Taulant Balla në krye të grupit që do të ketë në dorë fatin e punësimit të mijëra anëtarëve të ish-aleatit qeverisës

Aktualitet Te tjera

Edi Rama e ka seriozisht flakjen e gjithë anëtarëve të saj nga administrata, menjëherë pas formimit të qeverisë së tij në Shtator. Madje nuk janë të pakta lajmet që vijnë nga Qarqe të ndryshme, që ky çmontim i pushtetit të LSI-së ka nisur që këto ditë.

E gjithë kjo situatë ka ngritur alarmin brenda forcës politike, që është përbetuar tashmë, se do të pozicionohet si një opozitë e egër kundër monoqeverisjes së Edi Ramës, në katër vitet e ardhshme. Gazeta zyrtare e kësaj partie, “Integrimi” në numrin e saj të sotëm i ka kushtuar faqen nr.3, planit të kryeministrit për këtë “fshesë” masive ndaj përfaqësuesve të saj në administratë. Një nga titujt kryesorë në faqen e parë është: “Plani i Edi Ramës, për të shkatërruar administratën publike, duke e larguar Shqipërinë nga BE-ja”.

Gazeta paralajmëron, se hakmarrja e pritshme e Edi Ramës përkundrejt LSI-së duke shkelur ligjin për administratën publike, do të jetë një hap pas, për synimin e Shqipërisë për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në shkrim kujtohet, se reforma në administratën publike ka qenë një nga kushtet kryesore, për të marrë këtë status.

Por duket se Edi Rama nuk ka ndërmend të heqë dorë, nga operacioni “LSI për skrap”.

Dy ditë më parë kryeministri në takimin që pati në kryeministri me 140 kandidatët e PS-së për deputetët, shumicën e fjalimit të tij e fokusoi te çmontimi i “tepsisë” në qeverisje. Madje ai ngriti edhe një grup pune të drejtuar nga Taulant Balla, për të evidentuar në gjithë administratën shtetërore dhe pushtetin lokal, të gjithë ata individë që sipas tyre janë në detyra vetëm për merita partiake dhe asgjë më shumë. Nuk do shumë mënd për të kuptuar, se bëhet fjalë vetëm për të punësuarit e LSI-së e cila u identifikua nga kryeministri gjatë gjithë fushatës elektorale, si “Tepsia që duhet çuar për skrap”.

Vendosja e Taulant Ballës në krye të këtij grupi që do të ketë në dorë fatin e punësimit të mijëra anëtarëve të ish-aleatit qeverisës, duket se nuk është rastësore. Kujtojmë se menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013 të koalicionit PS-LSI, u ngrit një grup pune i përbashkët pikërisht për ndarjen e “tepsisë” së pushtetit të sapo marrë. Partinë Socialiste në këtë “komision” punësimesh e përfaqësonte pikërisht Taulant Blla, kurse Lëvizjen Socialiste për Integrim eksponentë të lartë, si Monika Kryemadhi e të tjerë. Pra duket qartë se Balla është njeriu që ka në dorë listat e vjetra të “tepsisë” që nuk hyn më në punë dhe kjo ja bën më të lehtë detyrën e çmontimit të pjesës së partisë, që tashmë është shndërruar, “një vrimë në ujë”.

Mësohet se gjatë pjesës së takimit, pa gazetarë, me deputetët e ardhshëm të grupit parlamentar të PS-së, Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të rinj, që të mbledhin të dhëna duke formuluar dosje, për çdo “shqetësim” që kanë socialistët në qarqe, për sa i takon problemeve brenda administratës. Bëhet me dije se te përpilimi i të dhënave do të fokusohet kryesisht për emrat, që përfaqësojnë LSI-në dhe se në këto dosje do të përfshihet çdo gjë; duke filluar nga arsimimi, performanca, shkeljet në punë, abuzimet etj. Duket se nuk do të kemi thjesht “një çuarje për skrap”, por edhe ndjekje penale për pjesën e “tepsisë”, e cila që nga Shtatori do të jetë edhe formalisht në opozitë. Gati të gjithë fushatën zgjedhore që rezultoi efikase, Edi Rama e zhvilloi mbi retorikën kundër administratës së politizuar dhe “bosnjëzimit” të saj. Operacioni ka filluar. Tani pritet të shohim strategjinë e LSI-së, për të mbrojtur dhe shpëtuar ç`të mundet nga njerëzit e saj të shumtë, të punësuar në shtet.

SYRI.net

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?