SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetTe tjera

Nga Nikollaq Neranxi/ Për mbledhjen e nesërme të hajdutëve dhe frikacakëve!

Te dashur miq! Ne menyre tinzare, sjellje tipike e atyre qe jane ne sherbim te pushtetit dhe oligarkise, por duke treguar edhe friken nga perballja me popullin, Kryetari i Bashkise Goro, ben nje veprim shume te shemtuar. Ai vendos qe neser, mbledhjen e Keshillit Bashkiak ta zhvilloje ne Kuc, 140 km larg selise se Bashkise. Te kerkosh te perjashtosh komunitetin nga vendimarrja, kur flitet per fatin e zones se tyre, nderkohe qe ata e kane kundershtuar ate plan per disa mbledhje me rradhe, perben shkelje te se drejtes Kushtetuese dhe grabitje e hapur te pronave dhe historise se tyre. Me poshte shkresa qe i kemi derguar Keshillit Bashkiak, Kryetarit te Bashkise Himare, Keshillit Kombetar te Territorit dhe AKPT.

Drejtuar: Këshillit Bashkiak te Bashkise Himare, Spile, Himarë
Për dijeni: Kryetarit të Bashkisë Himarë
Spile, Himarë
Këshillit Kombëtar të Territorit
Sekretariati/Agjencia e Zhvillimit të Territorit
Rr. “Themistokli Gërmenji”, Pall. Frashëri, Tiranë
Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit
Rr. “Muhamet Gjollesha”, Nr. 57, Tiranë

Nga: Shoqata “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës”

Kryetar i Bordit Drejtues Z. Nikollaq Neranxi
Spile, Himarë

Lënda: Ankesë / Kërkesë për refuzimin e miratimit të Planit të Pergjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe kthimin e tij për rishqyrtim autoritetit propozues pasi nuk është respektuar procedura e detyrueshme e planifikimit sipas përcaktimeve ligjore.

Të nderuar Zotërinj,
Shoqata “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” me seli në Spile, Himarë është një organizatë jo qeveritare dhe jo fitimprurëse, e cila ka për objekt dhe qëllim të saj ndërmarrjen e nismave në funksion të interesit më të lartë shoqëror, në mbrojtje të shtëpive dhe pronave të Himariotëve, si dhe në ruajtjen e historisë dhe kulturës së qytetit të Himarës në mënyrë që të lërë të pandryshuar natyrën e bregdetit.
Sjellim në vëmendje se Këshilli i Bashkisë Himarë është thirrur të mblidhet jashtë radhe ditën e mërkurë datë 30.08.2017 ora 11.00 në Njësinë Administrative Horë-Vranisht, fshati Kuc, me pikë në rendin e ditës miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë.
Si përfaqësues të komunitetit dhe në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të anëtarëve të Shoqatës banorë të Himarës, me anë të kësaj shkrese paraqesim kundërshtimin tonë ndaj miratimit të këtij Plani të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe për këtë shkak i kërkojmë Këshillit të Bashkisë Himarë të kthejë për rishqyrtim Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë pasi nuk është respektuar procedura e detyrueshme e planifikimit e parashikuar në ligj.
Konkretisht, Plani i Përgjithshëm Vendor i propozuar për miratim është kundërshtuar publikisht gjatë këshillimeve dhe takimeve publike nga banorët e zonës së Gjirit të Spilesë, Himarë.
Pavarësisht sa sipër, Këshilli i Bashkisë Himarë ka vendosur të shqyrtojë në mbledhje jashtë radhe miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor pa marrë aspak në konsideratë këshillimet publike dhe kundërshtimet e palëve të interesuara.
Në kundërshtim me nenin 24 të ligjit nr. 107/2014, autoriteti përgjegjës nuk ka respektuar procedurën e këshillimit efektiv me publikun për këto arsye:

1. Së pari, mbledhja e Këshillit të Bashkisë Himarë e datës 30.08.2017 është caktuar të zhvillohet në Njësinë Administrative Horë-Vranisht, në fshatin Kuc, vend dukshëm i papërshtatshëm për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Bashkisë Himarë, i cili ndodhet në një zonë e të veshtirë për t’u arritur nëpërmjet sistemit rrugor për shkak të largësisë, relievit të theksuar malor dhe gjendjes së rënduar të rrugës automobilistike.

2. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Himarës të cilët preken nga vendimmarrja e Këshillit Bashkiak janë në moshë të thyer, dhe zhvillimi i mbledhjes së Këshillit Bashkiak jashtë selisë së Bashkisë Himarë (më shumë se 4 orë udhëtim në rrugë të vështirë malore e të pakalueshme për autovetura të zakonshme) e bën të pamundur pjesëmarrjen e tyre duke i mohuar kështu të drejtën e tyre qytetare të pjesëmarrjes.

3. Duke mos ekzistuar asnjë arsye tjetër justifikuese për zgjedhjen e këtij vendi, jemi të bindur se qëllimi i vetëm i organizatorëve është vështirësimi i pjesëmarrjes publike në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Himarë. Ky fakt bie në kundërshtim me parimet themelore të çdo organi administrativ, parimin e ligjshmërisë dhe parimin e transparencës (nenet 4 e 5 të ligjit nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”). Veçanërisht, ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” njeh se mbledhjet e Këshillit Bashkiak janë të hapura për publikun dhe garanton të drejtën e çdo qytetari të marrë pjesë në to.

