AktualitetAnalizeTe tjera

Nga Sokol Gjoni/ Në turin e takimeve me militantët e tyre anëkënd Shqipërisë, vërehet dukshëm zhgënjimi dhe braktisja që qytetarët shqiptarë i kanë rezervuar kësaj kllounade politike.

Kur kanë mbetur dhe 5 ditë për të shpalosur programet dhe alternativat e tyre,  subjektet politike garuese për zgjedhjet e datës 25 qershor 2017, duket se përtej aftësive teatralizuese dhe retorikës së absurdit, nuk ja kanë arritur qëllimit të afirmimit të një fushate evrponiazuese dhe civilizuese, ku në thelb, duhej të ishte qytetari shqiptar me hallet dhe problematikat e tij, platformat ideore dhe mekanizmat konkretë të përmbushjes së premtimeve, si dhe rrugët e zhvillimit ekonomik të vendit. Retorika e ofruar, e stilizuar me cifla dhe xhufka barcaletash, përveçse krijoi groteskun e talljes me qytetarët, solli dhe një model të ri të të bërit fushatë në funksion të shmangies së përgjegjësive reale që ka e gjithë klasa politike ndaj qytetarëve dhe pamundësive për të ofuar ndryshueshmëri në thelbin  e çështjeve dhe në mendësinë e të bërit shtet.

E formësuar si një rivalitet parodizmi, deri tani kjo fushatë e pallojtë në formë dhe në përmbajtje , është treguesi më i qartë i shterpësisë së kësaj klase politike në raport me vizionet dhe perspektivat e zhvillimit të vendit, çka imponon në mënyrë të sforcuar buzëqeshjet performuese, apo dhe intonimin  herë-herë deri në zëçjerrje të liderëve respektivë. Në turin e takimeve me militantët e tyre anëkënd Shqipërisë, vërehet dukshëm zhgënjimi dhe braktisja që qytetarët shqiptarë i kanë rezervuar kësaj kllounade dhe eskortës cirkuistike të tyre., duke refuzuar shfaqje të tilla, të cilat janë të stisura qëllimisht përmes një regjizure që harmonizon mitet, legjendat, anekdotat e krijuara dhe që në planin esencial është koordinim dhe dakortësi mes aktorëve propagandues për të çfokusuar bashkëpërgjegjësitë e palëve në të gjithë ciklin 25 vjeçar të qeverisjes së vendit.

Ligjëratat e fushatbërësve, përveçse të mbushura me gafa delirantësh dhe apostrofime halucinative, janë një ogur jo i mirë për funksionalitetin e demokracisë dhe projeksionin e ndërtimit të institucioneve solide kushtetuese dhe shtetformuese. Mungesa e qasjeve programore, balancimi i retorikës estradeske mes kahjeve politike, mosevidentimi potent i aspekteve keqqeverisëse, zhargoni populist dhe premtimet me konotacione sinonimike, i bëjnë palët “palë” në këtë fushatë të pasojtë në të gjithë elementët e saj. Të trukuar si bohemë dhe me një stilistikë patetike, larg pritshmërive të mishërimit të vlerave të vërteta konkuruese dhe ofertuese, si dhe përtej fasadës së dinamizmit dhe akcentit politik të 5 mujorit të parë të këtij viti, klasa politike shqiptare nuk ja ka arritur të fshihet në lakuriqësinë e skenarëve që sigurojnë vazhdimësinë e trajtimit të vendit në domene të tyre.

Ndaj, zjedhjet e 25 qershorit, të cilat për nga rëndësia dhe konteksti gjeopolitik duhej të ishin si shprehja e kapërcimit dhe e ndarjes përfundimtare nga proceset zgjedhore të kontestueshme, por njëkohësisht, dhe e maturimit të mekanizmave demokratikë në shërbim të votës së lirë, duke mënjanuar stilin provincial, duhet të prodhojnë dhe legjitimitet real në konfigurimin e përfaqësimit dhe të votëbesimit të qytetarëve.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?