Nga Bruna Ismaili/ PD si e vetmja shpresë për vendin!

Aktualitet Analize

Tashmë edhe pas 4 vitesh në opozitë, me të pakënaqurit me Partinë Demokratike vazhdojnë të jenë ende demokratët, nëse parimisht do të kemi parasysh mungesën e pritshmërive që kanë votuesit e forcave të tjera politike mbi këtë parti. Shkak për këtë pakënaqësi, vazhdon të jetë zhgënjimi që pësuan nga qeverisja e tyre e djathtë gjatë 8 viteve, sidomos në 4-vjeçarin e fundit kur u detyruan të ndanin pushtetin me partinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me të cilën Partia Demokratike krijoi koalicionin paszgjedhor, imponim i ardhur si rrjedhojë e leximit të votës së elektoratit shqiptar dhe domosdoshmërisë së plotësimit të numrave në parlament për krijimin e qeverisë së re.

Edhe pse qeverisja e Partisë Demokratike gjatë mandatit të parë, pati një bilanc të kënaqshëm arritjesh në aspektin ekonomik, politik dhe atë social për shkak të vullnetit të saj pozitiv, jehona që e shoqëroi, zhurma negative e amplifikuar nga opozita e asaj kohe, arriti të zbehte dhe të rrudhte besimin e elektoratit ndaj Partisë Demokratike për të qeverisur e vetme edhe një mandat të dytë. Kësisoj, nuk arritën të vlerësoheshin mjaftueshëm e për pasojë të konkretizoheshin maksimalisht me votë në përfundim të mandatit, disa arritje mbresëlënëse të qeverisjes së djathtë, të cilat nëse do të ishin realizuar nga koalicioni i sotëm qeverisës, qartësisht do të përbënin sfidë dhe do të konsideroheshin luks për opinionin publik.

Në një demostrim të shkurtër, disa nga këto arritje të kryera nga qeverisja e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj ishin investimet në infrastruktura bashkëkohore rrugore në të gjitha akset e Shqipërisë. Këto investime krijuan lidhje nënstrukturore të këtyre akseve me të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit të shoqëruara paralelisht me sistemin e kanalizimeve, ndriçimit, ujit të pishëm dhe sinjalistikës së nevojshme. Infrastruktura rrugore u shtri mbi, dhe nën tokë. U ndërtuan më shumë se 10.000 km rrugë, duke lidhur me rrugë të asfaltuara mbi 900 fshatra me komunat si dhe 169 komuna me infrastrukturën rrugore kombëtare. U ndërtua boshti Veri-Jug, rruga e Bregut dhe 273 rrugë nga Valbona në Qafe Botë, nga Morina në Qeparo, nga Golaj në Progonat, nga Kapshtica në Murriqan, nga Velipoja në Çajup, nga Bllata në Sevaster. 364 ujësjellës të rinj, 419 sisteme kanalizimesh, 16 impiante të pastrimit të ujërave të përdorura, 10 landfille të përpunimit të mbeturinave të ngurta. U bë i mundur strehimi për 7220 familje të pa streha, u legalizuan 78 mijë ndërtime pa leje dhe u lanë të gatshme 45 mijë leje të reja. Ndërkohë u krye kalimi i pronësisë për 120 mijë ndërtime në total si dhe iu kthye prona mijëra pronarëve të ligjshëm. Partia Demokratike i dha Shqipërisë një aeroport ndërkombëtar model dhe një port detar shembullor, si ai i Durrësit. I dha një model të ri të planifikimit hapësinor dhe një sistem të ri të inventarizmt të mjeteve motorike. Nisur nga puna e realizuar, as ndërtimi i veprës më të madhe rrugore në historinë e Shqipërisë, ndërtimi i Rrugës së Kombit “Durrës-Kukës”, nuk e bëri të mundur fitoren masive të PD-së në 2009, për shkak të propagandës zeruese që iu bë veprimtarisë së saj nga ish-opozita e vendit. Rezultati i zgjedhjeve të 2009-tës, tregoi se pritshmëritë e elektoratit ishin më të mëdha edhe pse u rritën të ardhurat e buxhetit familjar, u rrit siguria në vend suksesi i të cilës ishte çuarja përpara drejtësisë i 201 grupeve kriminale. U realizua rritja e mundësive të barabarta në konkurim si dhe rritja e vlerësimit për bizneset.

