Nga Roland Bejko: Pushteti si trashëgimi e diktatorit të fundit komunist

Aktualitet Te tjera

Ramiz Alia, si i fundmi diktator komunist i Shqipërisë vërtet ka vdekur, por litarin e tashëgimisë së pushtetit e ka lënë si Nastradini jashtë varit të tij.

Dhe andej nga thellësitë e Hadit ( të erësirës) ku gjendet ai e lëshon dhe e tërheq litarin e pushtetit sipas rastit e sipas njerëzve. Varet nga rrethanat. Por varet edhe nga partitë.
Kur në pushtet është PS, e tendos më shumë, kur është PD e tërjeq herë pas here, për ndonjë “bir” a ndonjë “bijë” nga familja e vjetër komuniste.

Nëse mendon kush se Kryetari i Parlamentit, një ish ministër i brendshëm i diktaturës komuniste dhe anëtarët e kabinetin qeveritar, mes të cilave edhe e bija e njërit prej anëtarëve të byrosë famëkeqe të diktaturës, i emëroi Edi Rama me mendjen e vet, gabon rëndë.

Sot Edi Rama ishte thjesht spikeri. Një spiker i jo i qetë, nervoz, agresiv, gati i droguar.

Hartuesi i vërtetë i listës është SISTEMI. Është “Kushtrimi i Brezave”, është klubi i LANÇ-it, është dora e oligarkëve të Nushëve&Co, komunistëve-kapitalistë që operojnë pikë për pikë sipas testamentit të Ramizit në 1990-ën.

Po, po, po përmbushen pikë për pikë pikat e testamentit që ka lënë në sirtar Ramiz Alia. Është klubi i LANÇ-it, janë gjysëmopingarët që morën pushtetin me gjak në 1944 duke përmbysur elitën e pasur dhe ajkën intelektuale të këtij vendi ata që bëjnë ligjin në këtë vend, që drejtojnë të gjitha pushtetet dhe që kontrollijnë 90 % të pasurisë kombëtare.

Po, po është ai SISTEM që ne për 27 vjet nuk e përmbysëm dot, nuk e zhbëmë dot, nuk e tjetërsuam dot. Madie i shërbyem, herë për interesa paraje, herë nga naiviteti, herë nga besimi, herë të gënjyet, dhe shumë herë, pse jo, nga idealizmi naiv.

Po po, nuk është Edi Rama ai që hartoi listat e kabinetit qeveritar dhe drejtimit të parlamentit.
Është Ramiz Alia me pasardhësit e tij. Janë ata që me duart e tyre të padukshme luajnë telat e kukullave politikë dhe ekonomikë në këtë skenën e qelbur të teatrit absurd që luhet për këtë spektatorin tonë naiv që e ha sapunin për djadhë, lehtësisht.

Sistemi politik në Shqipëri, është si rrjeta e MATRIX. Nuk të lë të depërtosh brenda saj sado ta meritosh, sado të përpiqesh, sado i dobishëm të jesh, sado i aftë, profesionist, i moralshëm a i ndershëm qofsh. Sidomos po ishe i ndershëm, jo bashkëpuntor, jo spiun, jo me lidhje të forta me të shkuarën komuniste. Për ta je i rrezikshëm, i padëshiruar, i urryer, i huaj. Ndaj ky SISTEM të flak dhunshëm. Prandaj shqiptarët e tjeshtë po ikin përditë e më shumë nga ky vend. Janë të huaj për këtë sistem. Nuk kanë asnjë pikë pjekje me të.

Pushteti në Shqipëri është një sistem i mbyllur, i kontrolluar, nepotik,i trashëgeshëm…

Prandaj pushteti në Shqipëri është një sistem i mbyllur, i pashpresë, nepotok, jo meritokratik, i korruptuar, dhe më e rënda, i KRIMINALIZUAR !

Kjo është sfida e re për Lulzim Bashën.

NDARJA E QARTË NGA TRASHËGIMIA KOMUNISTE E RAMIZ ALISË!

NDARJE DHE DISTANCIM I QARTË NGA TRASHËGIMIA E PRAKTIKAVE TË REKRUTIMIT NË NIVELE TË LARTA BRENDA PD-SË TË PINJOLLËVE QË VIJNË NGA TRASHËGIMIA E SIGURIMIT TË SHTETIT DHE DREJTUESVE TË LARTË TË NOMEKLATURËS TË LIDHUR SOT ME OLIGARKËT QË I FINANCOJNË HAPUR ME PARA DHE MEDIA.

KONSIDERIMI I TYRE NGA PD SI KUNDËRSHTARË TË PËRJETSHËM.

Ndryshe Shqipëria do jetë pengu i përjetshëm i pinjollëve, dhe brenga e përjetshme e çdo shqiptari që mezi e shtyn jetën nën thundrën e tyre këtu a në arati qofshin.

Kjo që ndodhi sot, është një shpullë e rëndë për të gjithë ne që besuam në vitet 90-të se me rënien e bustit, pluralizmin politikik dhe fjalën e “lirë” shembëm komunizmin. Gjenerata e pas ’90-ës e humbi shansin për të jetuar të lirë në një Shqipëri demokratike.

Tani, për fajet tona, po marim në qafë dhe fëmijët tanë, gjeneratën tjetër, duke i lënë “të qeverisen” nga të njëjtët kriminelë dhe pinjollët e tyre.

Tani ne si opozitë duhet të bëjmë shpejt e shpejt dy gjëra:

1. T’ju kërkojmë ndjesë fëmijëve tanë që e lamë fatin e së ardhmes së tyre në duart e përgjakura të pinjollëve komunistë.

2. Të hartojmë urgjent strategjinë e përmbysjes së tyre me të gjitha mjetet demokratike.