Shpëtim Idrizi: Kush sulmon PDIU, nuk e ka më partinë, por do të asgjësojë çështjen çame!

Aktualitet Intervista

Shpëtim Idrizi: Kush sulmon PDIU, nuk e ka me partinë, por do të asgjësojë çështjen çame!
Intervistë ekskluzive për Newsetika.al

 

Newsetika.al pyetje: z. Idrizi a ndiheni Parti tezge, shushunjë apo tepsie?

 

Shpëtim Idrizi : Pyetje etike dhe korrekte, sepse për herë të parë na pyesin si ndihemi, jo çfarë komenti kemi për çfarë thonë për ne, të tjerë. Po e nis duke uruar Newsetika.al për rrugëtimin e saj si një media e re dhe me fokus të veçantë. Uroj ta ruani ngahera veçantësinë tuaj. Si ndihemi ne? Ne si PDIU ndihemi si një Parti që ka lindur nga një dhimbje e që ekziston si Parti amaneti dhe qëllimesh, kauze dhe vizioni. Kush nuk kupton pluralizmin, sheh tek konkurentët gjithë problemet dhe të këqijat e kësaj bote. A ndihemi ne të cënuar pse një fushatë populiste, me shmangie programesh dhe llogaridhënieje e armiqve të pluralizmit ka nisur me gjithë mullinjtë e saj të baltës të bluajë llum e pluhur kundër çdo konkurenti e garuesi në fushën e betejës? Aspak. Kemi lindur pavarësisht prej të tjerëve. Ekzistojmë e jemi rritur dhe po e do rritemi gjithashtu pavarësisht të tjerëve. Madje në ndihemi të përforcuar dhe më të motivuar në kauzat tona. Përveçse si parti e kauzës dhe amanetit të Çamërisë, ne jemi tashmë edhe parti e amanetit dhe kauzës së studentëve të dhjetorit ’90 që 27 vjet më parë fituan betejën kundër diktaturës mizore komuniste që në Shqipëri të vinte pluralizmi politik, liria, demokracia dhe europianizmi.

 

Newsetika.al pyetje: Po pse mendoni se ju quajnë të tillë, pra si Parti tezgë, shushunjë apo tepsie?

Shpëtim Idrizi: Shkruhet në librat e shenjtë se gjithkush flet nga mbushullia e zemrës. Çfarë ka si mbushje në zemrën dhe mendjen e vetë, gjithkush e nxjerr në pah me fjalët e tij.

Neve na kanë quajtur edhe në mënyrë rënduese, lënduese, fyese, diskriminuese, shkurt edhe si Partia e Çamëve. Kushdo që na quan si Partia e Çamëve ka fshehur e njëkohësisht nuk fsheh dot, paragjykimet dhe përçmimin që ka për popullsinë e martirizuar dhe shumëvuajtur shqiptare të Çamërisë. Ne nuk jemi Parti e Çamëve. Ne jemi Parti e të gjithë shqiptarëve e lindur si bartëse kryesore e kauzës çame. Ne jemi kudo në Shqipëri. Votohemi dhe kemi përfaqësues, anëtarë dhe votues në çdo qytetet, fshat e lagje të Shqipërisë. Por ata që na quajnë Parti e Çamëve, kanë qartazi zemëratë me përzgjedhjen dhe vendimin tonë për të qenë bartësit, zëpërçuesit dhe lartësuesit kryesorë të kauzës çame. Është po e njëjta logjikë, po e njëjta mendësi përçmuese dhe represive ndaj çamëve, që “Partinë e Çamëve” e intepreton si Parti tezge, shushunjë apo tepsie. Kush na quan Parti e Çamëve me përçmim, i vë emra të ndryshëm edhe përçmimit që ka për Çamërinë dhe bartësit e kauzës çame. Këta që shesin toka e dete për pak pushtet e buzëqeshje a përkëdhelje fqinjësh, nuk e durojnë dot që në Shqipëri të ekzistojë dhe veprojë një Parti e amanetit dhe kauzës së Çamërisë. Këta që bëjnë tregëti me gjithçka publike, nuk e durojnë dot që në Shqipëri po rritet një Parti e kauzave dhe idealeve kombëtariste.
Këta që shesin gjithçka vetëm për pak pushtete, nuk e durojnë dot që në Shqipëri po fuqizohet një Parti e misionit dhe vizionit.

 

Newsetika.al, pyetje: A keni ju një qëndrim për këtë historinë me Parti të mëdha, Parti të vogla dhe nevojën për bipartitizëm?

Shpëtim Idrizi: Një qëndrim e përgjigje për historinë me Parti të vogla dhe Parti të mëdha dhe nevojën për dypartitizëm e kam patjetër.

U bënë disa ditë, që nga ajo natë e ngrohtë 17 maji, kur dy burra u takuan, qëndruan gjerë e gjatë vetëm dhe kuptuan se ashtu si në dhomën ku ishin mbyllur nuk kishte vend për të tjerë, po ashtu edhe jashtë asaj dhome ata mund të ndërtojnë një Shqipëri pa të tjerë.
E kuptojmë këtë periudhë fillestare të një ‘dashurie të re, kur dy protagonistët në këtë dashuri, kujtojnë se bota nis me ta, mbaron me ta dhe është vetëm e tyre.
Por është e udhës që tua bëjmë me dije disa gjëra të rëndësishme.
1. Dashuria nuk zgjat pafundësisht. Sidomos dashuritë që lindin natën. Këto lloj dashurish janë kryesisht pasionale por jo afatgjata. Sidomos kur pasioni është i përzier me interesa të ngushta. Këto lloj dashurish, përfundojnë në ndarje me pasoja.

2. Këta, kështu si po e mendojnë e veprojnë, nuk po shkojnë drejt dypartitizmit, por drejt dymonizmit. Madje më keq akoma, këta duan të shkojnë drejt dyburrizmi, dy burra që vendosin për gjithkënd e gjithçka ndërsa vetë jetojnë në dashuri, intrigë dhe urrejtje.

3. Në dhjetor të vitit 1990, unë bashkë me shokët dhe shoqet e mia studentë të asaj kohe, u ngritëm në këmbë dhe u përballëm me diktaturën më të egër komuniste të të gjithë ish-Lindjes nën Perandorinë e Djallit. Fitorja e parë dhe më e madhe që arritëm  asokohe ishte Pluralizmi Politik. Fitorja e dytë ishte vendimi madhor mbarëkombëtar për tiu rikthyer orientimit tonë natyral për kah Perëndimi. Liria, Pluralizmi Politik dhe Properëndimorizmi u bënë 3 shtyllat themeltare të një shqiptarizme të ripërtërirë. Një Shqipëri e lirë, demokratike dhe properëndimore, u kthye shumë shpejt në pararendësen dhe flamurmbajtësen e një epoke të re edhe për Kosovën, edhe për shqiptarët e Malit të Zi, edhe për shqiptarët e Maqedonisë, edhe për çështjen çame, edhe për Diasporën. Shqiptari i lirë, kryelartë dhe properëndimor filloi të udhëtojë në hapësirën e re të rifaktorizimit Rajonal dhe madje edhe më gjerë. Kosova me ndihmën e Perëndimit fitoi lirinë. Shqiptarët në Mal të Zi sot sapo kanë fituar edhe Komunën e Tuzit. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, janë më të fortë se kurrë në Qeverinë e re të Zoran Zaev.Kësisoj, mbrojtja e fitoreve të dhjetorit “90 për mua si dhjetorist dhe si shqiptar i Çamërisë, është mision madhor personal, politik dhe kombëtarist.

4. Nuk ka asnjë të vërtetë në realitetin e paraqitur nga 2 protagonistët e 17 majit, për Parti të mëdha të mira dhe për Parti të tjera të këqija.
E vërteta është e thjeshtë dhe kristal e qartë. Kemi 1 Parti që trashëgoi historinë, strukturën dhe organizimin e Partisë së Punës dhe 1 tjetër Parti të themeluar nga të gjithë ne për të rrëzuar Partinë e Punës.
Me kalimin e kohës, këto dy Parti u kthyen në Simbiozë antidemokratike. Njëra ishte armike e dhjetorit ’90, e tjetra u largua çdo ditë, çdo vit e më tepër nga dhjetori ’90. Kanë mbetur të mëdha sepse kur e kanë kuptuar se shqiptarët janë lodhur prej tyre, janë bërë bashkë dhe kanë shtypur e mbytur shqiptarët, e linçuar gjithë kundërshtarët dhe konkurentët në fushë. Kanë ndryshuar sa herë kanë dashur Kodin Elektoral, Sistemin Elektoral, Ligjet, Kushtetutën, vetëm e vetëm që këta të mbysin këdo tjetër, e bashkë të mbeten të mëdhenj edhe pse nuk kanë më as besimin as mirëkuptimin e shqiptarëve. Bëhen bashkë kundër shqiptarëve dhe kundër kujtdo tjetër.

5. Nuk ka Parti të mëdha dhe të vogla. Ka ca parti jodemokratike dhe antidemokratike, Ka edhe Parti të tjera që kanë lindur si dhjetorë të vegjël demokratikë për ta mbrojtur dhe përfaqësuar dhjetorin, idealet dhe kauzat e dhjetorit ’90. Nuk ka kërpudhëzim. Ka qirinj të ndezur kur  Parti të mëdha jodemokratike kanë mbyllur diellin. Nuk ka vetëm Parti të vogla shantazhiste, klienteliste, drejtorikërkuese, e të tilla broçkulla. Ka sidomos Parti të mëdha çifligariste, që duan vetëm qehajaj e bujkërobër.

6. Kur Parti, drejtohen vetëm nga burra me mendësi çifligariste, autokratike, nuk prodhojnë as vlerë publike, as liri e as demokraci, por vetëm kryetarokraci. Nuk mund ta reduktojmë sot pas 27 vitesh, demokracinë, lirinë, pluralizmin politik dhe properëndimorizmin që i fituam në dhjetorin ’90, në dykryetarokraci. Shqipëria meriton të jetë vend i lirë dhe demokratik si çdo vend tjetër europian. Në Parti kryetarokratike, ka vetëm monizëm. Mungojnë idetë, mungojnë kauzat, mungon vizioni, mungojnë edhe aspiratat. Prandaj kanë lindur Partitë e tjera përpos këtyrè 2 Partive të mëdha që po duan të bëhen dymoniste. Kanë lindur për ti shërbyer lirisë, ideve, kauzave, qëllimeve të mbara dhe aspiratave të mëdha.

7. Shqipërinë në këto 27 vite nuk e kanë as qeverisur e as rrënuar partitë e tjera. Vetëm 2 partitë e mëdha e kanë keqqeverisur dhe rrënuar Shqipërinë. Cila nga Partitë e tjera është fajtore për 1997, po për 1998, përveç PS dhe PD? Cila nga Partitë e tjera ka patur aq shumë pushtet sa të mbysë çdo shpresë të shqiptarëve se Shqipëria bëhet, sikurse kanë bërë 2 Partitë e mëdha? Dëmet e mëdha i kanë bërë vetëm Partitë që kanë pasur Pushtete të mëdha.

8. E që të vijmë tek PDIU. Ne jemi e vetmja Parti besnike e dhjetorit’ 90, që drejtohet nga 2 ish studentë të dhjetorit ’90, e ka lindur si parti kauze. Jodemokratizmi i  Partive të mëdha e la në harresë dhe të asfikësuar çështjen çame. U desh lindja e PDIU që çështja çame të bëhej çështje e çdo shqiptari, çështje amëtare dhe çështje shtetërore në Shqipëri. Kauzat kombëtariste përforcohen dhe çlirohen vetëm kur ka demokraci, liri dhe properëndimorizëm. Këtë mision dhe funksion ka PDIU. Si Parti Kauze, PDIU përforcon dhe çliron kombëtarizmin. Nuk mund të lejojmë askënd që të shuajë lirinë tonë, për të shuar edhe kauzat tona. Ne ekzistojmë sepse ekziston shqiptarizma. Shqiptarizma ngre krye kur vepron liria. PDIU është partia e kombit dhe e veprimtarëve të lirisë. Nuk jemi Parti e vogël. Jemi Parti e Misionarëve të Lirisë dhe Kombëtarizmit. Si të tillë do vazhdojmë të jemi. Si të tillë do rritemi e fuqizohemi.

 

Newsetika.al pyetje: A ka një përgjigje Shpëtim Idrizi për Lulzim Bashën?

 

Shpëtim Idrizi: Ai nuk meriton asnjë përgjigje. Shqiptarët e meritojnë që unë tu jap llogari për gjithçka thuhet e deklarohet për mua. Unë jam Shpëtim Idrizi dhe jam Kryetari i PDIU. Ne nuk jemi as parti e ëngjëjve e as e shenjtorëve, por as parti e djajve. Jemi parti e njerëzve mëkatarë. E meqë jemi në muajin e madhnueshëm të Ramazanit, është mirë që të gjithë si vdekatarë dhe mëkatarë që jemi, ti kërkojmë falje e mëshirë Krijuesit tonë të gjithëpushtetshëm. Vetëm Ai e di se çfarë është në zemrat dhe mendjet tona. Vetëm Ai mund të na gjykojë për çka kemi në mendje e zemër. Ta shfrytëzojmë këtë muaj për të dalë sa më të vërtetë e të pastër para Krijuesit tonë, me lutje, dua dhe mirësi. Sepse njerëzit na gjykojnë për çka themi e bëjmë. Unë jam njeri që gjithçka që kam bërë në këtë jetë e kam bërë dhe arritur vetë, pa dhurata, por me mund e sakrifica. Drejtoj një Parti ku janë bërë bashkë njerëzit e amaneteve të të parëve tanë, njerëzit e vuajtjeve, dhimbjeve e sakrificave. Kur Lulzim Basha të marë në 25 qershor, rezultatin e të parës gjë, marrëveshje,  të parit vendim që thotë se e ka marë vetë më 17 maj,  do tia kthej përgjigjen time edhe atij. Sot për sot, le të na gjykojnë shqiptarët për çka themi e bëjmë. Por një gjë do tia them Lulzim Bashës sa për parantezë. Kryetari I tipit bëje mirë, bëje vetë, por që kurrë nuk ka ditur të bëjë asgjë vetë,  z. Basha, kullandris me ofertë deputetë në tregun e mallrave të përdorura dhe duke u vënë etiketë greke në ballë, kujton se mund ti shesë si plaçka të reja në Supermarketin Republika e re. PDIU është partia e kauzës çame. Ne nuk e shesim kauzën, si Basha detin. Ne nuk i shesim idealet tona, siç shiti Basha,  Çadrën e Lirisë. Ne jemi Partia e përballjes, kauzave dhe idealeve. Basha këtë ta fiksoje mirë e të bëjë kujdes kur flet për ne. Le ti bëjë mirë dhe e gëzoftë pazarin e mallrave të përdorura me Ministri e Drejtori teknike. E megjithatë Lulzim Basha, as kësaj rradhe nuk ka bërë dot gjë vetë. Deri para 17 majit bënte çdo gjë se kishte në krah Sali Berishën. Tani kujton se mund të bëjë shumëçka se ka në krah Edi Ramën.  Lulzim, mos u ngrefos para kohe sepse në 26 qershor do gdhihesh vetëm.

 

Neswetika.al pyetje: Po për Edi Ramën a e ka një përgjigje Shpëtim Idrizi?

Shpëtim Idrizi: Po. Patjetër. Përgjigja ime për Edi Ramën është e thjeshtë. Mos i bëj fjalët po aq  surreale sa pikturat e tua. Mos bëj instalacione dhe llangosje moderniste duke bërë pis çdo bashkëudhëtar e konkurent që ke pasur, ke e mund të kesh nevojë të kesh përsëri. Trego kush je ti. Konkuro me çfarë je ti e si je ti, jo me llangosje e zhgarravitje verbale ndaj të tjerëve. Nuk do të jesh i lumtur po të gdhihesh në 26 qershor vetëm me Lulzim Bashën. Seps ju të dy edhe kur jeni bashkë zëre se jeni secili në vetminë e tij. Nuk dini të respektoni e as vlerësoni miqësinë dhe bashkëudhëtimin me askënd. Sidoqoftë, ne si çamë i jemi mirënjohës Edi Ramës për mënyrën sesi ka folur dhe si e ka trajtuar çështjen çame.

 

Newsetika.al pyetje: Pse fitorja e PDIU në 25 qershor është fitore edhe për çështjen çame?

Shpëtim Idrizi: Sepse këta që duan të shuajnë e shajnë PDIU, duan të lënë pa parti e pa përfaqësi kauzën çame. Po e lanë pa parti e  pa përfaqësi kauzën çame, ata në fakt asgjësojnë vetë kauzën çame. PDIU mund të kritikohet për aq sa ka bërë për çfarë ka bërë për çështjen çame. Ndërsa mosekzistenca e PDIU, do të thotë se askush nuk do të ketë më askënd a asgjë për të kritikuar sepse nuk do të fliste e bënte më askush, asgjë për çështjen çame. Të gjitha Partitë e tjera politike flasin për çështjen çame vetëm në sajë të  ekzistencës dhe fuqisë në rritje të PDIU. Ndaj edhe nuk ka si të jetë ndryshe veçse që fitorja e çështjes çame të jetë e lidhur ngushtë edhe me fitoren dhe fuqizimin e rritjen e PDIU.

E vetmja shprehje dhe bartëse e kauzës çame në politikën shqiptare është PDIU. Çështja çame ka nevojë për bijë dhe bija të Çamërisë që ta përfaqësojnë dhe mbrojnë në Kuvendin e Shqipërisë, në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe në të gjitha institucionet, qeveriëe dhe organizatat ndërkombëtare. Çështja çame ka nevojë të bëhet çështje am për çdo shqiptar dhe çështje e shtetit shqiptar. PDIU është e vetmja parti që mund ta bëjë dhe sigurojë këtë gjë.

Newsetika.al pyetje: A ka një mesazh për Greqinë dhe Kryeministrin Cipras, Kryetari çam i PDIU?

Shpëtim Idrizi: Shqip dhe anglisht po të duan. Shpëtim Idrizi dhe PDIU janë këtu e do të jenë këtu edhe më të zëshëm. Do të jemi në Kuvendin e Shqipërisë, në Qeverinë e Shqipërisë dhe madje edhe në Institucione e Organizata Ndërkombëtare. Do të vijmë edhe në Greqi madje. Nëse sipas tyre ne çamët dhe çështja jonë, nuk ekzistojmë, mos u trembni nga ne. Pse ne ekzistojmë bëhuni gati të dëgjoni edhe më shumë prej nesh. Nuk do të flasim për historinë, por për drejtësinë. Nuk duam të hapim e mbajmë gjallë plagë të së shkuarës, por duam të përmbushim standartet më të mira europiane të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Nuk duam të ndryshojmë kufij, por duam të lëvizim të lirë e gëzojmë pronat tona që na i kanë lënë të parët tanë. Nuk duam të prodhojmë e as krijojmë konflikte e mosmarrëveshje mes nesh, por duam të ndërtojmë ura miqësie e mirëkuptimi reciprok mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk duam tu fryjmë nacionalizmave boshe, por duam tu japim zë bashkëpunimit dhe partneritetit me integritet, ndershmëri dhe reciprocitet. Nuk jemi ne çamët problemi. Është ajo çka ka ndodhur me ne, problemi. Nuk mund të quhemi ne problemi dhe ajo çka ka ndodhur me ne të mohoet. Ne ekzistojmë. Janë shtete, rregjime dhe mendësi të tejkaluara nga koha ato që quajnë ekzistencën e njeriut apo komuniteteve si problem. Ne ekzistojmë. Dhe nëse në Greqi nuk e dinë apo nuk e besojnë se çfarë ka ndodhur me ne, le të na thërasin e të na dëgjojnë. Ne sapo kemi filluar të flasim. Kemi ende më shumë për të thënë e dëshmuar.
Intervistoi: Newsetika.al

Tiranë më, 15 qershor 2017

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?