Poezi nga Alban Bala
VEÇ EJA
Eja siç vjen në lutjen time mbrëmjes
E vogël, e pambrojtur, e brishtë
Eja si drita mbi fildish, si bleta
në zemër të lules, eja
Si kënga e ujit në natën e thellë,
Eja
Si heshtje, si fjalë, si kuptim.
Si harku i ylberit mbi ujvara
Eja
Si mëngjesi që shtyn hënën me puthje
Rrezesh të njomura me vesë…
Eja
Si zëri që del nga kitara
E kohës, si dridhja e lëkurës në prekje
Butë.
Eja si dhimbja që lënë dallëndyshet në vjeshtë
Si flakëza e fundit e zjarrit në agim
Si xixëllonja mbi dorëzonjat në maj, eja
Si lulëkuqet
Që ndizen mes grurit, si fëmijët
Veç eja
Eja të të them se kur ti vjen
gjithë bota
vjen me ty.

Total 0 Votes
0
0
