Nga Artan Fuga/ Hiqeni këtë rrangallë të mykur, këtë republikën e vjetër!

Aktualitet

Na e hidhni në plehra këtë rrangallë të vjetër!

Cfarë po ndodh në Francë këto javë me zgjedhjen e zotit Macron?

Ai ka vendosur të propozojë ligjin që asnjë deputet nuk mund të ketë më shumë se tre mandate rradhazi.

Pastaj të shkojë në shtëpi, të rrisi ciliminjtë ose të skuqi vezë për mëngjes.

Pse si te ne që ca deputetë të një sistemi vetëm njëzet vjeçarr bëjnë sikur janë pasardhës të një kaste shtetformuese prej disa shekujsh, bëjnë si mise nëpër zona turistike dhe si kalorës teutonë të paheqshëm.

Ikni o na lini rehat, mjaft!

Deputetët do të jenë para taksave njësoj si cdo qytetar, do t’i paguajë detyrimet një më një. Jo si ne ku deputetët, shërbëtorët tanë janë qindra herë më të pasur sesa niveli mesatar i shqiptarit dhe jo më lart sesa niveli i tij kulturor.

Jo më shumë se 15 ministra për një shtet të madh me disa dhjetra milionë qytetarë, në zemër të Europës, jo me administratë të fryrë ku militantët marrin rroga pa bërë asnjë një koqe ve punë.

Na i hiqni qafe parazitët!

Kryeministri nuk është fare deputet dhe nuk drejton fare as partinë në pushtet, por është i rrethuar nga pushtete të tjera që e kontrollojnë dhe ja bëjnë rrupi supi, dhe kokëulur shkon në punë cdo mëngjes duke mos bërë nga mëngjesi në darkë fushata dhe show nëpër televizione servile para gazetarësh super servila nga e keqja për të fituar parà.

Lëre ministrat që shumica do të caktohen nga shoqëria civile, nuk janë deputetë, por funksionarë në shërbim të shtetit.

Bota po lëviz.

Modelet e vjetra të shtetit po i hedhin në kosh, po e rinovojmë demokracinë.

Jetojmë në kohën e Internetit.

Ne na mbajmë në kohën e ujit me pompa të pista.

Hiqeni këtë rrangalle të mykur që mban erë, këtë karakatinë që na ka zënë brenda, këtë republikën e vjetër!

Kush është i lidhur pas saj le të rrijë poshtë qegllave të thyera, hatllave të bëra copë, por lëreni rininë të ndjeki rrugën që po ndjek bota.

Se pse cdo gjë më mban era vjetërsirë dhe si? Duke marrë gjoja ca të rinj pothuajse pa shkollë dhe vendosur si hunj gjoja për t’i dhënë një fasadë rinore karakatinës që kërcet, kalbet, e kanë ngrënë mizat e dheut dhe lëkundet duke na bërë çdo ditë të kemi frikë edhe tërmetin më të vogël që do na e hedhi sipër.