtarak, në Librazhd.

I treguan rregullin, i cili thoshte se brenda tri ditëve duhet patjetër të paraqitej në repartin e ri, ndryshe, e priste burgu. Mirëpo, duke u larguar nga Korpusi, dikush e thirri. Njëri nga inspektorët e personelit i tha se, për fatin e tij të mirë, disa oficerë të Korpusit do të udhëtonin për në qytetin e Korçës. Ishte mundësia që ky rast të shfrytëzohej për t’i bërë nder ushtarit për të qenë korrekt me rregulloren. U tha, u bë!
Ishte e para herë në jetën e tij që hipte në një veturë… Në “Popjedë” gjeti një civil e një ushtarak, të cilët e pritën të kënaqur. Civili, që rrinte në sedijen përpara me shoferin, e mburri paraqitjen e hijshme të ushtarit. Ndërsa, ushtaraku në sedijen prapa foli si i nevrikosur: – Asnjëherë këta të Korpusit s’kanë ditur t’i zgjedhin ushtarët e mirë… I largojnë. Mbajnë ca gjytyrymë… – Kemi një të keqe ne shqiptarët, vazhdoi civili, që fajin e lemë jetim…Po ti, si ushtarak, pse s’ndërhyn të mos ndodhin kësi budallallëqesh? – S’është detyra ime. Është e Kuadrit…. Në fillim Bedriut iu duk debati i tyre i drejtë, pa ndonjë prapamendim… Por, ndërsa ata e zgjatën bisedën hidh e prit, vuri re se makina filloi të ecte me shpejtësi të madhe për të dalë sa më parë nga rrethinat e qytetit. Pas pak edhe biseda e tyre u ndërpre. Ndërkohë, civili, për t’u bërë i besueshëm i kërkoi ushtarakut të kontrollonte dokumentet ushtarit, ishin apo s’ishin të rregullta! Se mos, gabimisht, po merrnin me vetë një ikanak nga ushtria popullore! …??
Kjo e shqetësoi Besmirin. Kontrolli i dokumenteve. Pse, a s’ishin oficerët e Korpusit ata që e hipën në këtë veturë? Instinktivisht i vajtën sytë tek pasqyra e shoferit. Një burrë i moshuar që kontrollonte hera – herës, i shqetësuar e me vëmendje, lëvizjet dhe fytyrat mbrapa.

Kishte një vështrim të vrenjtur e në beftë. “Ndoshta e ka, ngaqë rri gjithmonë i vëmendshëm e i gatshëm”, mendoi një çast Bedriu… Megjithatë, iu drodh trupi kur duke dalë nga qytetit, shoferi pyeti civilin ç’ duhet të bënte: Të ndalonte apo të ulte shpejtësinë e makinës? Përgjigjen nuk e dëgjoi, sepse u fol me zë të ulët. E kuptoi që ra shpejtësia e makinës, pak e nga pak. Çuditërisht, makina hyri në një vend ku degëzoheshin dy rrugë, e reja me të vjetrën, mu afër Hormovës, sapo kalon pasarelën, që e lidh rrugën me atë fshat. Makina ktheu djathtas dhe vazhdoi në rrugën e vjetër, deri sa u bindën që, rreth e rrotull, s’pipëtinte këmbë njeriu. Ndaluan. Bedriut iu duk sikur diçka i lëvizi në thellësi të trupit. “Mashtrim”, mendoi një çast, duke pritur me ankth. Gjaku i lëvizi vrullshëm dhe i bllokoi grykën, qafën, kokën… Në bark, poshtë, iu krijua një ftohtësi prej akulli…edhe këmbët iu bënë akull. Makina që u fsheh tinëz, në “rrugën e vdekur”, i kalli tmerr… “Njerëzit e panjohur” e mashtruan dhe e sollën deri këtu….“Me siguri kanë qëllime të mbrapshta”, mendoi. Po cilët janë këta, vallë?”… Mos janë agjentë të huaj që kërkojnë sekrete ushtarake? Ç’ sekrete ruaj unë i ziu? Lopatat e kazmat e repartit?!… Apo duan të më zhdukin? Përse vallë?… Apo duan që t’u shërbej interesave të tyre?.”
I erdhën këto mendime vetëtimthi, njëlloj siç ndodh nëpër filma… Ndërkohë, civili u përkul, mori diçka poshtë këmbëve dhe u kthye me fytyrë nga ai, me kobure në dorë e një palë pranga gjermane. -Në emër të popullit je i arrestuar! Mos lëviz!…- i tha, ndërkohë që ushtaraku pranë e pushtoi me të dy krahët – Jam përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, vazhdoi, quhem Agim, kurse ushtaraku pranë teje përfaqëson Ministrinë e Mbrojtjes, meqë ti je ushtar. E quajnë Sadik… Futi duart në hekura!

