Sot luhet finalja Partizani-Kukësi. Kukësit i mjafton edhe barazimi
Në orën 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” luhet Partizani-Kukësi, kryendeshja e kampionatit shqiptar. Partizani mendon vetëm për fitore, kurse Kukësi edhe barazimin e sheh si sukses të madh.
Partizani ka fituar 7 nga 8 ndeshjet e fundit, ka luajtur mirë dhe ka shënuar me lehtësi në shumë ndeshje. Natyrisht, nuk është i pandalshëm, sepse fundja Vllaznia ia doli ta fuste në krizë, Tirana po ashtu, por edhe Flamurtari në pjesën e dytë në Elbasan e bëri paksa me dhimbje koke Starovën. Shpresa e të kuqve është që të përsëritet ndeshja kundër Skënderbeut, në fillim të prillit: paraqitje solide, personalitet dhe besim në vetvete, edhe pse frikë e tepruar në aspektin taktik, duke u mbyllur në mbrojtje për periudha të gjata.
Fundja, në atë takim duheshin pikët dhe ato u morën, Starova në përgjithësi nuk i gabon llogaritë.
Kukësi ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit, por vetëm 5 në 10 të fundit. Shumë barazime, e vërtetë, por nuk është dështim nëse barazon me Skënderbeun, Flamurtarin e Laçin në transfertë.