Qeveria e djathtë krijoi më shumë lehtësi në veprime me ngritjen e sistemit elektronik të konkurrimit, të regjistrimit dhe liçensimit si dhe në informimin dhe barazinë para ligjit. Ajo mbështeti me fonde sociale në formë granti bashkitë dhe komunat për të ndihmuar të vobektët dhe të papunët. Gjithashtu, kreu një sërë reformash ligjore në sistemin tatimor, doganor dhe atë fiskal të cilat shënuan arritje të madhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Kjo arritje u konkretizua me prurje financiare në të ardhurat e buxhetin të shtetit, ku në krahasim me vitin 2005, rezultoi se në vitin 2009 të ardhurat financiare nga sistemi tatimor dhe ai doganor, sollën në buxhetin e shtetit 4.2 milion euro më shumë. Si rrjedhojë e rritjes së buxhetit, qeveria miratoi dhe financoi buxhete shtesë për strukturat shtetërore. Investimet në vend, duke nisur me ato të huaja, u rritën ndjeshëm. Papunësia u ul. Për pasojë rritja ekonomike pati një ngritje të konsiderueshme e cila kulmoi në vitin 2008 në shifrën e 7.5 %. Një tjetër arritje e qeverisjes së Partisë Demokratike ishte, se për herë të parë në historinë e Shqipërisë u sigurua energjia elektrike pa ndërprerje për qytetarët shqiptarë. Shtetasit më në fund dalluan hapësirat e banueshme edhe natën. Reformat u vlerësuan edhe nga BE, vlerësim i cili bëri të mundur që më 1 prill 2009, të hynte në fuqi MSA (Marrëveshja e Stabilizim Asociimit), duke i hapur rrugën Shqipërisë drejt aplikimit për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat.

Gjithashtu më 9 korrik 2008, të 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë. Shqipëria për të parën herë mori pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO. Me gjithë sukseset e arritura, qeveria e djathtë u vu në pikëpyetje për shkak të disa skandaleve që prekën veprimtarinë e saj, duke dhënë impakt negativ në opinionin publik. Aksidenti me pasoja të rënda që u shkaktua në Gërdec, me jetët e humbura që la pas, shkaktoi dhembje dhe zemërim të madh në popull, zemërim që u shumëfishua me tjetërsimin që iu bënë shkaqeve të aksidentit.

Aksidenti u shfrytëzua dukshëm nga kundërshtarët politik për të zbehur dhe mohuar arritjet dhe sukseset e deriatëhershme të qeverisjes, madje u përdor si kalë beteje për fuqizimin e tyre. Një taktikë tjetër e përdorur nga ish-opozita, ishte inskenimi dhe denigrimi i figurave të zyrtarëve të lartë, pa pasur parasysh asnjë normë morale dhe njerëzore. Të gjitha këto pakënaqësi të akumuluara, bënë që zgjedhësit në zgjedhjet e 2009-tës, t’i jepnin PD-së besim të pamjaftueshëm e për rrjedhojë një numër të kufizuar mandatesh, duke e bërë kështu të pamundur të qeveriste e vetme. Rezultati i zgjedhjeve, i diktoi kryetarit të partisë së parë fituese të asaj kohe, të ftonte në koalicion partinë e tretë në renditjen zgjedhore, për bërë të mundur krijimin e qeverisë duke u bazuar në kushtetutën e vendit. Qeverisja e koalicionit në katërvjeçarin e dytë 2009-2013, ishte vazhdim i arritjeve të qeverisë së mëparshme, por u ndoq edhe nga problematika të shumta.

Problemet kryesore ishin, kriza botërore e cila pati ndikim në tkurrjen e zhvillimit ekonomik, si dhe rritja e korrupsionit për shkak të ndarjes së pushtetit, gjë që çoi në mosmbajtjen e përgjegjësive në mënyrë të drejtëpërdrejtë të një pjese të funksionarëve, përfaqësues të dy partive kryesore që përbënin koalicionit qeverisës. Si arritje madhore e koalicionit qeverisës veçohet plotësimi i të gjitha kushteve dhe kritereve për realizimin e heqjes së vizave me vendet e Bashkimit Europian. Pas miratimit nga Parlamenti Europian, vendimi hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010. Vepra kryesore që i dhuroi vendit ky mandat qeverisës, ishte ndërtimi i tunelit të Elbasanit, edhe pse miratimi i investimit të tij hasi në kundërshtime të papreçedenta nga opozita. Siç dhe rezultoi, humbja e besimit ndaj Partisë Demokratike si drejtuese e koalicionit dhe sjellja pragmatiste e elektoratit drejt LSI-së ose ndryshe drejt “pushtetit të ardhshëm”, u reflektua në rezultatin e dobët në zgjedhjet e radhës të 2013-ës. Prej atëherë kanë kaluar katër vite, në të cilët Shqipëria është qeverisur nga një tjetër koalicion, në të cilin ish-aleati i PD-së, LSI, ka qenë shumë më tepër i përfshirë në qeverisje se në kohën e bashkëqeverisjes me PD-në. Atëherë si shpjegohet, se edhe pas kaq vitesh, me një qeverisje aktuale krejtësisht të dëmshme për vendin dhe për jetët e gjithsecilit, pakënaqësia e demokratëve me partinë e tyre vazhdon?