Mos kundërshto! Është e kotë…të humbasim kohë…. Kemi rrugë të gjatë… Jepi! Mos ki frikë!…Jemi Shteti…. Besmirit i shkriu gjaku. Mendoi më të keqen. – S’kam frikë…. s’trembem. S’i kam bërë njeriut keq… as Shtetit! – ia ktheu preras e qortueshëm – Por s’e kuptoj: Jam ushtar që po transferohem…. S’ju njoh…. Pastaj…. Përse kështu…fshehurazi? – S’të japim llogari ty si duhet t’i arrestojmë njerëzit…. Ai që fliste gjithë kohën ishte një nga korifenjtë e Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, i cili edhe sot, në të ashtuquajturën demokraci, “këndon” ende si bilbil nëpër gazeta, duke treguar heroizmat e bashkëpunëtorëve e tij, si në kohën e Diktaturës, kur njerëzit e zinj të Sigurimit përshkruheshin si heronj me ngjyra të flakërimet (!)…Emrin e vërtetë Bedriu ia mësoi gjatë hetuesisë, ngaqë ai iu shfaq disa herë si “specialist”, për t’ ua lehtësuar punën hetuesve për të “zbërthyer” djaloshin-ushtar, ngaqë ky tregohej kokëfortë për të pranuar krimet e bëra për eliminimin dhe rrëzimin e Pushtetit Popullor…. Hiqej i sjellshëm, konfidencial me “ushtarin” e “vulosur” në birucën 47, në Burgut 313, të sigurisë së lartë, në Tiranë, të cilin, ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, nuk e nxirrnin asnjë sekondë në ajrosje, as në dush për të larë trupin ( Ndërsa rrobat e ushtarit, nga zhuli dhe pocaqia ishin bërë si të ngrira, mushama), as tek berberi për ta rruar e qethur, ( tamam si Robinso Kruzo, me flokë e mjekër të gjatë)… E merrnin dhe e sillnin nga hetuesia të mbuluar me batanije, kokë e këmbë)… Mark Dodani, si mjeshtër që “thyente vetëm trimat”, hera-herës e nxirrte “Robinso Kruzo” në tarracën e katit të dytë, ku ajroseshin gratë e arrestuara, pikërisht në orarin e daljes së dy prej tyre, të bukura e të kolme, dhe e provokonte: – Shiko djalosh, jeta për ty që sapo ka filluar është e bukur, tërheqëse… Mirëpo, të ardhmen e ke vetë ti, në dorë… Ne mund të të ndihmojmë që të ecësh në jetë si njeri normal, me nevojat e domosdoshme që ka njeriu i lirë … Nuk ua bëjmë të gjithëve këtë ofertë…Ti përfiton nga mosha dhe inteligjenca që ke…. Ndryshe, me keqardhje ta them se të pret eliminimi!…. I kemi llogaritur më së miri të gjitha. Jashtë është hapur fjala, sikur Bedri Çoku është transferuar në një repart ushtarak në Librazhd, afër kufirit… E kupton lojën tonë? Dy rrugë të kanë mbetur: Po s’pranove të bashkëpunosh… ti tentove të arratiseshe dhe rojat në kufi…të vranë! Me këto shfaqje Besmiri qeshte, sepse i dinte lojërat mashtruese të Sigurimit të Shtetit, nga rrëfimet e babait që kishte qenë 11 vjet në burg…. Ndërsa emrin e ushtarakut, e lexoi në procesverbalin e mbajtur atë natë në burgun 313, pasi e dorëzuan tek rojat e brendshme. Aty ku firmosi Bedriu për sendet personale, kishte firmosur edhe Agron Çoba. Person me të cilin u takua përsëri disa vite më vonë, por jo në kushte të ngjashme, siç gjendej në pozicionin e kapos së Sigurimit të Ushtrisë, por si i burgosur dhe bashkëvuajtës në qelitë e burgut të Burrelit ….

Fotografia e Bedri Coku

 Fotografia e Bedri Coku
 Fotografia e Bedri Coku
Fotografia e Bedri Coku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *