Nga Sokol Gjoni/ Jo debatit shterues, po harmonizimit të qasjeve!

Aktualitet Shkrime

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit, ku PD-ja mori një rezultat të pamenduar, debati politik i këtyre ditëve të nxehta është zhvendosur në selinë blu, duke mbajtur të ngërthyer në poligone tabore dhe formacione, të cilat më së shumti janë përvijuar dhe shpërfaqur si grupe me tendenca për “larje hesapesh”. Linçimi dhe retorika përjashtuese ndaj njëri-tjetrit i bën palët “palë” në absurdin e trajtimit të situatës, duke anashkaluar thelbin e debatit dhe duke mohuar rrugët e daljes nga gjendja e pazakontë në të cilën ndodhet PD-ja që nga krijimi i saj. Duke ndjekur dinamikën e zhvillimeve të brendshme, artikulimet dhe retorikat, të cilat tejkalojnë masën e politikës së ditës, befas kuptojmë, se përplasjet esencialisht nuk janë parimore dhe opsionale, por kanë brenda tharmin e interesave të tyre personale, të cilat i kanë të lidhura ngushtësisht me politikën. Si njëri prej dhjetëra e mijëra demokratëve anëkënd Shqipërisë, presim ngjizjen e një debati të shëndetshëm, ku të shtrohet imperativisht vizioni dhe platforma për ringritjen e PD-së, duke çmuar dhe konsideruar shkaqet dhe faktorët e situatës aktuale.

Askujt nuk i shërben kjo leqendisje, pa pikën e shijes së debatit, por thjeshtë tendosje në nivelin e pakuptimësisë, çka e vë anëtarësinë në dilema dhe pikëpyetje të mëdha. Ne presim nga ju, reflektim të thellë, duke artikuluar mesazhe ndjesore dhe përmbajtësore ndaj qytetarëve në përgjithësi, dhe demokratëve në veçanti. Shkrehja e kobureve (me gjasmë dhe e topave) ndaj formacioneve të zbritura në këtë fushëbetejë e bën akoma më të mjegullt horizontin e gjetjes së zgjidhjeve racionale. Le të mendojmë për pak çaste anëtarin e thjeshtë, i cili i mbrujtur me idealet e tij, i brumosur shpirtërisht me doktrinën ideologjike që përfaqëson PD-ja, shikon i shastisur këtë palodebat, ku kryefjalë mbetet denigrimi dhe anatemimi.

Ç’mund të kërkojmë nga anëtarësia, nga votuesit tanë, të cilët përmes kësaj paloshfaqjeje, përmes akuzave të ndërsjella, përmes zhargonit anatemues dhe intonacionit mllefosës, r mësojnë cilësinë reale të përfaqësimit dhe të qeverimit të tyre kur PD-ja ishte në pushtet. Asnjëri prej këtyre fjalamanëve që kapardisen me paradigma statutore dhe me sintagma proceduriale nuk është dëgjuar të flasë për gjendjen reale në të cilën ndodhen mbështetësit dhe votuesit e PD-së, të cilët përtej bëmave të sojit në fjalë, vazhdojnë ta mbështetin fuqishëm PD-në. Këta të kapardisur, kanë harruar diskriminimin politik që u bëhet mbështetësve tanë, nuk vlerësojnë vështirësitë me të cilat përballet elektorati i djathtë, nuk çmojnë qëndresën e anëtarësisë, por merakun e kanë në protagonizmin e tyre dhe në mbajtjen e fijeve që sigurojnë të mira personale.

Broçkullnajat e ngritura dhe të proklamuara përmes një debati shterues, pa artikulim perspektive dhe vizioni, nuk shërbejnë në fomësimin e një zgjidhje të matur dhe racionale, por do të projektonte thellimin e një krize brenda radhëve tona, përgjegjësit e së cilës, pa mëdyshjen më të vogël janë ata që po inspirojnë këtë debat të sforcuar. I bindur, se brenda radhëve tona ka shumë punë për të bërë në drejtim të evidentimit dhe analizimit me përgjegjësi të situatës, duhet sa më parë të adresohen rrugët e daljes, të cilat vijnë përmes evitimit të gjuhës përjashtuese dhe të harmonizimit të qasjeve të ndryshme.