Nga Fatmir Ali Guda/ Demokratët presin të kenë një kryetar pa kushte dhe pa teka

Aktualitet Analize Shkrime

Rezultati i humbjes së thelluar të PD më 25 Qërshor ka bërë të ndihet keq çdo demokrat, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” e deri në skajin më të largët në Veri apo Jug të vendit. Dhe jo vetëm kaq, por ta ndjekin me shumë shqetësim polemikën e shpërthyer për njeriun që do i prijë opozitës në 4 vitet e ardhshme, sidomos pas ngrirjes së funksioneve drejtuese prej kryetarit të PD, Z.Lulzim Basha, si pjesë e përgjegjësisë kryesore që ai i njohu vehtes për humbjen e demokratëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ky debat madje nuk ka lënë pa përfshirë gjithë opinionin publik përtej antarësisë dhe simpatizantëve të partisë demokratike, i cili po përjeton mbase për herë të parë një përplasje kaq të fortë mes emrave që vetëm armiqësi të shtirur dhe bonsens nuk duket të kenë mes njëri-tjetrit. Kjo në fakt përveçse e trondit jo pak anëtarësinë e PD, e cila vetëm prej një jave më parë ka akoma të hidhur shijen e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, i jep PD fizionominë e një partie me debat real që përtej emrit të kryetarit të rradhës, prodhon demokraci të shëndetshme. Një demokraci e prodhuar prej një gare reale dhe jo si ato që janë parë të ndodhin deri më sot në gjithë spektrin politik shqiptar pas viteve ’90. Ankthi që shoqëron demokratët e thjeshtë ka të bëjë me faktin se sa do prodhojë kjo garë reale një lidership të gjithë pranuar e parasëgjithash një stabilitet politik brënda PD, me qëllim evitimin e një çarrje që mund të jetë mbase e pashmangshme e jo pa pasoja serioze për të djathtën. Shënjat në fakt nuk të lënë shpresohet për shumë optimizëm, pasi njëri prej ish-eksponentëve të njohur si pjesë e korrentit politik Olldashi brënda PD, ish-kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, ndryshe nga ish-kryetari Eduart Selami apo dy emra të tjerë që janë rregjistruar si kandidatë për kreun demokrat, ka deklaruar se është pretendent për kandidat, një status ky që e ka shfaqur atë paragjykues për rregullat e lojës në garën për shefin e demokratëve, pavarsisht se tre ditë më parë ai ka qënë kategorik kundër kandidimit për këtë post. Sigurisht që serioziteti i kësaj iniciative nga më të guximshmet në karrierën e vet e bën Astrit Patozin të jetë në të drejtën e vet legjitime të paragjykojë, ndërsa në garë është dhe kryetari aktual i PD Lulzim Basha, i cili ndonëse për të ofruar një kompeticion fairy, ka hequr dorë nga funksionet organizative, pa diskutim ka avantazh komunikimin e pa munguar jo vetëm me kryetarët e degëve të PD në këto 4 vitet e fundit, por edhe kontaktin me anëtarin më të thjeshtë të PD sidomos gjatë 3 muajve komunikim të përditshëm në institucionin e çadrës para kryeministrisë, apo gjatë një muaji fushate intensive në çdo cep të vëndit për zgjedhjet parlamentare. Një mundësi kjo që as Eduard Selami, as Astrit Patozi nuk e kanë patur si pasojë edhe e nje aktiviteti tepër të tkurur dhe të tërhequr politik nga ana e tyre. Natyrisht, kjo pikë e dobët e dy rivalëve kryesorë të Bashës ka bërë që secili prej tyre ta trajtojnë sipas mënyrës së vet. Ndërsa z.Selami e ka bërë fakt të kryer kandidimin dhe i është përveshur kontakteve me kryetarët e grupeve të punës, kryetarët e degëve, njohjes me listat e antarësisë dhe hartimin e platformës së vet për kreun e PD, Astrit Patozi ka zgjedhur të përplaset fort me Lulzim Bashën, duke e anatemuar publikisht dhe sfiduar atë për plotësim sipas tij të kushteve të munguara të garës , megjithëse, për shkak të delegimit të funksioneve organizative dy nënkryetarëve të PD, z. Basha është njëlloj i pamundur si çdo kandidat tjetër të diktojë grupin organizator të punës për kondicionet e kërkuar nga kandidatët e tjerë. Nuk dihet se pas të qënit kandidat për kandidat z. Patozi e ka seriozisht kandidimin apo thjesht në skenarin më të keq po tenton të bëjë pis proçesin me synim linçimin e Bashës referuar ligjëratës së derisotme të tij, si një kryetar uzurpues, duke i dhënë udhë asaj që deri më sot duket e pabesueshme, krijimin e një force politike më vehte me pjesmarrjen e mundshme në të, të atyre që sot konsiderohen ish-të plotpushtetshmit demokratë, të pakënaqur prej mbetjes jashtë listës Basha 2017. Në këto rrethana, të vetmit që po e përjetojnë me preokupacion ankthi këtë klimë tensioni janë demokratët, viktimat direkte të nëpërkëmbura prej pushtetit socialist të Edi Ramës, që përtej zhgënjimit nga humbja e zgjedhjeve, më shumë sesa kushte garimi, janë duke i suportuar pretendimet e Astrit Patozit si teka apo pretekse për t’i hedhur baltë asaj që s’mund ta arrijë dot. Atyre u lipset një kryetar unifikues, një lider që ta çojë PD në qeverisjen e vëndit dhe aspak një kryetar tekanjoz.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?