Faktor i rëndësishëm i pakënaqësisë mbetet krijimi i disniveleve ekonomike brenda individëve të së djathtës. Për tetë vite me radhë, edhe pse rezultatet e punës së tyre në ekip ishin pozitive, benefitet e përfituara personalisht nga të njëjtët zyrtarë, disniveli ekonomik që krijuan me pasuritë e akumuluara, prodhoi impakt negativë që u shoqërua me skepticizëm dhe zemeratë tek të ngjashmit e tyre. E gjitha u bazua mbi faktin se në 2005 të djathtët e kishin nisur betejën nga e njëjta llogore ekonomike. Sot një pjesë e këtyre individëve të fuqishëm financiarisht, që e ndjejnë veten flamurtarë të së djathtës, pretendojnë të jenë pjesë e vuajtjes së demokratëve të thjeshtë të cilët në situatën e sotme përbëjnë kategorinë më të diskriminuar nga qeveria aktuale. Kjo kategori po paguan sot faturën e papunësisë pavarësisht se posedojnë zotësi dhe aftësi profesionale të cilat kjo qeveri refuzon t’ju a marri në konsideratë. Ndërsa në tërësi opinioni publik u indinjua për shkak të çmontimit dhe rritjes së burokracisë që pësoi administrata. Fenomeni i punësimeve pa meritokraci por me aplikimin e formulës së 20%, u përhap si gangrenë në administratën publike. U krijua idea se shpresa e vetme për t’u punësuar ishte ajo e anëtarësimit në partitë që e aplikonin këtë formulë. Për pasojë nga ky hendek i krijuar, përfituan e u fuqizuan, duke i hapur rrugën ardhjes në pushtet, individëve edhe më të korruptuar, deri individëve të inkriminuar.

Sot të gjitha këto reminishenca, vështirësia reale për t’u angazhuar dhe për t’u bërë pjesë e dukshme e opozitës për shkak të kërcënimeve që ushtron kjo mazhorancë, kërcënime që shkojnë deri me bukën e gojës, japin përshtypjen e një opozite jo fort aktive. Gjithsesi, opozita më e fuqishme, ajo realja, ekziston si energji brenda shpirtit të shumicës së shqiptarëve pavarësisht shfaqjes së saj të jashtme. Kjo energji, nga dita në ditë po merr përmasa të mëdha, sepse gjithsecili arrin të konstatojë pamundësinë e tij për të jetuar në standarte normale; për të jetuar në një gjendje ekonomike e cila nuk e kërcënon deri tek pamundësia për te mbyllur muajin edhe për shpenzimet ushqimore. Kursimet e shumë viteve të mijëra familjeve janë zhdukur. Më e rëndësishmja, qytetarët e papunësuar, jo në rangun partiak por në atë kombëtar përballen me problemin e ekzistencës, dhe një pjesë e madhe prej tyre mundohen pa u shpërblyer. Shtresa e mesme e popullsisë sa vjen dhe tkurret duke mos pasur mundësi të investojë apo të krijojë ashtu siç do te duhej të vepronte në një shoqëri të civilizuar. Shkaktarët e këtyre fenomene regresive janë ulja e sigurisë në vend, rritja e frikshme e korrupsionit qe ka mbërthyer institucionet shtetërore, tendenca e zhvillimit ekonomik mbi baza jo të shëndetshme por të kriminalizuara, shkaqe keto të cilat kanë cuar në rënien drastike të investimeve të brendshme dhe të huaja.