4. Së dyti, theksojmë se, bazuar në:
· nenin 24 të ligjit nr.107/2014 “Per planifikimin dhe zhvillimin e territorit”,
· nenin 8 të VKM nr.671 datë 29.7.2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”,
· nenin 16 të ligjit nr.139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”,
· nenin 25 të “Rregullores së detyrave dhe përgjegjësive të strukturave të Bashkisë Himarë”,
· nenin 26 të “Rregullores së Këshillit të Bashkisë Himarë”, këshillimi publik është parashikuar si një hallkë e rëndësishme e procedurës së miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor.

5. Autoriteti përgjegjës për hartimin e dokumentit të planifikimit ka për detyrë të organizojë një ose më shumë seanca takimi publik dhe këshillimi përpara çdo vendimmarrjeje që ka lidhje me planifikimin, dhe i përsërit ato, sipas nevojës, me qëllim informomimin e plotë të palëve të interesuara dhe zgjidhjen e konflikteve.

6. Sakaq, palët e interesuara qytetarë të Himarës, banorë të zonave të cilat preken drejtpërdrejt nga ky dokument planifikimi në të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, kanë paraqitur haptazi kundërshtimet e tyre për Planin e Përgjithshëm Vendor të propozuar dhe kanë argumentuar vërejtjet dhe propozimet e banorëve të zonës së Gjirit të Spilesë, Himarë për ndryshime në projektin e PPV-së të Bashkisë Himarë.

7. Së treti, në mbështetje të vërejtjeve apo propozimeve të marra, autoriteti përgjegjës për hartimin e dokumentit të planifikimit duhet të ndryshojë projektaktin ose duhet të japë arsyet e argumentat e moskryerjes së një ndryshimi të tillë.

8. Në këtë aspekt, theksojmë se Shoqata “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” i është drejtuar me kërkesën Nr. Prot.726 datë 25.08.2017 zyrtarisht Këshillit të Bashkisë Himarë dhe Kryetarit të Bashkisë Himarë për të kërkuar shprehjen e qëndrimit mbi kundërshtimet, vërejtjet dhe propozimet e banorëve të Himarës mbi Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë.

9. Ju informojmë se deri më sot, nuk është na është njoftuar asnjë qëndrim nga autoritet përgjegjës për analizimin dhe reflektimin mbi kundërshtimet, vërejtjet e propozimet e banorëve të Himarës për këtë dokument planifikimi.

10. Së katërti, një ndër aspektet e planifikimit të territorit në nivel vendor është përcaktimi i rregullave të zhvillimit, qofshin publike apo private. Kështu, Plani i Përgjithshëm Vendor, mes të tjerave, përcakton llojin e përdorimit të tokës sipas kategorive bazë, treguesit e zhvillimit në nivel nënnjësie, dhe formën e zhvillimit të tokës përmes PDV-ve.

11. Pikërisht përcaktime e mësipërme janë me interes për banorët e Gjirit të Spilesë, Himarë pasi i udhëzojnë ata për si dhe sa mund të zhvillojnë tokën e tyre – pra si dhe sa mund të marrin pjesë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit, nëse u jepet apo jo e drejta e zhvillimit në parcelat e tyre dhe përcaktimet e modaliteteve të përdorimit të këtyre të drejtave.

12. Vlerësojmë se këto aspekte të Planit të Përgjithshëm Vendor prekin të drejtat themelore të qytetarëve të mbrojtura me ligj, siç është dhe e drejta e pronës, e gëzimit dhe posedimit të qetë të saj. Sakaq, paraqitet si kusht thelbësor për respektimin e këtyre të drejtave pronësore të Himariotëve marrja në shqyrtim nga ana e autoriteve përgjegjëse i kundërshtimeve dhe vërejtjeve të banorëve të Gjirit të Spilesë, Himarë.

13. Së fundmi, qyteti i Himarës dhe veçanërisht Gjiri i Spilesë, Himarë, janë zona të rëndësisë kombëtare për karakteristikat dhe historinë qindravjeçare të tyre. Në këto zona banojnë familje Himariote autoktone që synojnë të ruajnë dhe të trashëgojnë ndër breza kulturën dhe qytetin e të parëve të tyre, duke ruajtur të pandryshuar natyrën e bregdetit dhe shtepite qindravjecare qe ne mbare boten e qyteteruar, askush nuk guxon tju preke as edhe nje gur por perkunrazi i ruajne si nje aset i cmuar duke nderhyre vetem ne rikonstruksion, pa i prishur origjinalitetin. Kjo veçori e këtij komuniteti do të jetë një vlerë e shtuar për zhvillimin e mëtejshëm të zonës, jo vetëm në turizmin bregdetar por edhe kulturor të qytetit. Me këtë qëllim, komuniteti himariot kërkon rishikimin e Planit të Përgjithshëm Vendor duke u mbështetur në propozimet e banorëve autoktonë për të arritur një kthim në identitet të qytetit bregdetar të Himarës.
Për sa sipër, bazuar në nenin 25 të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” Këshilli i Bashkisë Himarë duhet të vendosë kthimin për rishqyrtim autoritetit propozues të Planit të Përgjithshëm Vendor me qëllim përmirësimin dhe rishikimin e dokumentit të planifikimit duke pasqyruar kundërshtimet, vërejtjet e propozimet e banorëve të Himarës.
Kjo kërkesë e Shoqatës “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” gjen mbështetje në nenin 20 të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe në nenet 24 e 25 të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e institucionit tuaj,
Ju falenderojmë paraprakisht!

Me respekt,
Z. Nikollaq Neranxi
Kryetar i Shoqatës “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës”

Fotografia e Nikollaq Neranxi

Fotografia e Nikollaq Neranxi

Fotografia e Nikollaq Neranxi

 

Fotografia e Nikollaq Neranxi

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?