Meta sulmon Ramën: Është një njeri i papërgjegjshëm
Ilir Meta i ka dhënë përgjigje Edi Ramës për deklaratën e tij që Policia të dalë e të mbledhë vota pasi të përfundojnë orarin e punës.
“Në radhë të parë dua të uroj zonjën Tabaku, është një ogur i mirë dhe që reforma do të ecë përpara.
Dua të shpreh shqetësimin e thellë për deklaratën tërësisht jo të paligjshme por tërësisht të papërgjegjshmërinë e kryeministrit Edi Rama për Policinë e Shtetit, dua të dënoj heshtjen e Drejtorit të Policisë për këtë, që është një thirrje e hapur.
Unë e kam bërë të qartë tashmë se segmente të policisë janë përgjegjëse për nxitjen e trafikut të drogës.
Kam komunikuar me ministrin e Brendshëm, e kam përshëndetur për qëndrimin e tij dhe i kam bërë të qartë si Kryetar Kuvendi dhe president i zgjedhur se do të komunikoj për largimin e çdo krimineli dhe vagabondi që kërkon të blejë vota dhe tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.”
Policisë i mjafton njolla e drogës se zgjedhjet askush nuk mund t’i prishë në Shqipëri.”
Pasi gazetarët e informuan Metën se rama kërkoi ndjesë për fjalët e tij, kryetari i Kuvendit tha : “Nuk është çështje ndjese se rruga që ka ndjekur është rruga e presionit; shikoni administratën sesi po e ndjek me autobuzë. Ai vetëm detyrën e zbatimit të ligjit nuk e ka pasur dhe nuk e ka dhe jam i bindur se në polici shumica duan të vazhdojnë punën dhe pas 26 qershorit do të duan të vazhdojnë karrierën e s’kanë pse të bëhen palë me politikën.
Detyra e parë në 26 qershor është ndarja e policisë nga krimi dhe bandat; se ka një lidhje është e qartë: e kemi në Lezhë në Berat edhe në Shkodër dhe në disa zona të tjera dhe sot unë do të shkoj në Lezhë të takoj kryetarin e një fshati që është dhunuar,” është shprehur Meta.