Vërtet opinionit publik është i bindur se ish-qeverisja e djathtë prodhoi të korruptuar, por ata nuk u faktuan dhe nuk u ndëshkuan kurrë edhe pse kanë kaluar afro katër vite nga dhënia e premtimit për ndëshkimin e tyre, duke e bazuar të gjithën mbi vullnetin e pretenduar dhe mbi numrat e shumtë që pati në dispozicion koalicioni i sotëm qeverisës. Edhe misioni mbi të cilin u zotua qeveria e re për të përmirësuar gjendjen e rënduar të lënë pas nga qeveria e djathtë, nuk u realizua kurrë. Përkundrazi, fenomeni u shumëfishua e u përkeqësua. Motoja e tyre nuk rezultoi të ishte “të pastrojmë shtetin nga individët e korruptuar” por “t’i zëvendësojmë ata me njerëzit tanë, më të inkriminuar, më të korruptuar dhe më të shumtë në numër”. Gjithashtu, vërtetë qeveria e koalicionit të djathtë nuk arriti të forconte si do të duhej institucionet e vendit dhe shtetin e së drejtës, por brishtësia e numrave të saj në kuvend, mungesa e mbeshtetjes deri dhe lufta ekstreme qe zhvillonte opozita, e bënte të pamundur dhe në dhjetra raste mjaft të sforcuar marrjen e vendimeve. Këto vendime të sforcuara, bënë që Sistemi i Drejtësisë të dobësohej dhe jo të forcohej duke mos i dhënë mundësi ndërtimit të një sistemi drejtësie me standarte të përmirësuara. Vetë drejtësia nuk mori asnjë masë për hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion. Edhe ato pak raste që u ndoqën, u keqpërdorën dhe u vunë nën shënjestër për qëllime shantazhimi.

Pavarësisht gjithkaje, forca e djathtë politike, në tërësi tregoi se kishte vullnetin e mirë për t’i shërbyer vendit, duke e faktuar veprimtarinë e saj mbi të gjitha arritjet e lartëpërmendura. Janë arritje të cilat, në ndryshim nga ato që konsiderohen sot si arritje të qeverisë aktuale, janë të prekshme dhe të shfrytëzueshme per të gjithë shqiptarët. Janë këto rezultate që duhet t’i japin vendit shpresën e madhe, se duke e mbështetur këtë forcë, dhe gjithashtu duke vlerësuar proçesin që zhvilloi në ripërtëritjen dhe ringritjen e saj, kjo forcë në katërvjeçarin e ardhshëm do të bëjë të mundur zgjidhjen e problemeve dhe nevojave më emergjente që has sot vendi. Asnjë forcë tjetër politike nuk ka dëshmuar më shumë fakte për veprat e kryera në këto 25 vjet se Partia Demokratike. Është kjo forcë, që më së shumti ka mbledhur rreth saj njerëz që e duan vendin dhe që me punën e tyre modeste kanë pasur vullnetin të respektojnë mjaftueshëm liritë dhe të drejtat e bashkëqytetarëve të tyre, qofshin ata të djathtë, qofshin ata të majtë. Konkretisht, duhet specifikuar merita e demokratëve të thjeshtë që nuk përfituan kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pushteti, por që patën idealin dhe vendosmërinë për ta mbështetur dhe votuar me çdo kusht e me çdo çmim, madje nën kërcënime, forcën tek e cila besuan shpirtërisht se do e shpinte vendin në aspiratat që ëndërruan.

Prandaj do të ishte në logjikën e të gjithë demokratëve që shpresën e tyre ta fokusonin sërisht mbi forcën që e furnizuan me mund për 26 vjet dhe me sakrifica çnjerëzore për 45 vjet të tjerë. Do të ishte në të mirën e të gjithëve që t’i jepet fuqi vepruese Partise Demokratike që kjo fuqi të përhapet dhe të bëjë të mundur zhvillimin e vendit e për rrjedhojë edhe përmirësimin e gjendjes personale të gjithsecilit bashkëqytetar. Nëse hiqet dore prej saj, historia e deritanishme ka treguar se zhvillimi i vendit nuk pëson stopim, por pëson regres me hapa galopantë. Përmirësimi i jetesës fillon nga konsolidimi i buxhetit, shpërndarja e të mirave njerëzore në mënyrë të drejtë, pra pa abuzuar si dhe forcimi i institucioneve të pavarura të shtetit, suksesi i të cilave do të reflektohej në mirëqënien tonë. Të gjithë bashkë duhet ta shndërrojmë në realitet të prekshëm, për të pasur një jetë sa më të mirë komunitare, në të kundërt edhe më i pasuri nuk do të mund të shijonte jetën e tij në një shoqeri në kaos. Vetëm i ligu e “gëzon” pasurinë në vetmi, larg njerëzve të dashur, larg vendit dhe larg bashkatdhetarëve të tij.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?